Informatat e fundit janë se Ligji është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe sipas Hoxhës, pritet që së shpejti këto dy ligjet t’i dërgohen Qeverisë për miratim
Zejnulla VESELI
Shkup, 24 prill – Inspektorati dhe Agjencia për mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhës shqipe janë dy institucione që dalin nga ligji për përdorimin e gjuhëve dhe të njëjtit shumë shpejt do të fillojnë me funksionim e plotë të tyre. Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Muhamet Hoxha, Qeveria e Republikës së Maqedoni së Veriut me vendim të veçantë ka obliguar Ministrinë e Drejtësisë të përgatis Propozim-ligjin për inspektoratin. Informatat e fundit janë se Ligji është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe sipas Hoxhës, pritet që së shpejti këto dy ligjet t’i dërgohen Qeverisë për miratim, shkruan gazeta KOHA.
“Pasi Qeveria në njërën nga seancat e radhës do të miratoj Ligjin për Inspektoratin, i njëjti do t’i dorëzohet Parlamentit për miratim. Me fillim e punës të këtyre dy institucioneve për mbikëqyrjen e përdorimit të gjuhës shqipe, dukshëm do të ketë efekte pozitive që në të ardhmen mos të kemi gabime gjuhësore në mbishkrimet në institucionet e pushtetit qendror dhe atij lokal”, tha Hoxha. Ai informoi se në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u shqyrtua dhe u miratua Informacioni për rritjen e pjesëmarrjes së shteteve anëtare në buxhetin e Fondit të Ballkanit Perëndimor, në funksionin e realizimit të aktiviteteve programore dhe solli konkluzion të obligojë Ministrinë e Punëve të Jashtme në kuadër të koordinimit të saj me Fondin e Ballkanit Perëndimor të konfirmojë gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke filluar nga viti 2019, për arkëtimin e kontributeve vjetore ndaj buxhetit në Fondin për Ballkanin Perëndimor, të përcaktuara me vlerë prej 60.000 mijë eurosh.
Gjithashtu, Hoxha njoftoi se në seancën e fundit Qeveria nxori vendim për themelimin e Komisionit për zbatimin e procedurës për projektin e partneritetit publiko- privat për ndërtimin e sistemit të ri për shpërndarjen e gazit natyror në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Komisioni synon të zbatojë procedurën e plotë për vendosjen e partneritetit publiko-privat për ndërtimin e sistemit të ri për financimin, projektimin, ndërtimin, menaxhimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet ankandit publik për përzgjedhjen e partnerit publik me procedurë të dialogut konkurrues me ankand, përkatësisht të hartojë shpalljen publike, dokumentacionin e tenderit, përfshirë edhe draftin e marrëveshjes dhe të hartojë raport për vlerësimin e ofertave, si dhe Qeverisë t’i dorëzojë propozim për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për zgjedhjen e partneritet publik për financim, projektim, ndërtim, menaxhim, mirëmbajtje dhe zhvillim të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në Republikën e Maqedonisë së Veriut ose propozim për asgjësimin e procedurës”, tha Muhamet Hoxha zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)