Sipas moshës së çifteve, numri më i madh i divorceve 387 ose 19.4 për qind ka ndodhur te grupmoshat 30 deri 34 vjeç
Qefsere ABDYLI
Shkup, 16 tetor – Numri i divorceve në vitin 2017 është rritur 0.5 për qind krahasuar me vitin 2016,ndërsa këtë vit – numri i martesave të dështuara ka arritur në 1994. Më shumë divorce ka pasur në muajin gusht – 2.1 për qind, ndërsa më shumë (224 ose 11.2 për qind) në muajin dhjetor, shkruan gazeta KOHA. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, sipas të cilës, në 2017 megjithatë është rritur për 4.4 për qind numri i kurorëzimeve me gjithsej 13.781. Më shumë martesa, 1771 ose 12.9 për qind janë realizuar në gusht, ndërsa më pak në muajin mars, 764 ose 5.5 për qind.
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se këtë vit, numri më i madh i atyre që martohen për herë të parë është te gratë edhe atë me 93.1 për qind, ndërsa 91.4 për qind tek meshkujt, në krahasim me vitin 2015, ku statistikat tregojnë se mbi 90 për qind nga burrat dhe gratë martohen për herë të parë.
Në martesën e dytë pjesëmarrës janë 7.9 për qind e çifteve, ndërsa në martesën e tretë pjesëmarrës janë vetëm 0.7 për qind, ndërsa kryesojnë burrat në martesat e dyta dhe të treta. Vjet, numrin më të lartë të martesave (4570) e kanë shënuar femrat e moshës 20-24 vjeçe (33.2 për qind), ndërsa te meshkujt, ata të moshës 25-29 vjeç me 5222 martesa ose 37.9 për qind. Mosha mesatare për martesën e parë tek nuset është 26.6 vjet dhe 29.3 vjet e dhëndrit.
Sipas moshës së çifteve, numri më i madh i divorceve 387 ose 19.4 për qind ka ndodhur te grupmoshat 30 deri 34 vjeç. Sipas statistikës, numër më të madh të martesave në Maqedoni ka pasur në vitin 1987, 16.799. Ky numër p deri tani nuk është tejkaluar, transmeton KOHA.
Por cila është arsyeja kryesore e shkurorëzimit të çifteve? Papunësia, gjegjësisht gjendja e rëndë ekonomike, rënia e standardit të jetesës, apo edhe fakti se qytetarët më shumë kanë filluar të preferojnë të kenë një jetë moderne – një jetë me më pak obligime.
Sociologët komentojnë se pjesa më e madhe e të rinjve vështirë vendosin për martesë, ndërsa më lehtë vendosin për divorc, për shkak se pretendojnë të jetojnë jetë moderne të individualizmit. Në mesin e arsyeve kryesore është edhe gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale, më shumë për shkak të papunësisë, humbje të vendit të punës, paga jo të rregullta, etj. Sa për ilustrim, nga përafërsisht 200 mijë të papunë në vend, rreth 50 për qind prej tyre janë të moshës deri 35 vjet. (koha.mk)