Shkup, 29 janar – Përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot e vizituan Poliklinikën e Çairit dhe u takuan me drejtorin e Shtëpisë së shëndetit – Shkup, Besim Koka, transmeton gazeta KOHA.
Siç kumtoi Shtëpia e shëndetit – Shkup, në pjesën e nivelit sekondar-specialistik të dhënies së mbrojtjes shëndetësore, qëllimi i IPSH Shtëpia e shëndetit Shkup është afrim i shërbimit shëndetësor sipas vendbanimit, ndjekja e rrugës së pacientit nga niveli primar, sekondar dhe tercial me qëllim të uljes së ngarkesës së nivelit tercial. Prioritet kryesor në shërbimet specialiste, siç ceket, është marrja e shërbimit të shpejtë dhe të vazhdueshëm shëndetësor.
“Në Poliklinikën e Çairit në vitin 2019 në shërbimet specialiste janë kryer gjithsej 30.079 kontrolle. Poliklinika është e pajisur me aparaturë bashkëkohore mjekësore. Në të punojnë specialistë të fushave të ndryshme, janë bërë investime të mëdha me ndërhyrje rinovimi, në mënyrë të plotë është rinovuar dhe pajisur pika për vaksinim për shfrytëzuesit më të vegjël dhe janë vendosur metoda dhe procedura të reja për herë të parë në nivel të shtëpisë. Në atë pjesë nevojitet menaxhim i vazhdueshëm dhe avancim i cilësisë, që do të thotë se ndjekja e teknologjisë bashkëkohore mjekësore dhe furnizimi i pajisjes bashkëkohore mjekësore është e domosdoshme”, thuhet në kumtesën e IPSH Shtëpia e shëndetit – Shkup.
Nga atje informojnë se për herë të parë në nivel të shtëpisë, funksionon kabineti për rezonancë magnetike. Prej korrikut të vitit 2018 deri më sot janë bërë 3.905 incizime në aparatin për rezonancë magnetike.
Nga IPSH Shtëpia e shëndetit – Shkup theksojnë se furnizimi i aparateve digjitale të rentgenit është kryer me mjete vetanake të institucionit. Në këtë mënyrë, siç ceket, me pajisjen komplete të shërbimeve, benefiti është edhe për pacientët si shfrytëzues të shërbimeve edhe për ne si ofrues të shërbimeve. (koha.mk)