Në rrugë vdesin 160 persona

Aida XHONI

Shkup, 15 nëntor – Pesëmbëdhjetë nëntori është Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor. Statistikat e zeza shënojnë rritje, numrat në mënyrë rapide zmadhohen, shkruan gazeta KOHA. Mjafton vetëm të hidhet shikim në raportet e përditshme të policisë që të vërtetohet se brenda një dite ndodhin dhjetëra aksidente – shumica prej të cilave përfundojnë me pasoja tragjike. 36 persona kanë humbur jetën në aksidente për gjashtë muaj, tregojnë të dhënat statistikore të Këshillit Republikan për Komunikacion dhe Siguri në Rrugë (KRKSR). Sipas këtyre të dhënave, nga fillimi i vitit deri më 15 qershor – në aksidente nëpër Maqedoni jetën e kanë humbur 36 persona, ndërsa shkak ka qenë vozitja e shpejtë dhe agresive. Por, përvoja dhe statistikat tregojnë se para nesh ka 100 ditë të zeza dhe kritike kur është në pyetje siguria e komunikacionit. Në vitin 2016, në muajin qershor, 11 persona e kanë humbur jetën gjatë aksidenteve, në korrik 25, në gusht 19 dhe shtator 9 persona. Këtë vit, në muajin qershor, jetën e kanë humbur 8 persona në aksident. Çdo vit në periudhën qershor-gusht, aksidentet dyfishohen edhe në aksidente rrugore edhe në lëndime dhe përfundime tragjike. Gjatë vitit të kaluar ka pasur gjithsej 164 viktima të aksidenteve nëpër rrugët e Maqedonisë, në vitin 2015 nga aksidentet kanë vdekur 144 persona, në vitin 2014 – 130, ndërsa në vitin 2013 janë regjistruar 198 të vdekur gjatë aksidenteve, ose 9 të vdekur në çdo 100.000 persona. Është e njohur se mesatarisht në Maqedoni humbin jetën nga aksidentet 160 persona, ndërsa 40 për qind e rasteve janë në Shkup.

Në Maqedoni, në pajtueshmëri me statistikat të cilat i posedon KRSKR-ja për vitin 2016, 25 persona të moshës deri 24 vjet e kanë humbur jetën në aksidente komunikacioni, ndërsa më shumë se 2000 kanë përfunduar të lënduar. Të rinjtë hyjnë në kategorinë më të ndjeshme të komunikacionit.

Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për çdo orë brenda një dite, më shumë se 40 të rinj janë viktima të fatkeqësive të trafikut në rrugë, përkatësisht çdo ditë më shumë se 10 mijë të rinj të moshës deri 25 vjeç janë viktima të fatkeqësive të komunikacionit në botë. Kjo nënkupton se çdo ditë – mijëra familje ballafaqohen me faktin se humbin një anëtarë të ri të familjes. (koha.mk)