Urim HASIPI
Tetovë, 26 maj – Problemi i mbeturinave në Pollog edhe pas përfundimit të mandatit të kryetarëve të komunave të këtij rajoni vazhdon të mos jetë i zgjidhur, shkruan gazeta KOHA. Grumbullimi dhe transporti i mbeturinave nuk shënoi ndonjë progres edhe përkundër zotimeve të të gjithë kryetarëve të Pollogut se do të gjejnë një zgjidhje afatgjate, duke premtuar disa herë se do të ndërtohet Deponia regjionale e cila më pas do të reciklonte të njëjtat. Vendi më i përfolur ishte Deponia Rusino në Gostivar, por banorët e fshatrave përreth kishin bllokuar rrugën disa herë duke mos lejuar dërgimin e mbeturinave atje, për arsye se ndotin ambientin. Gati një vit e gjysmë mbeturinat në Rusino dërgohen vetëm gjatë orëve të natës nga Tetova, por kjo është e pamjaftueshme dhe autoritetet e komunës poashtu janë të detyruar të dërgojnë mbeturinat në Shkup në deponinë Drislla. “Tashmë dihet se për një kohë të gjatë banorët që jetojnë afër deponisë Rusino nuk lejojnë që të transportojmë mbeturina gjatë ditës, por vetëm prej orës 1 në mesnatë e deri në orën 5 të mëngjesit. Gjatë periudhës së kaluar kushtet klimatike kanë qenë të vështira dhe për shkak se kamionët s’mund të arrijnë atje, mbeturinat i dërgojmë në Shkup”, thekson drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, Xhelal Ceka. Banorët disa herë krahas bllokimit të rrugës poashtu edhe kanë protestuar, duke kërkuar nga komunat dhe Ministria e Ekologjisë që të rregullojë rrugën që çon deri tek deponia si dhe të ndërtohet deponi moderne, për shkak se ujërat e zeza vërshojnë nëpër pronat e mbjella të këtyre banorëve. Krahas premtimeve deri më sot asnjë hap nuk është ndërmarrë në këtë drejtim nga autoritetet e komunës dhe Ministria e Ekologjisë. Prandaj, sipas drejtuesve të NPK-së, në Tetovë bllokada ende është në fuqi. Nga ana tjetër, pasi që deri më tash autoritetet e Komunës së Tetovës nuk arritën të rregullojnë dhe ndërtojnë një stacion për ngarkim dhe shkarkim të mbeturinave në Tetovë, vazhdon që të shfrytëzohet për këtë qëllim deponia në hyrje të qytetit të Tetovës, ku përkohësisht hidhen mbeturinat që grumbullohen në qytet dhe aty shpesh herë ndodh që të njejtat të ndizen dhe të shkaktojnë ndotje. Ditëve të fundit në këtë stacion për ngarkim-shkarkim të mbeturinave është vërejtur makineri e cila largon mbeturinat, por për shkak se grumbullohet sasi e madhe e mbeturinave nga amvisëritë e njëjta, sërish stërmbushet. Kjo situatë pritet që të përkeqësohet edhe gjatë muajve të verës kur ka rritje enorme të mbeturinave në qytet për shkak të ardhjes së mërgimtarëve nëpër shtëpitë e tyre. Krahas shumë premtimeve se do të ndërtohet një stacion për riciklim të mbeturinave përgjatë rrugës Tetovë-Falishtë, megjithatë punimet nuk kanë përfunduar për të njëjtën. Krerët e komunave të Pollogut në fillim të mandatit të tyre anuluan tenderin për dhënien në koncesion të deponisë Rusino. Ndryshe, sipas marrëveshjes paraprake të nëntë komunave të Pollogut, koncesioneri që do të fitonte tenderin duhej që të bëjë investime prej 25 deri në 30 milionë euro, ku përfshihet teknologjia e grumbullimit, transportit dhe ndërtimit të deponisë sipas standardeve evropiane. Në këtë tender ishin përfshirë të gjitha komunat e Pollogut, kurse koncesioneri krahas investimeve duhej që të merrte në menaxhim edhe ndërmarrjet publike komunale të cilët merren me mbeturinat dhe ishin themeluar nga komunat. Megjithatë, zyrtarisht deri më tani nuk ka patur ndonjë sqarim se pse u anulua tenderi për dhënien në koncesion të deponisë Rusino. Në ndërkohë, Tetova dhe komunat përreth saj vazhdojnë të përballen me këtë problem shumë vjeçar dhe assesi të gjejnë zgjidhje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara