Ekspertët ekonomik thonë se zhurma e krijuar apo paralajmërimet se do të ketë masa për t’i ndihmuar ose nuk do të ketë, se marzhi apo çmimet do të ngrihen, se çmimet e lëndëve të para dhe të energjisë do të rriten…. po ndikojnë tek bizneset t’i inkorporojnë këto informacione dhe pritshmëritë në çmimet e tyre apo të rrisin ato, si dhe të përshtatin aktivitetet e tyre ekonomike me qëllim për të mbrojtur interesin e tyre si fitimin dhe mbijetesën e biznesit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 tetor – Qeveria pritet që javën e ardhshme të publikojë pakon e re të masave anti krizë të imponuar edhe nga kriza energjetike. Të mërkurën Këshilli Ekonomik qeveritar bëri të ditur se situata energjetike është stabile, ndërsa pas të hënës do të shpallen masat për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve dhe për biznesin. Në mbledhjen u diskutuan të gjitha opsionet për furnizimin me energji elektrike nga prodhimi vendor si dhe modalitetet për mbështetjen e ekonomisë dhe qytetarëve që kanë nevojë. Në takim kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se përmes Bankës Zhvillimore po ndërmerren masa për t’u ndihmuar kompanive, e cila do të sigurojë likuiditet për kompanitë dhe tejkalim më të lehtë të krizës në muajt në vijim. Sipas tij, ngrirja e marzhit po funksionon, por inputet, energjia dhe lëndët e para që po marrin prodhuesit e produkteve ushqimore bazë po i rrisin çmimet.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rritjen e çmimeve të ushqimeve, veçanërisht të ushqimeve bazë. Qeveria mori masat fillestare për ngrirjen e çmimeve, por duke qenë se jemi një ekonomi e hapur që ka shkëmbime tregtare me vendet e huaja, ngrirja për një kohë të gjatë nuk është e mundur. Do të shfaqen mangësi, prandaj ne kaluam, sikurse edhe vendet e tjera, në ngrirjen e marzheve, theksoi Kovaçevski.
Kryeministri tha se të gjithë pjesëmarrësit janë të vetëdijshëm se si do të ndikojë kriza energjetike në tërë ekonominë e vendit, përkatësisht ekonominë dhe qytetarët. “Javën e ardhshme Qeveria do të dalë me masa specifike të synuara për kategoritë më vulnerabël të qytetarëve dhe kompanive. Në të njëjtën kohë do të vazhdojë dialogu ekonomik dhe social me sindikatat për ta kaluar më lehtë krizën së bashku”, thotë Kovaçevski. Sipas ministrit të Financave, Fatmir Besimi, buxheti nuk do të ketë probleme me likuiditetin, edhe përkundër krizës ekonomike, ndërsa shton komuniteti i biznesit mund të jetë i qetë, por edhe i gatshëm për punë të përgjegjshme. Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë , kërkon zbatimin konsekuent të dispozitave të marrëveshjeve kolektive për harmonizimin e pagave sipas rritjes së inflacionit për të gjithë punëtorët.
LSM Kërkon gjithashtu ngrirjen e marzhit për produktet e përcaktuara deri më tani, por edhe zgjerimin e listës me më shumë produkteve ushqimore. Gjithashtu kërkohet edhe vendosja e masës së të së drejtës së kartës pagesore për blerjen e produkteve vendase dhe pagesën e faturave të energjisë elektrike për qytetarët më vulnerabël.“LSM kërkon që të mundësohet transporti falas për vajtje ardhje nga puna nga puna, duke marr parasysh se një shpenzim i tillë për qytetarët e punësuar është i përditshëm dhe i pashmangshëm dhe padyshim e rëndon buxhetin e brendshëm”, thotë kryetari LSM-së, Darko Dimovski. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve nga administrata, organet e drejtësisë etj , Trpe Dejanovski, thotë se kërkojnë propozime konkrete dhe të shikojnë metodologjinë specifike të shpallur nga Qeveria në muajt e kaluar. Sipas tij kjo është metodologjia për rritje të vazhdueshme të pagave në sektorin publik, në të cilën, ku ata nuk janë përfshirë deri më tani. “Presim që të dëgjojmë se nga një janari a do të ketë rritje të pagave, sepse nuk kishim harmonizim të pagave ma atë minimale. Njëherësh po kërkojmë edhe përshtatje minimale të pagave me rritjen e inflacionit, ku aq sa ka inflacion, duhet ë rriten të gjitha pagat në shtet, qoftë në sektorin privat apo dhe publik”, shton Dejanovski.
Lidhur me masat e reja anti krizë, ekspertët ekonomik thonë se ato në radhë të parë nevojitet të jenë të zbatueshme ndërsa shtojnë se masat mbështetëse që përpiqen të kufizojnë ose kontrollojnë tregjet dhe çmimet e ngrira në një afat më të gjatë zakonisht prodhojnë vetëm rezultate afatshkurtra, dhe shpesh të dobëta, ku presioni i akumuluar mbi bizneset dhe çmimet vetëm se do përshkallëzohet më tej në të ardhmen edhe pse me vonesë të caktuar.
Eksperti Borçe Trenovski thotë se nevojitet një shfrytëzim praktik i masave dhe realizim i tyre i shpejtë dhe i thjeshtë, që deri tani duhej të ishin shpallur. Sipas tij, çdo vonesë dhe interpretim i paqartë i masave do të shkaktojë pasiguri shtesë, panik, ndikim shtesë në çmime dhe do të ketë pasoja ekonomike që mund të intensifikohen në periudhën e ardhshme. “Sjellja e qytetarëve dhe bizneseve, varet nga pritshmëritë e tyre dhe nga informacionet që kanë. Çdo pasiguri, informacion i gabuar apo mungesë informacioni mund të ndikojë ndjeshëm në sjelljen e subjekteve ekonomike si më tej në efikasitetin e masave të planifikuara ekonomike. Andaj jo rrallë herë në të kaluarën në një numër të madh të rasteve në shumë ekonomi kemi qenë dëshmitarë se ndonjëherë mjafton vetëm shpallja e një mase të caktuar për të qetësuar tregjet dhe tronditjet valë valë në ekonomi”, shton Trenovski.
Ai vlerëson se nëse vendosemi në vendin e kompanive apo qytetarëve, nuk është e vështirë të konstatojmë se zhurma e krijuar e informacioneve apo paralajmërimeve se do të ketë masa për t’i ndihmuar ose nuk do të ketë, se marzhet apo çmimet do të ngrihen, se do të ketë masa të tjera, se çmimet e lëndëve të para dhe të energjisë do të rriten, ndoshta do të ofrojmë energji më të lirë, se do të jetë dimri më i vështirë dhe ndoshta do të ketë recesion, etj. E gjithë kjo ndikon së pari që bizneset ta inkorporojnë këto informacione dhe pritshmëritë në çmimet e tyre (apo të risin ato ) dhe të përshtatin aktiviteteve të tyre ekonomike me qëllim për të mbrojtur interesin e tyre si fitimin dhe mbijetesën e biznesit. Andaj thekson ai është e qartë se pse bizneset tek ne, se vjen e më shumë po inkorporojnë pritshmëritë e tyre në çmimet dhe politikat e ardhshme të çmimeve, ku për shembull për kundër uljes së ushqimeve në nivel global për pesë muaj me reshte, ne akoma jemi dëshmitarë të rritjes së çmimeve që dominon tregun vendor, që është rrjedhojë edhe e çmimeve më të larta të rrymës. Edhe qytetarët për përshtaten duke vepruar në bazë të mundësive të tyre materiale.
Sugjerohet edhe mbështetja e drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset më të cenueshme që është një mënyrë për të zbutur në mënyrë më efektive goditjet e çmimeve. Ai sugjeron në komunikim më të mirë lidhur edhe me masat që përgatiten për të ndihmuar biznesin dhe qytetarët më të prekur. Do të ishte mirë të konstatohen dhe shpallet një kalendar me plan të masave konkrete, me vendosjen e tyre graduale, apo edhe mundësinë që ato të modifikohen sipas nevojës, me afate konkrete të kohëzgjatjes, përfshirje të qartë të qytetarëve dhe bizneseve si dhe procedura të qarta të shfrytëzimit. Nevojitet të parashikohen edhe procedura më të thjeshta për shfrytëzimin e masave. Në fund, Trenovski vlerëson se duhet marrë parasysh edhe kapacitetet e kufizuara për të ofruar ndihmë.
Nga njëra anë, nevojitet një elaborim apo shpjegim i sinqertë dhe i hapur i kapaciteteve reale mbështetëse fiskale që kemi, duke paraqitur qartë edhe aktivitetet e planifikuara për mobilizimin e fondeve/të ardhurave publike shtesë që mund më tej të përdoren për mbështetje. Kapaciteti ynë aktual i shpallur operativ prej 70 deri në 80 milionë euro, krahasuar me paketat 10 deri në 20 herë më të mëdha të përgatitura nga disa nga fqinjët tanë të BE-së – përshkruan qartë mundësitë që kemi në dispozicion, konstaton Trenovski. Eksperiencat dhe masat e ndërmarra në këtë drejtim janë në disa fusha – ose ofroni mjete të targetuara financiare ose në mënyrë të targetuar lironi apo përjashtoni nga taksat qytetarët dhe bizneset dhe i subvenciononi ato. Disa nga masat që mund të ndërmerren, kuptohet edhe të kombinuara sipas mundësive tona fiskale, mund të shkojnë në drejtim të kuponëve për pensionistët dhe personat me të ardhura minimale për energjinë ose për blerjen e produkteve bazë, përjashtime nga taksat (të ardhura, TVSH. , etj.) . Për ata me të ardhurat më të ulëta, subvencionim apo ulje e targetuar e faturave të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset më të prekura, përfundon Trenevski. (koha.mk)