Federata e Fermerëve të Maqedonisë kërkon që çmimi minimal blerës i grurit të jetë 12 denarë për kilogram, ndërsa marrëveshjet me shkrim lidhur me çmimin dhe afatet, të kontraktohen para vetë korrjes. Kërkohet gjithashtu që shteti të realizojë grumbullim intervenues të grurit para 1 korrikut. Sivjet, pas një pranvere plotë me shi, pritet të ketë rendimente të grurit prej së paku 200 mijë tonë që do të krijojë edhe tepricë në treg
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 qershor – Disa javë para korrjes së grurit, ende mbetet i paqartë çmimi grumbullues i kësaj kulture të rëndësishme bujqësore. Bujqit vlerësojnë se çmimi i grurit duhet të jetë së paku 12 denarë për kilogram, ndërsa presin që edhe shteti të inkuadrohet përmes rezervave shtetërore në grumbullimin e grurit, shkruan gazeta KOHA.
Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë kërkojnë që çmimi minimal blerës i grurit të jetë 12 denarë për kilogram, ndërsa marrëveshjet me shkrim lidhur me çmimin dhe afatet të kontraktohen para vetë korrjes, sipas Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural. Gjithashtu kërkohet që shteti të realizojë grumbullim intervenues të grurit para një korrikut , kur edhe fillon korrja.
MIELLI NGA SERBIA KRIJON PROBLEME
Nga ana tjetër, mullisët thonë se nëse mbetet rregullorja e tanishme që ju konvenon eksportuesve serb të miellit, ato sivjet nuk do të blejnë grurin nga korrjet e begatshme të këtij viti, ose do të blejnë vetëm sipas nevojave dhe çmimit të tregut. Mullisët thonë se grumbullimi i grurit vendor vështirësohet për shkak se në Maqedoni po hyn mjaft miell nga Serbia dhe po krijohen rezerva të mëdha. Gjithashtu ata nuk mund të sigurojnë mjete për grumbullim dhe të jenë konkurrues me çmimin e tyre grumbullues të lëndës së parë, nuk mund të krijojnë vlerë të shtuar që do të mbulojë harxhimet dhe të ofrojnë çmim konkurrues në raport me miellin serb.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se me ligj do të publikojnë atë që e kanë obligim ta ndjekin përmes sistemit unik informativ të tregut.
“Ne jemi kompetent të ndjekim çmimin prodhues të të gjithë prodhimeve bujqësore, që ua kumtuam edhe grumbulluesve, edhe prodhuesve, që ka hasur në pëlqimin e tyre. Kur do të kemi nga sistemi të gjitha përllogaritjet, do të shpallim edhe çmimin prodhues”, theksoi ditë më parë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski. Sipas tij, në periudhën e ardhshme, nëse ka nevojë në bashkëpunim me prodhuesit dhe mullistët, do të miratohen edhe masa të tjera shtesë.
RRITJA E RENDIMENTEVE, UL ÇMIMET E MIELLIT NGA IMPORTI
Në ndërkohë , bujqit thonë se masat me të cilat në vitet e kaluara subvencionohej magazinimi i grurit nëpër silose, nuk janë adekuat dhe nuk ka sjellë më shumë efekte, për shkak se në një vit kur kemi rendimente të bollshme të grurit në shtet dhe rajon, priten edhe çmime më të ulëta nga shtetet prej ku importojmë miell të lirë. Tani mbetet që në takimet e radhës që të kërkohet kompromisi i mundshëm pasi mullisët u deklaruan se nëse mbetet rregullorja e tanishme që ju konvenon eksportuesve serb të miellit, ato sivjet nuk do të blejnë grurin nga korrjet e begatshme të këtij vit, ose do të blejnë sipas nevojave dhe çmimit të tregut. Mullisët kërkojnë të mbetet në fuqi rregullorja për banderolat gjatë importit të miellit, ndërsa të njëjtat të ngjiten në Maqedoni, të regjistrohen tregtarët, të magazinohet malli, të analizohet cilësia dhe tek më vonë që malli të lëshohet në qarkullim.
Sivjet pas një pranvere plote me shi pritet që të ketë rendimente të grurit prej së paku 200 mijë tonë që do të krijojë edhe tepricë në treg. Sipas Federatës së Fermerëve të Maqedonisë brengos lajmi se mullisët nuk do të realizojnë grumbullimin e grurit, nëse nuk kthehet rregullorja e vjetër e banderollave për miellin importues. Fermerët vlerësojnë se kjo mund të jetë një manipulim i mundshëm, që sërish të grumbullohet gruri me çmime më të ulëta, ngjashëm si në vitet e kaluara kur çmimi grumbullues lëvizte prej 7 deri 10 denarë për kilogram, ndërsa çmimi prodhues rritet dhe lëviz prej 9-12 denarë për kilogram.
Ndryshe, para dy vitesh shteti intervenoi me 6000 denarë për hektar, apo dy denarë shtesë subvencion për kilogram për bujqit që kanë paraqitur prodhimin, si mbështetje për prodhimtari të qëndrueshme dhe për mbjellje edhe në vitin e ardhshëm . Kjo ishte një nga masat me të cilat shteti ndihmoi që fermerët të fitojnë së paku 11 denarë për kilogram të grurit të bukës,pas paralajmërimit të mullisëve në vitin 2016 se do të grumbullojnë çmimin me më së shumti tetë denarë për një kilogram. (koha.mk)