Nga njëra anë janë vendbanimet shqiptare si: Çairi, Haraçina, Studeniçani etj. dhe nga ana tjetër vendbanimet maqedonase në anën tjetër të Vardarit. Të parat iu ngjanë vendbanimeve afrikane dhe të dytat atyre të Europës Perëndimore. Viset pa investime si ato shqiptare zakonisht janë të varfra, me norma të larta të papunësisë (gati çdo i treti i pa punë në moshën e punës)
Nga Petrit POLLOZHANI
Investimet janë faktor vendimtar i zhvillimit ekonomik të një vendi ose rajoni. Investime më të larta, si rrjedhojë e zhvillimit të përshpejtuar ekonomik, rezultojnë me përmirësimin e kushteve jetësore (si në shëndetësi, arsim, infrastrukturë rrugore, biznes, kulturë dhe sfera të tjera të jetës) dhe anasjelltas. Niveli i investimeve nëpër sektorët e ekonomisë prezanton strukturën e formuar ekonomike (modelin e zhvillimit) në një shtet dhe shpërndarja e tyre nëpër rajone prezanton barazinë (pabarazinë) midis etniteteve. Nga të dhënat e tabelës së mëposhtme mund të vërejmë se Maqedonia e Veriut ka strukturë depresionuese ekonomike (model ekstensiv të zhvillimit) dhe diferenca të theksuara midis rajoneve.
Siç mund të vërejmë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2016 më shumë investime për frymë banori ka pasur në sektorin e ndërtimtarisë (423 €) dhe më pak në atë të bujqësisë (28 €). Edhe pse Maqedonia e Veriut në pjesën më të madhe të territorit ka klimë të përshtatshme për prodhime bujqësore, drithëra, pemë, perime etj., investimet simbolike e kanë lënë atë sektorin më depresionues. Investimet në sistemin e ujitjes, rregullimi i rrjedhave të lumenjve, si dhe avancimet teknologjike në përpunimin e pemëve dhe perimeve, vlerësoj se duhet të jenë prioritete në strategjinë e zhvillimit.
Sektori i xehetarisë, energjetikës dhe industrisë përpunues është sektori i dytë me më shumë investime në mjetet themelore (242 € për frymë banori). Industria përpunuese mund të jetë sektor propulziv, i cili mund të shpejtojë dinamikën e zhvillimit ekonomik, por ai në Maqedoninë e Veriut është kryesisht i industrisë së lehtë dhe me ngecje serioze teknologjike. Vlerësoj se investimet në industrinë përpunuese duhet të orientohen në specializime të tilla, në të cilat ekonomitë e fuqishme nuk kanë interes të investojnë. P.sh., Danimarka është një shtet i vogël me 5 milion banorë dhe me investimet e shtuara në lojërat e fëmijëve “Lego” dhe gjalpin kanë stabilizuar ekonominë dhe kanë rritur standardin e popullsisë. Ose, Koreja e Jugut është shtet i cili krahas industrisë së lehtë zhvilloi dhe atë të rëndë. Dija si faktor kualitativ i rritjes fitoi prioritet në strategjinë e zhvillimit ekonomik Korean. Investimet në mjetet themelore në Maqedoninë e Veriut në sektorin e industrisë përpunues prezantohet së bashku me xeheroret. Minierat e eksploatuara shiten si lëndë të para ose gjysmëfabrikate, për të rrit të ardhurat dhe për të qenë bartës të zhvillimit ato duhet të rrisin shkallën e përpunimit.
Nëse Investimet në mjetet themelore i vështrojmë nëpër rajone, do të vërejmë se ato kryesisht përcjellin strukturën e ekonomisë kombëtare dhe shprehin shkallë të lartë pabarazie. Në viset shqiptare, investimet për frymë banori janë simbolike. Në Rajonin e Pollogut në vitin 2016 është investuar vetëm 342 € për frymë banori ose mbi 3 herë më pak nga mesatarja e vendit (1.162 €) apo afër 6 herë më pak se Rajoni i Shkupit (1.951€). Nga Rajoni i Pollogut më pak është investuar vetëm në Rajonin veri-lindor (229 € për frymë). Nga investimet e përgjithshme, në Rajonin e Pollogut ndërtimtaria përfshin afër gjysmën e investimeve (164 €) mandej vjen tregtia me 69 € për frymë banori. Shpërndarja e tillë e investimeve nëpër sektorë ekonomik shpreh strukturën ekonomike më depresionuese nga ajo e rrafshit kombëtar. Strukturë depresionuese ekonomike ka dhe Rajoni jug-perëndimor në të cilin ndërtimtaria përfshin 80 % të investimeve. Investimet për frymë banori (1072 €) në këtë rajon në vitin 2016 ishin përafërsisht sa mesatarja e vendit (1.162 €). Duhet theksuar se sa u përket investimeve ka diferenca të theksuara midis qyteteve apo vendbanimeve brenda vet rajonit. Ashtu p.sh., Struga dhe Dibra si vise me popullsi shumicë shqiptare, të cilat bëjnë pjesë në Rajonin jug-perëndimor kanë investime shumë më të vogla nga Ohri dhe për pasojë kanë rrjet infrastrukturor shumë më të dobët. Spitalet janë në gjendje katastrofale, shumë shkollat janë në gjendje të mjerueshme, infrastruktura rrugore me shumë probleme, shumë vendbanime rurale pa ujë të mjaftueshëm për pije, si dhe shumë probleme tjera.
Në Rajonin e Shkupit në vitin 2016 investimet në mjetet themelore për frymë banori ishin për 1.7 herë (1.951€) më të larta nga mesatarja e vendit (1.162 €). Sa u përket sektorëve më shumë është investuar në ndërtimtari (509 €) dhe më pak në bujqësi (4 € për frymë banori). Sektori i dytë në të cilën është investuar më shumë është ai veprimtarive tjera (informata, komunikimi, arti, rekreacioni) në të cilët është investuar 414 € për frymë banori. Duhet theksuar se në Rajonin e Pollogut dhe atë jug-perëndimor investimet për art, rekreacion dhe shërbime të tjera janë zero. Nga ajo që u cek më lartë, mund të vërejmë se struktura ekonomike në Rajonin e Shkupit është drejtpeshuese krahasuar me mesataren e vendit dhe atë të rajoneve tjera. Edhe brenda Rajonit të Shkupit dallimet midis vendbanimeve janë të theksuara. Nga njëra anë janë vendbanimet shqiptare si: Çairi, Haraçina, Studeniçani etj. dhe nga ana tjetër vendbanimet maqedonase në anën tjetër të Vardarit. Të parat iu ngjanë vendbanimeve afrikane dhe të dytat atyre të Europës Perëndimore. Viset pa investime si ato shqiptare zakonisht janë të varfra, me norma të larta të papunësisë (gati çdo i treti i pa punë në moshën e punës) dhe për pasojë janë qendra të fuqishme migruese, prandaj partitë politike shqiptare duhet të kenë konsensus sa i përket zhvillimit të balancuar rajonal. (koha.mk)