Sipas parashikimeve ekonomia e turizmit këtë vit pritet të ketë rënie të të ardhurave nga pushimet verore deri në 70 për qind. Pandemia me virusin korona është një faktor i pamohueshëm në katastrofën e industrisë së turizmit.
Zenel MIFTARI
Shkup, 13 korrik – Pandemia me virusin korona dhe masat e marra për parandalimin e tij nga qeveritë ka ndikuar jashtëzakonisht në ekonominë globale. Por sektorët të cilët janë prekur më shumë janë gastronomia dhe turizmi. Një ndër masat që është vendosur është mbyllja e kufijve për vendet që kanë raste të shumta me virusin korona. Vendet që qytetarët e Maqedonisë së Veriut, mund të udhëtojnë pa kufizime për pushime verore janë vetëm Shqipëria dhe Turqia.
SITUATA E PAFAVORSHME EPIDEMIOLOGJIKE
Numrat nuk janë në favor të hapjes së shpejtë të kufijve për qytetarët e Maqedonisë së Veriut për momentin, nga shkaku i rritjes së rasteve me virusin korona. Në 10 ditët e fundit kemi pasur çdo ditë mbi 100 raste të reja me virusin korona. Ndërkaq deri në ditën e djeshme, numri i përgjithshëm i rasteve me virusin korona që nga fillimi i pandemisë është 7.572, ndërsa numri i të shëruarve është 3.624, në anën tjetër numri i rasteve aktive për momentin janë 3.586 dhe rastet që kanë përfunduar me vdekje ka shkuar në 362. Ndërkohë Komisioni Europian, pati informuar se do të hap kufijtë me një korrik për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Vendet anëtare të BE-së, kanë rënë dakord të lejojnë heqjen graduale të masave kufizuese të udhëtimit vetëm për Serbinë dhe Malin e Zi. Lista e vendeve që lejohet të udhëtojnë në BE, rishikohet çdo dy javë duke u bazuar në situatën epidemiologjike për çdo vend që e ka të ndaluar. Në anën tjetër për të pasur të drejtën për të udhëtuar në BE, situata epidemiologjike e një vendi duhet të plotësojë tre kritere: numri i rasteve të reja të virusit korona në 14 ditët e fundit në 100,000 qytetarë të jetë i ngjashëm ose më i ulët se mesatarja e BE-së, vendi që të tregon një ulje ose stabilizimi të kurës në 14 ditët e fundit dhe kushti i tretë është mënyra se si vendi trajton virusin korona në lidhje me informacionin e disponueshëm dhe besueshmërinë e tyre, testimin, ndjekjen e kontakteve dhe trajtimin e tij.
MASAT STIMULUESE
Sipas parashikimeve ekonomia e turizmit këtë vit pritet të ketë rënie të të ardhurave nga pushimet verore deri në 70 për qind. Pandemia me virusin korona është një faktor i pamohueshëm në katastrofën e industrisë së turizmit.
Stimulimi dhe nxitja e klientëve në këtë kohë është një dorë e zgjatur e kompanive dhe ekonomisë botërore për të shpëtuar nga një krizë e madhe globale që po e pret njerëzimin. Në disa vende të botës, agjencitë e udhëtimit po motivojnë klientët e tyre që të mos heqin dorë nga udhëtimi dhe planifikimet e tyre për pushime. Për shembull, një agjenci udhëtimesh nga Skocia ofron një kupon prej 1.000 euro, që mund të blihet tani dhe të përdoret kur të dëshiroj klienti. Vlen të cekët se edhe Maqedonia e Veriut, gjithashtu ka dhënë kuponë me vlerë prej 6.000 denarë për një pjesë të qytetarëve që të mund ti përdorin për pushime në qytetet turistike të vendit. (koha.mk)