Prishtinë, 19 tetor – Në natën e katërt të sotme të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017” (PITF 2017), në AAB Teatrin ‘Faruk Begolli” do të jepet shfaqja “Speak Medea”, me ekipin e tij nga Irani, nën regji të Mehdi Sheikhvand, ku luajnë aktorët: Clara Corona, Darya Nazari, Fatemeh Abrishami Movahed dhe Vida Gharagozlou. Në konferencën sotme për media, drejtoresha artistike e PITF 2017, Burbuqe Berisha, tha se pjesëmarrja e kësaj shfaqje në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017”, tregon seriozitetin e këtij festivali me shfaqje edhe nga Irani. Ndërsa aktorja e shfaqjes “Speak Medea”, Clara Corona e cila jeton në Iran, ndërsa është me prejardhje nga Italia, për realizimin e kësaj shfaqje thotë se kanë pasur vështirësi të shumta, por që është shumë e kënaqur me suksesin që ka arritur, duke u prezantuar edhe në festivale nëpër vende të ndryshme të botës. Sa i përket Kosovës, ajo thotë se në Iran nuk kanë pasur aq informacione për këtë vend, mirëpo, shprehet ajo, me të ardhur këtu, ka fituar përshtypjen se në njerëzit këtu e duan shumë teatrin dhe artin në përgjithësi. “Përshtypjet e mija të para, pasi kam ardhur këtu, janë shumë pozitive për këtë vend”, shprehet Corona. Ajo për gazetarët zbuloi edhe detaje të shfaqjes duke u treguar për karakterin e personazhit të cilën ajo luan, pra rolin e Madeas. “Ky version i Medeas është shumë më ndryshe, pasi që vjen nga një pikëpamje feminste”. Edhe regjisori i shfaqjes, Mehdi Sheikhvand, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në këtë konferencë për media lidhur me këtë shfaqje. Ai tha se kjo shfaqje tregon karakterin e një gruaje e cila vuan nga keqtrajtimi dhe se nuk e prezanton vetëm gruan iraniane, por të gjitha gratë e botës.