Xheladin MURATI
Përpjekja e partive shqiptare, sado pompoze që është nuk është e suksesshme nëse ajo nuk verifikohet ne praktike. E kam fjalën për statusin e gjuhës shqipe në shoqërinë tonë shumë të përfolur dhe të pritur ndryshimet zyrtarizmin e saj në nivel shteti. Qeveria Zaev e beri, futi ndryshime për avansimin e shqipes dhe zgjerimin e sferave të përdorimit të saj. Por kjo nuk është ajo që pritej mbase nga premtimet shqiptare dhe zgjidhjet e ofruara ka dallime të mëdha. Është mire që partitë shqiptare kënaqen me këto avancime se përndryshe duhet ta lëshojnë Qeverinë mbase aty mungojnë shumë gjëra, shumë pika dhe presje nga propozimi i tyre.
Thjesht gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare dhe nuk zyrtarizohet siç pretendojnë partitë shqiptare sepse ajo as ne Kushtetute e as në ligj nuk figuron gjuhë shqipe, por gjuhë e 20 përqindëshit. Prandaj Ligji nuk ka ndonjë efekt të veçantë befasues dhe nuk është për faleminderit sepse gjuha shqipe nuk ka status të mirëfillte te përdorimit brenda dhe nuk diskutohet për përdorim në marrëdhënie me jashtë.
Zyrtarizimi i gjuhës shqipe në programet e partive politike shqiptare dhe në platformën e tyre të përbashkët, shumë të mirëpritur, është shtylla themelore që i bashkoi shqiptarët. Gjuha është arma më e fuqishme dhe nuk guxon të harrohet dhe të anashkalohet. Por sa më shumë që kalon koha, qëndrimi për te po zbehet, po zbehet se ajo nuk zyrtarizohet në kuptimin domethënës së saj, por, siç thuhet do të ketë avancim. Kjo nuk është ajo që pritej dhe ajo që u promovua. Dhe ky është mashtrimi që bën qeveria Zaev dhe mashtrimi që Zaev bashkë me liderët e partive shqiptare mashtrojnë shqiptarët. Përndryshe mbetemi te gënjeshtrat. Dhe me të drejtë është thënë: “Sa më e madhe gënjeshtra, aq me shume besohet ajo” (Joseph Gaebbels).
Padyshim që Zaev ka pasur një plan sistematik dhe qëllimi ishte të merren shqiptarët për të formuar shumicën e nevojshme parlamentare për funksionim të qeverisë. Madje ai demonstron strategji për t’i trajtuar kërkesat shqiptare në atë mënyrë që të realizoj kërkesat e tij. Kësisoi politika shqiptare humbet thellë në misteret e qeverisë. Them mistere mbase qeveria përbëhet nga forca të ndara ku nuk mund të reflektohet bindshëm forca shqiptare. Funksioni i saj ndërlidhet me forca centrifugale dhe centripetale. Megjithatë është koha e duhur që të ndërmerrni hapa më të guximshëm. Rezultatet më të mira do të arrini pikërisht përmes unifikimit të forcës politike shqiptare.
Unë e quaj sadizëm, sepse qasjet që përdor Zaev janë përtej nevojave shqiptare. Jo se ai përdorën mjete për të poshtëruar e zhvlerësuar shqiptarët dhe koalicionimin e tyre (siç bënte LKM-ja e dikurshme, trashëgimtare e së cilës është LSDM-ja e sotme), por gjërat nuk funksionojnë si duhet, edhe nëse funksionojnë ajo bëhet në baza familjare e partiake. Zyrtarizimi i gjuhës është i kufizuar me Kushtetutë. Pa ndryshimin dhe plotësimin e saj gjuha shqipe mbetet e mangët në zyrtarizimin e saj, ajo mbetet edhe më tej gjuhë e 20 përqindëshit. Në Maqedoni ekziston një masë e madhe e popullit shqiptar që e urren shtetin bashkë me pushtetin dhe kjo është si pasojë e atij ekuacioni të pazgjidhur të çështjeve shqiptare nga e gjithë elita politike. Gjithsesi, Qeveria është e rëndësishme pasi mund të identifikohen problemet e shqiptarëve dhe aty hidhen hapat për zhvillimin e mëtejshëm.
Shqiptarët nëpërmes partive që i votuan duhet të tregohen edhe më të vendosur, më syçelë dhe vigjilent për sa i përket realizimit të problemeve kombëtare dhe kërkesave. Shqiptarët duhet ta prekin ndryshimin real me Qeverinë socialdemokrate. Tanimë është koha që në Qeveri të punojnë së bashku shqiptarët, programet e tyre ti unifikojnë dhe bashkërendisin ashtu siç u ka hije atyre. Të nxisin projekte e të planifikojnë zhvillim ashtu siç premtuan.
Kompromisi i dëshiruar brenda shqiptar është interes madhor që duhet t’u imponohet partnerit maqedonas. Sado që ky proces nuk është në rrugë të mbarë, divergjencat do ta pengojnë kompromisin e dëshiruar. Arritja e një kompromisi të tillë konsiderohet shumë i vështirë për shkak të qëndrimeve refuzuese. Kjo u dëshmua në dy raste: së pari, në miratimin e Deklaratës së përbashkët shqiptare, dhe , e dyta në pjesëmarrjen në Qeveri. Por megjithatë ai është i domosdoshëm. Që të arrihen objektivat e marrëveshjeve duhet kompromis. Por, “çdo kompromis për të drejtat fondmentale është tradhti” (Gandi)
Partitë shqiptare, liderët e tyre, deputetët dhe ministrat kanë nevojë për integrim mendor që të mund të artikulojnë interesat dhe kërkesat shqiptare në Qeveri e Parlament. Kërkohen vendimmarrje konkrete, të cilat nuk do të tingëllojnë as fraza patriotike e as parulla demagogjike. Kjo mbase shqiptarët nuk shkuan duarbosh në Qeverinë Zaev, por patën një thes të plot me kërkesa që nuk bën të anashkalohen. Ai thes ishte ëndrra optimiste për të arritur pikat e platformës. Dhe kjo është zbeh. Sepse ndryshimi i prioriteteve ndikoi thellësisht nga vullneti i politikëbërësve për të zbatuar qëllime të tjera. Në politikë asgjë nuk është ashtu siç flitet, ajo është argëtim dhe informacion. Po e përmbyll me një thënie shumë domethënëse “E vërteta është armiku më i madh i shtetit” (Joseph Gaebbels).