“Në Prishtinë erdha me kënaqësi, Abazoviç prioritizoi vizitat në Beograd”

Ishte vizita e parë në Kosovë e një pjesëtari të qeverisë aktuale (tashmë në mandat teknik) të Malit të Zi, kryeministër i së cilës është Dritan Abazoviç, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ministri malazez i mbrojtjes, njëherit zv/kryeministër i parë, Rashko Konjeviç, në Prishtinë konfirmoi se shteti i tij të do t’i dalë në ndihmë Kosovës në aspiratat e saj të integrimeve rajonale dhe evropiane.

Në Prishtinë ai u prit nga homologu kosovar i tij, Armend Mehaj, me të cilin konkluduan një memorandum bashkëpunimi bilateral në fushën e sigurisë.

Advertisements

“Ishte me kënaqësi që erdha në vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, i udhëzuar nga politikat disa-dekadëshe të Malit të Zi, e cila gjithmonë i ka vendosur në rend të parë marrëdhëniet e mira fqinjësore”, tha Rashko Konjeviç për gazetën online Reporteri.net.

Konjeviç i tha gazetës sonë se ndjehet keq për “ndërprerjen dy-vjeçare” të vizitave të qeveritarëve malazezë në Kosovë. Vizita e tij në Prishtinë, Konjeviç shpreson të ketë qenë shtysë për zyrtarët e tjerë malazezë.

“Më vjen keq që në këto 14 vite të marrëdhënieve tejet të mira bilaterale mes Malit të Zi dhe Kosovës, kemi pasur 2 vite ndërprerje në vizitat e zyrtarëve qeveritarë malazezë. Shpresoj që vizita ime në nivelin e Zëvendës Kryeministrit do të jetë një nxitje shtesë ndaj zyrtarëve në ekzekutiv që t’u kushtojnë më shumë vëmendje asaj se si i planifikojnë aktivitetet ndërkombëtare dhe vizitat”, tha zv/kryeministri malazez.

Abazoviç, zgjedhja e të cilit kryeministër u brohorit në Prishtinë si një kryeministër i tretë shqiptar, megjithatë nuk shkeli këmbë në Kosovë – ndonëse në Beograd ishte dy herë. Njëherë në vizitë shtetërore, tjetrën herë për të provuar verërat në kuadër të Open Balkan.

“Nuk e di pse Kryeministri Abazoviç ka prioritizuar vizitat në Beograd dhe nuk i ka ekuilibruar bashkëpunimet rajonale”, thotë i dy i ekzekutivit malazez, Rashko Konjeviç për Reporteri.net.

“Për këtë, dhe për datën eventuale të vizitës së tij, duhet ta pyesni atë”, thotë zv/kryeministri.

Megjithëkëtë, Abazoviç është tashmë në mandatin teknik dhe mund të mos ta ketë gjatë qëndrimin e tij në pozitën e shefit të qeverisë. Kjo pasi ai pësoi votë mosbesimi në Parlamentin e Malit të Zi. Siç argumentuan rrëzuesit e tij, Abazoviç hoqi dorë nga ajo për çfarë iu dha besimi të qeveris – përshpejtimi i proceseve integrative evropiane.

“Gjithashtu, ndjehem keq që Mali i Zi nuk e përdori shansin për të përshpejtuar integrimin evropian të saj, e që Kryeministri [Dritan Abazoviç] i dha prioritet zgjidhjeve të marrëdhënieve me Kishën Ortodokse Serbe, në dëm të Malit të Zi”, tha Konjeviç.

Një tjetër therrë potenciale në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi, mund të jetë rigrupimi i shumicës së vjetër parlamentare (e dalë nga zgjedhjet e 20 gushtit 2020), e cila konsiston në blloqe të partive pro-serbe.

Partia veçanërisht problematike është Fronti Demokratik (DF), parti kjo kundër proceseve evropiane, kundër NATO-s, por edhe me shprehje të theksuar të qëndrimeve kundër Kosovës të qënit shtet i pavarur. ShBA dhe BE, në mënyrë eksplicite, janë shprehur se nuk e shohin për partner DF-në.

Reporteri.net e ka pyetur zv/kryeministrin malazez, Rashko Konjeviç, për potencialitetin e ndonjë rënie të marrëdhënieve në rastin e këtij rigrupimi politik në levat e pushtetit malazez.

“Në lidhje me mundësinë e formimit të një qeverie me mazhorancën e vjetër, do të them vetëm se në këtë rast do të kishim një qeveri pro-ruse dhe konstituentësh të saj, në një shtet që është anëtar i plotë i NATO-s”, tha Konjeviç.

“Malit të Zi nuk i duhet një qeveri kukull ruse”, thotë zv/kryeministri Rashko Konjeviç, “por një qeveri qartësisht pro-evropiane”.

“[Një qeveri] e cila do të dëshmonte këtë përcaktueshmëri me vepra konkrete”, përfundon Rashko Konjeviç.

Mazhoranca e vjetër thotë se kanë arritur marrëveshje mes vete që të rikthehen në pushtet, pasi Dritan Abazoviç u rrëzua nga pushteti, shkruan Reporteri.

Marrëveshje e ashtuquajtur Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe, u nënshkrua nga Abazoviç pavarësisht kundërshtimeve nga partitë sovraniste malazeze, dhe të qënit në dijeni se do të rrëzohej në momentin që do ta nënshkruante atë.