Në pritje të listës zyrtare, zbulohen dy futbollistët që kanë marrë ftesë nga Reja

37

Në pritje që trajneri Edi Reja të zbulojë zyrtarisht listën me futbollistët që do të grumbullojë për sfidat eliminatore të Botërorit Katar 2022 në fund të muajit, ka qenë klubi kroat i Lokomotivës së Zagrebit, që ka zbuluar dy prej emrave.

Bëhet fjalë për fantazistin Sherif Kallaku dhe mesfushorin Enis Çokaj, që të dy pjesë e klubit të Lokomotivës në kryeqytetin kroat, që kanë marrë ftesën për të qenë pjesë e Shqipërisë në sfidat e fund-muajit.

Klubi i Lokomotivës ka publikuar një foto me 4 futbollistë, të cilëve u ka mbërritur zyrtarisht ftesa nga përfaqësueset përkatëse dhe në të bëjnë pjesë edhe mesfushorët Kallaku e Çokaj, që janë grumbulluar edhe më herët nga trajneri Reja.

Shqipëria do të përballet me Andorrën më datën 25 mars, Anglinë me 28 dhe San Marinon më 31 mars, ndërsa trajneri Reja pritet të publikojë listën e të grumbulluarve gjatë javës së ardhshme.