Shkup, 3 dhjetor – Në poliklinikën e Shuto Orizares nga java e ardhshme do të fillojë të punojë pika për testim me teste të shpejta antigjene për koronavirus. Mjekët amë do të mund të caktojnë termin për testim nga e hëna. Nga e mërkura do të fillojë testimi dhe do të zhvillohet çdo ditë nga e hëna deri të premten në turnin e parë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Nëpër pika do të përpunohen nga 30 teste në ditë, ndërsa testimin do ta bëjë një laborant, i cili kaloi trajnim përkatës për marrjen e strishove për teste të shpejta. Në Shkup deri tani ka pasur gjashtë pika për teste të shpejta edhe atë në poliklinikat në Gjorçe Petrov, Çair, Çento, Bit Pazar, Jane Sandanski dhe Mlin Ballkan. Në këto pika në ditë bëhen nga 360 teste”, kumtojnë nga Ministria,
Testimi për test të shpejtë mund të caktohet vetëm nga mjeku amë edhe atë nëse pacienti e plotëson algoritmin, gjegjësisht ka simptoma të virusit Kovid-19, jo më shumë se pesë dit.
“Algoritmi për testim të shpejtë është nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërsa mjeku amë pas marrjes së anamnezës të pacientit vendos nëse ai do të testohet me PCR test apo me test të shpejtë antigjene. Testet e shpejta janë falas për qytetarët”, potencojnë nga Ministria.