Kthjelltësia e Podgoricës dhe Shkupit për të akseptuar drejt rikonfigurimet gjeopolitike, duke integruar në kulturën e vendimmarrjes shtetërore një frymë të re, i bën këto dy shtete kulla të reja vrojtimi ku kandilat e vjetër të mendësisë proruse zëvendësohen me reflektorë të fuqishëm të NATO-s dhe BE-së
Nga Emin AZEMI
Milo Gjukanoviq nuk po heq dorë nga ideja për riorganizimin fetar në shtetin e tij, duke e ngritur në një shkallë autonomie të plotë Kishën Ortodokse Malazeze dhe shkëputjen e kontinuitetit nga Kisha Ortodokse Serbe. Protestat kundër kësaj ideje kanë vulë serbe, por ato do të dalin të kota pasi që Mali i Zi vendosmërisht po e ndjek diellin andej nga perëndon….
Autoqefaliteti kishtar e bën Malin e Zi një vend më afër Perëndimit dhe e largon nga prehri i ftohtë i stepave ruse, me filialet e saj edhe në Serbi. Milo Gjukanoviq, po tregohet se i ka përvetësuar bukur mirë rregullat e reja të gjeopolitikës dhe si duket nga Tirana ka nevojë të shkojë në Podgoricë ndonjë politikan që të merr pa pagesë leksione të lëna përgjysmë në darkën e ftohtë të Mini-Shengenit. Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe nuk është larg dyerve të BE-së. Rrugëtimi i saj drejt vlerave Euro-Atlantike nuk ka qenë i lehtë, për shkak të cungave të importuar nga Beogradi të derdhur udhëve, që ky rrugëtim të jetë sa më apokaliptik.
Me përpjekjet e fundit rreth konsolidimit të plotë të autoqefalietit kishtar malazias, Podgorica zyrtare po synon të vizatoj një profil të ri civilizizues në hartën e re gjeopolitike të rajonit, duke shkëputur edhe penjtë e fundit të penetrimit rus në këtë pjesë të buzëdetit shkëmbor të Adriatikut.
Një penetrim tillë nuk ka qenë i papërfillshëm edhe në Maqedoni, kurse kulminacioni pat arritur më 27 prill 2017, kur rrugaçë të dhunshëm, që ishin të veshur me petkun e përkatësisë ideologjike të një partie politike, u munduan të rrënojnë rendin demokratik, përmes likuidimit fizik të politikanëve dhe përmbysjen e skemës politike me aktorë të vjetër që ishin dëshmuar si instilacione ruse në këto hapësira.
Kthjelltësia e Podgoricës dhe Shkupit për të akseptuar drejt rikonfigurimet gjeopolitike, duke integruar në kulturën e vendimmarrjes shtetërore një frymë të re, i bën këto dy shtete kulla të reja vrojtimi ku kandilat e vjetër të mendësisë proruse, zëvendësohen me reflektorë të fuqishëm të NATO-s dhe BE-së. Kjo përfundimisht i mbyll rrugët e aventurizmave që kërcënojnë edhe kauzën kombëtare.
Refuzimi i Gjukanoviqit për të qenë pjesë e projektit të ashtuquajtur Mini-Shengeni ballkanik dhe insistimi për një Kishë Autoqefale malaziase, pa dashur të prishë raportet fqinjësore me serbët dhe të tjerët në rajon, është një tregues i qartë se dyshja Rama-Vuçiq i kanë hipur mbrapsht kalit dhe ka rrezik që kalërimi i tyre i azdisur mund të fusë në rrezik shumë kalimtarë të rastit, krejt të pafajshëm. (koha.mk)