Ndjenja e varfërisë është më e theksuar në zonat urbane, ku vetëm 2.7 për qind e familjeve kanë deklaruar se me të ardhurat e përgjithshme mujore që i kanë, lehtësisht i plotësojnë të nevojat e tyre, për dallim nga banorët e zonave rurale, ku një ndjenjë e tillë është e pranishme te 3.2 për qind e familjeve
Zejnulla VESELI
Shkup, 5 shtator – Edhe pse, parë në përgjithësi, bota sot është shumë më e pasur seç ka qenë ndonjëherë, sepse në të kaluarën shumica e qytetarëve, përveç një elite të vogël të privilegjuar, jetonin në kushte që do të klasifikoheshin si varfëri ekstreme, hulumtimet e fundit tregojnë se sot vetëm një pjesë e vogël jetojnë në kushte shumë të mira, dhe ai numër dita ditës po zvogëlohet, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, që nga viti 1990, numri i njerëzve në varfëri ekstreme ka qenë 1.9 miliard, ose 36 për qind e popullsisë në botë. Tashmë në vitin 2018, numri i të varfërve vlerësohet të ketë rënë në 650 milionë, gjegjësisht 8.6 për qind nga popullsia e botës. Megjithatë, siç tregojnë të dhënat, rënia nuk është përhapur në mënyrë të barabartë, sepse në Kinë dhe në Azinë Jugore është arritur një përparim shumë i madh, për dallim nga Afrika subsahare, ku numri i të varfërve është rritur jashtëzakonisht.
“Varfëria ekstreme definohet duke jetuar me të ardhura më pak se 1.90 dollarë amerikan ose 1.71 euro në ditë. Me këtë masë, Evropa dhe pjesët tjera të botës mezi regjistrohen në shkallë. Të ardhurat janë më larta, por kështu janë edhe shpenzimet e jetës”, shkruan Euroneës. Banka botërore ka zhvilluar një sistem vlerësimi, duke vendosur “vijat e varfërisë” për kategori të ndryshme të vendit, sa i përket të ardhurave nacionale. Në shumicën e vendeve të BE-së, kjo është paraparë në 21.70 dollarë, ose 19.54 euro në ditë.
Duke marrë parasysh privimin material dhe social, shifrat e EUROSTAT-it të vitit 2018 sugjerojnë se 22.4 për qind e njerëzve në Bashkimin Evropian, ose 113 milionë njerëz, janë në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social. Shkalla ishte edhe më e lartë për fëmijët sesa për të rriturit, dhe pothuajse një e katërta e popullsisë u tregua se është në rrezik. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në Maqedoni shkalla e varfërisë është 22.2 për qind. Hulumtimi për varfërinë, të cilin e ka realizuar ESHS, ka treguar se vetëm 2.7 për qind e banorëve mund të kalojnë me lehtësi muajin me të ardhurat që i kanë.
“Ndjenja e varfërisë është më e theksuar në zonat urbane, ku vetëm 2.7 për qind e familjeve kanë deklaruar se me të ardhurat e përgjithshme mujore që i kanë, lehtësisht i plotësojnë të nevojat e tyre për dallim nga banorët e zonave rurale, ku një ndjenjë e tillë është e pranishme te 3.2 për qind e familjeve”, theksohet në raportin e ESHS. Analiza e tyre tregon se më shumë se një e katërta e familjeve, ose 28.6 për qind, konsiderojnë se me shumë vështirësi mund t’i mbulojnë nevojat mujore.
“Shkalla e varfërisë e llogaritur sipas rekomandimeve të EUROSTAT-it, në vitin 2015 ishte 21.5 për qind, në vitin 2016 ishte 21.9 për qind, ndërsa në vitin 2017 ishte 22.2 për qind e personave që jetojnë në prag të varfërisë”, thuhet në hulumtimin e Entit për statistikë.
Nga aty shtohet se për të varfër konsiderohen personat që jetojnë vetëm me të ardhura vjetore prej 90.129 denarë, ndërsa pragu i varfërisë për një familje katër anëtarësh, e cila sipas definicionit përbëhet prej dy të rriturve dhe dy fëmijëve nën moshën 14 vjeçare, është vendosur në të ardhura vjetore prej 189.270 denarë. Bazuar në ato kritere, sipas të dhënave të fundit, në vendin tonë kanë jetuar rreth 460 mijë persona të varfër. “Varfëria në vendin tonë është stagnuese, dhe sipas informatave të fundit, në vitin 2017 është 22.2 për qind. Megjithatë, tek një kategori e caktuar, siç janë familjet me tre e më shumë fëmijë nën përkujdesje (44.6 për qind) dhe tek personat e papunë (31,6 për qind) shkalla është jashtëzakonisht mbi mesataren. Por, sipas këtij indikatori, nëse e analizojmë fotografinë më të gjerë, ose indikatorëve multidimensional për varfërinë, siç janë mundësitë për të shkuar në pushime, mundësia për të siguruar katër nga nëntë nevojat e nevojshme materiale, kushtet për banim, dhe të ngjashme, situata është më shqetësuese”, thotë Bllagica Petreski, ekonomiste kryesore, dhe drejtoreshë ekzekutive në institutin për hulumtime ekonomike dhe politikë “Financial Think”.
Ajo shton se si vend i vogël dhe i hapur, ne jemi të ekspozuar ndaj asaj që po ndodhë tek parterët tanë më të mëdhenj tregtar, duke përfshirë edhe Gjermaninë. Por ajo thekson se ajo që po ndodhë me ekonominë gjermane, nuk duhet të në mënyrë të drejtpërdrejtë ta lidhim me varfërinë në vend. “Për dalje nga varfëria janë shumë të rëndësishme karakteristikat individuale të personave, politikat sociale dhe sa ka mjedisi kapacitet për të dalë nga varfëria. Në atë drejtim, disa prej reformave, siç është të ardhurat e garantuara minimale dhe paralajmërimi për menaxhment të integruar të rastit, duhet të japin rezultate në uljen e varfërisë. Por, njëkohësisht, duhet të ekzistojë vetëdije se dalja nga varfëria në afat të gjatë është e mundshme vetëm përmes punësimit, ndërtimit të aftësive tek personat për fitim më të madh dhe produktivitet më të madh”, shtoi Petreski.
Edhe pse më herët punësimi është konsideruar si një prej mënyrave për dalje nga varfëria, gjatë viteve të fundit, çdo ditë e më tepër dalin hulumtime që po tregojnë se me punësim nuk garantohet dalje nga varfëria. “Shohim shpërthim të vendeve të pasigurta të punës, marrëveshje pa orar… Çdo ditë e më shumë njerëz punojnë, por ata me dëshpërim mundohen të dalin në krye në fund të muajit”, thotë Leo Uiliams, drejtori i Rrjetit evropian për luftën kundër varfërisë për Euroneës. Rrjeti evropian që është i fokusuar në të pastrehët, thotë se ka rritje të madhe të nivelit të të pastrehëve nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Është vlerësuar se 700.000 persona flenë nën qiell të hapur ose në qendrat për akomodim emergjent në BE. Kjo është 70 për qind më shumë se para një viti.
Këto të dhëna alarmante janë publikuar para afatit përfundimtar të strategjisë “Evropa 2020”, në agjendën e së cilës është paraparë rritje e vendeve të punës, për uljen e banorëve të varfër për 20 milion. Por, kombinimet më të reja sugjerojnë se ulja është vetëm për pesë milion njerëz. Nga Rrjeti evropian për luftë kundër varfërisë konfirmojnë se ekziston një lidhje fundamentale mes varfërisë dhe pabarazisë në rritje dhe se është koha që liderët botëror të miratojnë një strategji të re. (koha.mk)