Laura PAPRANIKU
Shkup, 29 mars – Të rinjtë, sikurse tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave, e lidhin përgjithësisht karrierën e tyre me vazhdimin e shkallës së arsimimit në nivelin e studimeve pas universitare, shkruan gazeta KOHA. Pjesa dërmuese e atyre që magjistrojnë janë persona të cilët nuk i kanë mbushur ende të 30-at, ndërsa drejt kësaj tendence po shkojnë edhe studimet e doktoraturës. Konkretisht, pjesa më e madhe e magjistrave të vitit 2016, përkatësisht 1089 persona nga 1881 gjithsej (apo 58 për qind), janë nën moshën 29 vjeçare. Sakaq, në mesin e atyre që kanë doktoruar po gjatë atij viti, në kategorinë e moshës nga 30 deri 39 vjet janë 94 doktorantë nga 197 gjithsej (apo 48 për qind). Kategoritë tjera të doktorantëve, sipas moshës janë nga 26 deri 29 vjet si dhe mbi 40 vjet dhe ku sipas të dhënave të ESHS-së për vitin e kaluar kishin 24 persona, respektivisht 79 që kanë mbrojtur me disertacionet e doktoraturës. Në mesin e personave që kanë magjistruar, përveç kategorisë së moshës deri 29 vjet (ku kishin 1089 magjistra), kanë edhe tre kategori tjera: nga 30 deri 34 vjet, nga 35 deri 39 vjet dhe mbi 40 vjet dhe ku janë evidentuar 309, 230, respektivisht 253 magjistra. Vazhdimi i shkallës së arsimit, jo çdo herë nënkupton mundësi reale për punësim, pasi një pjesë e konsiderueshme figurojnë në listën e të papunëve. Rreth 25 për qind (498 magjsitra të vitit 2016), nuk janë në marrëdhënie pune, por janë edhe 10 doktorë shkencash që gjithashtu nuk janë të punësuar.
Shkencat humane vazhdojnë të mbajnë primatin e sferave që nxjerrin më së shumti magjistra dhe doktorë shkencash në Maqedoni. Kjo vlen për të gjitha institucionet arsimit të lartë, pavarësisht gjuhës apo mënyrës së tyre të financimit. Si universitetet në gjuhën shqipe ashtu edhe ato në gjuhën maqedonase, rezultojnë të kenë përqindje më të lartë të studentëve që arsimin pasuniversitar e kanë orientuar në fushën e studimeve shoqërore: filozofi, filologji, sociologji, drejtësi apo ekonomi. Në nivel të gjithë universiteteve magjistraturat e këtyre fushave përbëjnë 63.7 për qind të numrit të përgjithshëm. Konkretisht, nga 1881 magjistratura të mbrojtura gjithsej në vitin 2016, 1198 janë nga fusha e shkencave shoqërore. Edhe te doktoraturat pjesa më e madhe e studimeve kanë qenë nga shkencat shoqërore, konkretisht 72 doktoratura ose 36.5 për qind e numrit të përgjithshëm.
Gati se gjysma e magjistraturave, apo 45 për qind, janë mbrojtur në Universitetin “Kirili dhe Metodi” të Shkupit, përderisa Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore participojnë me 6.2, respektivisht 3.7 për qind të numrit të përgjithshëm. Pra, sipas të dhënave të ESHS-së, vitin e kaluar UT ka nxjerrë 116 magjistra, ndërsa UEJL 69. Pjesa më e madhe e magjstrave të UT-së janë nga Fakulteti Filozofik (40), Fakulteti Juridik (36) dhe Fakulteti Ekonomik (24). Në UEJL për nga numri i magjistrave kryesojnë Fakulteti Juridik (26) dhe Fakulteti Ekonomik (19). Në të dyja këto universitete dominojnë magjistrat femrat, ndërsa kjo është karakteristikë edhe e magjistraturave në nivel shteti. Nëse në këtë të fundit femrat janë pjesëmarrëse me rreth 59 për qind (1107), në UT përqindja e të regjistruarve femra është 54.3 për qind (63), në UEJL përqindja e të magjistrave femra është 66.6 për qind.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara