“Ndezja e kontejnerëve është një nga dukuritë e cila më shumë i kushton ndërmarrjes sonë. Dëmet janë të mëdha, pasi brenda vitit rreth 80 kontejnerë përfshihen nga zjarri. Një kontejner i plastikës kushton 18 mijë denarë, ndërsa 80 kontejnerë të djegur është një shumë e madhe, e cila mbulohet me buxhet vetanak. Për këtë askush nuk është vënë përpara përgjegjësisë, kurse dëmin e pësojmë ne si ndërmarrje”, deklaroi Ceka
Urim HASIPI
Tetovë, 18 dhjetor – Komuna e Tetovës deri në fund të vitit pritet që të furnizojë Ndërmarrjen Publike Komunale Tetova-Tetova me një kamion special modern për grumbullim të mbeturinave në qytet dhe 150 kontejnerë të rinj. Ky donacion është nga ana e Komisionit Europian, konkretisht nga IPA fondet, shkruan gazeta KOHA.
“Republika e Maqedonisë fitoi mjetet grand nga Komisioni Europian në kornizë të IPA Fondit për investime rurale për rikonstruktim dhe zhvillim, konkretisht në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale dhe ka për qëllim që një pjesë e mjeteve të fituara nga kjo kredi, t’i shfrytëzojë për pagesën sipas kontratës së furnizimit të automjetit special për mbledhjen e mbeturinave, për nevojat e NPK dhe furnizimit të kontejnerëve për mbeturina”, qëndron në thirrjen publike të Komunës së Tetovës për furnizim me 150 kontejnerë dhe kamion special për grumbullimin e mbeturinave.
Nga ana tjetër, numri një i kësaj ndërmarrje, Xhelal Ceka, nënvizon edhe problemet që ka kjo ndërmarrje sidomos me makinerinë e vjetruar. “Problemet e ndërmarrjes janë makineritë, që janë tepër të amortizuara me defekte të mëdha. Zgjidhja e kësaj është vetëm investimi në makineri, sidomos të blihen kamionët që bartin mbeturinat nëpër qytet dhe cisternat për larje të rrugëve. Ne kemi dy kamionë, mirëpo janë tepër të vjetër dhe çdo ditë kemi defekte. Makineria momentale është e vjetër më shumë se 30 vite dhe mirëmbajtja e tyre kushton shumë. Kohëve të fundit kemi marrë edhe automjete të reja dhe jemi në pritje të marrin edhe një automjet tjetër që të përmirësojmë shërbimet në qytet”, deklaroi Ceka. Sa i përket kontejnerëve, ndërmarrja vite me radhë përballet me dukurinë e djegies së tyre dhe zëvendësimin e të njëjtave. Statistikat tregojnë se në Tetovë, në vit digjen dhe dëmtohen rreth 100 kontejnerë, të cilët jo vetëm që e dëmtojnë financiarisht ndërmarrjen, por edhe i japin një imazh të keq vetë qytetit. Nga ndërmarrja Publike Komunale Tetova Tetovë, nënvizojnë se djegia e kontejnerëve u kushton shumë pasi në disa pjesë të qytetit të Tetovës, janë vendosur kontejnerë plastike.
“Ndezja e kontejnerëve është një nga dukuritë e cila më shumë i kushton ndërmarrjes sonë. Dëmet janë të mëdha, pasi brenda vitit rreth 80 kontejnerë përfshihen nga zjarri. Një kontejner i plastikës kushton 18 mijë denarë, ndërsa 80 kontejnerë të djegur është një shumë e madhe, e cila mbulohet me buxhet vetanak. Për këtë askush nuk është vënë përpara përgjegjësisë, kurse dëmin e pësojmë ne si ndërmarrje”, deklaroi Ceka. Kjo dukuri ndodh vetëm gjatë orëve të natës kur të njëjtave u vihet zjarri nga persona të paidentifikuar deri më tash. Por edhe nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë theksojnë se kanë denoncime të shpeshta për ndezje të kontejnerëve. “Gjithsej kemi dhjetëra intervenime për ndezje të kontejnerëve gjatë gjithë vitit. Si pasojë e këtyre zjarreve, kemi dëm të konsiderueshëm material. Po ashtu kjo i ndihmon në masë të madhe edhe ndotjes në Tetovë, sepse nëpër kontejnerë digjet material i ndryshëm”, tha Uka Aliti, kryeshef i Njësisë së zjarrfikësve të Tetovës. Policia e Tetovës ka theksuar se ka raste të këtilla të denoncimit, por deri më tash nuk ka identifikuar kryerësit e këtyre veprave. Kjo dukuri e shëmtuar dhe e papërgjegjshme vijon të jetë e pranishme edhe në këtë periudhë të ftohtë të dimrit. (koha.mk)