Vjollca SADIKU, Dibër
Qendër Zhupë, 1 prill – Në Komunën Qendër Zhupë, aty ku u paraqitën dy rastet e para të COVID-19 në vendin tonë, nuk ka raste të reja me këtë virus. Edhe pse janë marrë teste, deri tani nuk ka asnjë të infektuar. Këtë e pohon kryetari i Komunës Qendër Zhupë, Arjan Ibrahim, i cili sqaron se dy rastet e para me koronavirus ishin pikërisht në këtë komunë. Bashkëshortja e çiftit që erdhi nga Italia, ndërroi jetë dhe ishte pacientja e parë në vend që vdiq pikërisht nga ky virus. Por siç thotë kryetari i kësaj komune, rastet që ndodhën në fshatin Ballancë, mbeten si dy raste të vetme në komunë. Shërbimi i shëndetit publik në Komunën Qendër Zhupë bëri testime, dhe sipas kryetarit Ibrahim, deri tani nuk ka patur rast tjetër pozitiv.
“Në komunën tonë kishte 13 të veta të izoluar që kanë patur kontakt me çiftin e infektuar, por asnjë s’ka dalë pozitiv ndaj virusit”, thotë për gazetën KOHA, kryetari i Komunës. Arjan Ibrahim informoi se edhe në këtë komunë e cila poashtiu siç është Komuna Dibër – është shpallur si komunë në situatë krize, arrijnë ndihma të ndryshme. Ndihma ka ndarë Kryqi i Kuq dhe disa shoqata të tjera. Ndihma kanë ardhur edhe nga mërgimtarët nga kjo komunë që jetojnë në SHBA. Ndihmat janë kryesisht në ushqim dhe mjete higjienike.
Sipas kryetarit, ndihma ka siguruar edhe Faton Asani, i cili veçmas ka donuar doreza, maska dhe mjet higjienike. Si problem në këtë komunë paraqitet prezenca e 15 blegtorëve nga Zhupa, të cilët kanë ngelur në Qendër Zhupë, por që kopetë e dhenve të tyre i kanë në rajonin e Pellagonisë. Jemi duke punuar që këta blegtorë të kenë mundësi të shkojnë në vendet ku i kanë edhe kopetë e dhenve. (koha.mk)