Fatos RUSHITI
Shkup, 19 mars – Deri në fund të kësaj jave mund të nisin zyrtarisht bisedimet mes LSDM-së dhe partive shqiptare për të zgjeruar koalicionin qeveritar. Deri më tani vërehet se nga të gjitha partitë shqiptare Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin ka gjasa më reale të jetë pjesë e Qeverisë, shkruan gazeta KOHA. Por për t’u zgjeruar më shumë Koalicioni Qeveritar përveç Lëvizjes BESA me kryetar Afrim Gashin, edhe me partitë tjera si me Lëvizjen BESA të Bilall Kasamit, ASH-në e Ziadin Selës dhe PDSH-në e Menduh Thaçit, vështirë se do të pajtohet BDI të gjegjësisht të heq diçka nga kulaçi i saj qeveritar. Ajo që tashme është e sigurt se Qeveria do të zgjerohet siç e tha prerë kryeministri Zoran Zev ditë më parë. Nga qëndrimet partiake shihet se veç më kanë lëvizur gjërat në drejtim të nisjes së negociatave.
ZGJERIMI I KOALICIONI QEVERITAR, I DOMOSDOSHËM
Nga LSDM thonë se ka pasur negociata joformale me partitë shqiptare për ndarjen e kulaçit Qeveritar por që mohohet nga Lëvizja BESA, gjegjësisht nga të dy krahët e saj ai i Bilall Kasamit dhe Afrim Gashit si dhe nga Aleanca për shqiptarët. Megjithatë nga Lëvizja BESA pranojnë se ka pasur komunikime të pandërprera me funksionarë të lartë të LSDM-së por jo dhe të negociojnë pushtetin. Jo zyrtarisht për gazetën KOHA nga LSDM konfirmojmë se janë zhvilluar negociata me mes funksionarëve të lartë të kësaj partie dhe partive shqiptare por që ende nuk kanë arritur të ndërtojnë një ofertë politike.
”Ne jemi të hapur për të gjitha partitë shqiptare që të jenë pjese e Qeverisë. E dini se disa parti kanë disa problem mes vete por ne do të shohim disponimin e tyre për të qenë pjesë e Qeverisë. Mund të them se nga LSDM ka pa pasur negociata me partitë shqiptare por ende nuk kemi arritur të ndërtojmë një ofertë politike për ta”, thonë nga departamenti për informim i LSDM-së. Nga ky departament shtojnë së shumë shpejtë ditëve në vijim edhe zyrtarisht mund të nisin bisedimet për zgjerimin e Qeverisë me partitë tjera shqiptare ndërsa qëllimi është që sa më shumë të zgjerohet koalicioni qeveritar. Nga Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin thonë se me LSDM ka pasur komunikim të vazhdueshëm por që ende nuk ka arritur të konkretizohet. Nga kjo parti thonë se javën që vjen do të dalin gjëra në konkrete në drejtim të nisjes së bisedimeve për të qenë pjesë e Qeverisë. “Me LSDM-në kemi kontakte dhe komunikim te vazhdueshëm, por sa i përket përfshirjes së Lëvizjes BESA në qeveri ky komunikim ende nuk ka arritur të konkretizohet. Besoj që gjatë javës që vjen për opinionin do të ketë gjëra më konkrete në këtë drejtim”, thotë për gazetën KOHA zëdhënësi Orhan Murtezani. Ndërkaq nga Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamnin thonë se me funksionarë të LSDM-së kanë pasur komunikim por jo në nivel të negociatave për të qenë pjesë e Qeverisë. “Nëse do të kemi një ofertë konkrete do ta shqyrtojmë me seriozitet. Siç e ka thënë kryetari Kasami Lëvizja BESA në këtë rast do të shikojë interesin shqiptar nuk do të pranojë vetëm çka ti ofrohet nga LSDM. Realisht thënë zyrtarë të LSDM në biseda individuale kanë shprehu gatishmërinë për neve që të kontribuojmë në reformat që po bën Qeveria dhe i jemi mirënjohës por më shumë nuk ka pasur deri më tani rreth hyrjes në Qeveri”, thonë funksionarë të lartë të kësaj partie.
BDI-së NUK I NGUTET
Ndryshe nga BDI thonë se rreth zgjerimit të Qeverisë kryetarët e dy partive Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti kanë linja të drejtpërdrejta komunikimi por se si parti nuk nguten për këtë çështje. ” BDI veç më korri një sukses të madh me ligjin për shqipe dhe do të vazhdojë të realizojë programit e vetë politik në Qeveri. Ne jemi mirë, as nuk na ngutet as nuk na jepet”, thonë funksionarë të lartë të BDI-së. Nga ana tjetër Aleanca për Shqiptarët më shumë është e interesuar të mund BDI-në zgjedhje eventuale të parakohshme përmes një fronti të madh opozitar se sa të jetë pjesë e qeverisë. Flakron Bexheti nga ASH duke u thirru në atë se shumica parlamentare aktualisht është e paqëndrueshme për të realizuar agjendën reformuese ai flet për dy zgjidhje ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme ose të ketë zgjerim të plotë të shumicës parlamentare.
“ Ne si Aleancë për Shqiptarët, vlerësojmë se shumica parlamentare nuk është e qëndrueshme dhe e mjaftueshme për të sjellë ligje të favorshme për shtetin dhe integrimin e vendit ne BE. Ka dy zgjidhje si mund te rregullohet kjo: e para të shkohet në zgjedhje te parakohshme parlamentare, dhe e dyta të zgjerohet koalicioni qeverisës dhe shumica parlamentare. Aleanca për Shqiptarët ka vlerësuar se kjo shumicë parlamentare nuk e ka forcën e mjaftueshme politike për ti ecur proceset përpara. Vlerësojmë se partitë opozitare shqiptare duhet të jenë të koordinuara dhe te unifikuara për këtë çështje, dhe duhet të zgjedhin mes një fronti opozitar shqiptar dhe mes bllokut të pushtetit. Ne kemi deklaruar se jemi të gatshëm edhe për zgjedhje parlamentare se besojmë në forcën tone”, thotë Flakron Bexheti.
Sa i përket pjesëmarrjes në Qeveri Flakron Bexheti thotë se në konsultim me organet partiake dhe me miqtë ndërkombëtar do të marrin një qëndrim nëse do të kenë ftesë zyrtare. Por më e rëndësishme për ASH sipas Flakron Bexhetit është që të fitojë verdiktin e popullit shqiptar se sa pjesëmarrja në Qeveri.
“Sa i përket pjesëmarrjes sonë në qeveri të zgjeruar, e para s’kemi marrë një ftesë të tillë zyrtare, në qoftë se do kemi, sigurisht se ne konsultim me organet tona partiake dhe miqtë tonë ndërkombëtar do ta kishim marrë një qëndrim. Por ajo që është e rëndësishme për ne është ta fitojmë verdiktin e shqiptarëve dhe në Qeveri të jemi si fitues, vetëm në këtë mënyre do të artikulohej drejt zëri i shqiptarëve, si dhe kthimi i shpresës për një jetë të mirë, duke krijuar vërtetë kushte politike për funksionim e shtetit ligjor, drejtësisë, luftës ndaj korrupsionit, si dhe për të krijuar kushte politike për një barazi ekonomike-politike mes maqedonasve dhe shqiptarëve duke hapëruar se bashku ne BE dhe NATO”, theksoi për gazetën KOHA Flakron Bexheti nga Aleanca për shqiptarët.
Por për kthim në Qeveri lideri i ASH-së dy ditë më parë tha se në politikë asnjëhrë nuk ka jo . “Nuk besoj se do ketë shanse të kthehemi në qeveri, sepse punohet për ndershmëri. Por, në politikë nuk ekziston ajo ‘jo’, por nga ana tjetër në këto rrethana jo”, ka deklaruar Ziadin Sela për radion “Evropa e Lirë”. (koha.mk)