Manila, 31 tetor – Autoritete filipinase urdhëruan evakuimin e mijëra banorëve në pjesët jugore të ishullit Luzon pasi në atë pjesë të territorit të Filipineve po afrohet stuhi e kategorisë së pestë, më e fuqishmja e regjistruar në botë këtë vit.
Tajfuni Goni, është shoqëruar me erëra me mbi 215 kilometra në orë, pritet nesër t’i godasë Filipinet si stuhia më e fuqishme nga viti 2013, kur tajfuni Haijan i shkatërroi një pjesë të këtij shteti ishull dhe ua mori jetën mbi 6.300 personave.
Javën e kaluar 22 persona e humbën jetën nga Tajfuni Molavi, i cili i goditi dhe vërshoi rajonet në jug të kryeqytetit Manila, që sipas ekspertëve është në rrugën e tajfunit të fuqishëm Goni, stuhia tropikale e 18-të për këtë vit në Filipine.