Urim HASIPI
Tetovë, 17 shtator – Në rrugët e Tetovës gjithnjë e më shumë hasen vetura që qarkullojnë pa regjistrim ose me regjistrim të skaduar. Kjo dukuri, sipas policisë, sa vjen e shtohet në periudhën e fundit. Madje, ata thonë se ky trend shënon rritje enorme dhe kjo praktikë e këtillë duhet të ndalohet. “Në rajonin më të gjerë të Tetovës, muajin e kaluar nga komunikacioni janë larguar gjithsej 142 automjete, më shumë prej tyre, gjegjësisht 129, për shkak të regjistrimit të skaduar deri dhe mbi 30 ditë, parregullësi teknike dhe mangësi të tjera. Për automjetet e paregjistruar, fenomen ky që këtë vit ka shënuar rritje, janë përgatitur padi adekuate dhe do të përballen me gjoba, të cilët për këtë lloj kundërvajtjeje lëviz nga 100 deri në 500 euro në kundërvlerë të denarit, përderisa gjoba për automjetet me parregullësi teknike, veçanërisht ato të cilat kanë pasur frenat e dëmtuar gjoba është 400 euro”, deklaroi Marijan Josifovski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Por, krahas kësaj në Tetovë, po ashtu ka edhe shumë vozitës të rinj, të cilët aspak nuk i respektojnë rregullat, sidomos vozitës të rinj që nuk kanë leje për vozitje.
“Në gusht gjithashtu janë larguar nga komunikacioni 276 vozitës, nga të cilët 149 pa leje për vozitje, gjegjësisht ata të cilët nuk kanë pasur leje valide për vozitje, 105 vozitës fillestarë, të cilët kanë thyer kufizimet ligjore, të parapara për këtë kategori të vozitësve. Edhe të parët, edhe të tjerët i presin padi dhe gjoba adekuate, të cilat lëvizin nga 200 deri në 300 euro në kundërvlerë të denarit, me vërejtjen se këtë vit në rajonin e Pollogut është dukshëm më i madh numri i vozitësve të egër, gjegjësisht atyre që drejtojnë automjete pa leje adekuate për vozitje. Numri më i madh i tyre janë të rinj të moshës deri në 25 vjet, por shpesh ka edhe më të vjetër të ashtuquajtur “Përsëritës”, drejtpërdrejt janë të përfshirë edhe në transportin publik që kryejnë transport të udhëtarëve so furgonë, minibus dhe automjete të tjera”, deklaroi Josifovski për gazetën KOHA. Duke pasur parasysh këto shifra, nga Policia e Tetovës edhe një herë apelojnë që askush të mos ulet përpara timonit pa leje adekuate për vozitje, ndërsa automjetet në kohë të regjistrohen dhe rregullisht të kontrollohet gjendja e tyre teknik, veçanërisht nëse udhëtohet në relacione më të gjata, por edhe në përgjithësi. Pikërisht edhe kjo ka bërë që të shtohen edhe aksidentet nëpër rrugët e Tetovës dhe rrethinës.
“Muajin e kaluar gjithashtu janë regjistruar 14 dalje nga rruga, si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, ndërsa 6 prej aksidenteve janë shkaktuar nga kafshët në të shumtën e rasteve nga qentë endacak, parasëgjithash për shkak të rrugës së pasiguruar mirë me mburoja mbrojtëse dhe lëvizjes së lirë dhe të pakontrolluar të kafshëve në rrugë.
Përndryshe ditët më kritike kur kanë ndodhur aksidentet e muajit të kaluar, kanë qenë dita e mërkurë dhe dita e enjte, përderisa si periudha kohore më të rrezikshme kanë qenë nga ora 14 deri në orën 16, dhe nga 20 deri në orën 22. Në gusht gjithsej janë kontrolluar 3875 automjete, nga të cilat te 1134 janë konstatuar parregullsi të ndryshme. Mangësitë e konstatuara, gjegjësisht kundërvajtjet e ndryshme janë sanksionuar me 486 sanksione kundërvajtës, 449 fletëpagesa për gjobë dhe 184 vërejtje me shkrim”, njoftoi zëdhënësi i SPB-së në Tetovë.