Në emër të luftës kundër “nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”, me nismën e drejtorit dhe të një pjese të caktuar të punonjësve të shkollës (kryesisht të përkatësisë nacionale maqedonase por pati edhe disa shqiptarë), në vjeshtën e vitit 1981 nga kjo shkollë u përjashtuan gjashtë mësues, edhe atë: Abdullah Halil Konxheli, Halil Shaban Shaqiri, Hajdin Shaban Shaqiri, Nebi Ramiz Bytyqi, Islam Shefki Reka dhe Agim Halim Shuku
Nga Qerim LITA
Demonstratat studentore të vitit 1981 në Kosovë, nxitën udhëheqjen e atëhershme shoviniste maqedonase të ndërmerr masa të rrepta ideopolitike ndaj inteligjencës shqiptare në përgjithësi, e ndaj kuadrit arsimor në veçanti. Sekretariati Republikan për Shkencë dhe Arsim i RS të Maqedonisë, në Informatën të titulluar: “Disa çështje në realizimin e veprimtarisë edukative-arsimore në gjuhën shqipe”, hartuar në qershor të vitit 1981, bënte me dije qartë se shkaqet e drejtpërdrejta për shqyrtimin e asaj problematike kishin qenë “ngjarjet në KSA të Kosovës dhe dukuritë e veprimtarisë edukativo-arsimore nga pozita e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, që gjoja kishin ardhur në shprehje edhe në zona e rrethe të caktuara në RS të Maqedonisë. Më tej, në informatë thuhej se në ato mjedise ku “ishin identifikuar dukuri të tilla”, nga ana e organeve dhe organizatave kompetente ishin ndërmarrë dhe po ndërmerreshin “masa për inspektimin dhe mënjanimin e plotë të tyre”. Në fakt, ato masa u ndërmorën pasi paraprakisht Dhoma shoqërore-politike e Kuvendit të RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 27 maj 1981, kishte konstatuar se gjoja në shkollat me mësim në gjuhën shqipe ishin “vërejtur dukuri të punësimeve të personave të cilët në procesin edukativo-arsimor kryejnë ndikim negativ ideor”. Nisur nga një konstatim i tillë, Dhoma kuvendore përkatëse ngarkoi Sekretariatin Republikan për Arsim dhe Shkencë që të ndërmerrte masa përkatëse, për siç thuhej, “kualitetin moralo-politik” të kuadrit arsimor me mësim në gjuhën shqipe.
Rrjedhimisht, Sekretariati Republikan për Arsim dhe Shkencë, në bashkëpunim me organet tjera partiake e shtetërore, në radhë të parë me Drejtorinë e Shërbimit Sekret Shtetëror, e cila ndryshe njihej me shkurtesën UDB-a (Uprava na državnata bezbednost), ndërmori një aksion të vrazhdë ideopolitik ndaj një numri të madh të arsimtarëve shqiptarë, të cilët pasi i shpalli “nacionalistë dhe irredentistë” i përjashtoi nga puna, përkatësisht nga procesi edukativo-arsimor. Një diferencim i tillë, ndodhi edhe në mësonjëtoren time të parë, ku e kam kryer shkollimin fillor, përkatësisht në Drejtorinë e SHFQ “Përparimi” në fshatin Studeniçan të Karshiakës së Shkupit, në kuadër të së cilës përfshihej edhe shkolla periferike e fshatit Maranë dhe ajo e fshatit Gaber. Në emër të luftës kundër “nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”, me nismën e drejtorit dhe të një pjese të caktuar të punonjësve të shkollës (kryesisht të përkatësisë nacionale maqedonase por pati edhe disa shqiptarë), në vjeshtën e vitit 1981 nga kjo shkollë u përjashtuan gjashtë mësues, edhe atë: Abdullah Halil Konxheli, Halil Shaban Shaqiri, Hajdin Shaban Shaqiri, Nebi Ramiz Bytyqi, Islam Shefki Reka dhe Agim Halim Shuku.
Si shkas për diferencimin e këtyre mësuesve merret një incident që kishte ndodhur dy vite më parë në shkollën periferike të fshatit Maranë, kur me rastin e ndërrimit të motmoteve 1979/80, nga ana e mësuesve të shkollës ishte organizuar një manifestim modest, me ç’rast mësuesi Hajdin Shaqiri, pa dashje e thyen fotografinë e Josip Broz Titos. Ky incident përfundoi me atë që H. Shaqirit iu shqiptua dënimi për kundërvajtje dhe njëkohësisht, nga shkolla e fshatit Maranë ku punonte si mësues i ciklit të ulët, u dërgua të punoj për një vit shkollor në shkollën periferike të fshatit Gaber, që ishte përafërsisht 10 kilometra larg shkollës qendrore dhe ku nuk qarkullonte transporti publik.
Ky rast, edhe pse pati një epilog për kohën ndoshta deri-diku edhe të pritur, pas demonstratave të vitit 1981 u shfrytëzua nga ana e drejtorit të shkollës Metush Shabani dhe përkrahësit e tij që të hakmerren jo vetëm ndaj mësuesit Hajdin, por edhe ndaj disa mësuesve tjerë, që asaj kohe nga pushteti i atëhershëm komunistë maqedonas, konsideroheshin se kishin pikëpamje nacionaliste e irredentiste. Sekretariati Republikan për Arsim dhe Shkencë – njësia rajonale Kisella Vodë, në Informatën e hartua më 12 qershor të vitit 1981, bënte me dije për ekzistimin e dy grupeve në SHFQ “Përparimi” në fshatin Studeniçan, të cilat, siç thuhej, “me kofrontimin e tyre kontribuojnë si në përkeqësimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore në kolektiv, po ashtu edhe në suksesin e dobët të nxënësve”, dhe se, si rrjedhojë e një situate të tillë, në atë fshat prezent ishte “dukuria e mësim besimit fetar”, në të cilin ishin përfshirë një numri më i madh i nxënësve nga klasa e I deri në të VIII. Më tej, në Informatë thuhej se bartës të këtyre situatave “jo të mira në shkollë” ishte grupi i përbërë nga “arsimtarët me prejardhje nga KSA e Kosovës dhe Bujanoci, edhe atë: Abdullah Konxheli – mësues, sekretar i OB të LK-së, prej para do kohe është ndërruar nga funksioni, Hajdin Shaqiri – mësues, i përjashtuar nga LK-ë për shkak të shfaqjes nacionaliste, Halil Shaqiri, mësues, Nebi Bytyqi, mësues, Islam Reka, mësues dhe Agim Shuku, mësues”.
Të gjithë ata, ndër të tjera, akuzoheshin se menjëherë pas shpërthimit të demonstratave të Kosovës, i paskan nxitur nxënësit e ciklit të ulët të Shkollës periferike të fshatit Maranë, që ta provokojnë mësuesen Bllagica Janevska, e cila asaj kohe pati raporte shumë të afërta me drejtorin e shkollës. Sipas dëshmitarëve okularë të kohës, pikërisht afërsia e saj me drejtorin e shkollës, i kishte irrituar nxënësit “për një reagim të tillë spontan”, e jo se ata kishin qenë të nxitur nga mësuesit e përmendur më lartë. Mirëpo, kjo nuk u mor parasysh nga udhëheqja komuniste e Komunës së Kisella Vodës, e cila me mbështetjen që pati asaj kohe nga udhëheqja partiake e shkollës, solli vendim fillimisht për përjashtimin nga radhët e Lidhjes së komunistëve, dhe më pas edhe nga procesi edukativo-arsimor. Lajmi për përjashtimin nga procesi edukativo-arsimor të gjashtë mësuesve shqiptarë të SHFQ “Përparimi” të fshatrave Studeniçan dhe Maranë, preku thellë ndërgjegjen e të gjithë banorëve të këtyre dy fshatrave, veçanërisht të nxënësve e tyre (përfshi edhe mua), të cilët edhe pse kanë kaluar 39 vite të plota, ende e përkujtojnë këtë golgotë të mësuesve të tyre të dashur e të paharruar, e cila, siç u tha më lartë, u iniciua dhe u zbatua nga pushteti i atëhershëm komunistë maqedonas. Menjëherë pas kësaj, po ky pushtet, kuptohet se me ndihmën e veglave të tyre shqipfolëse, ndërroi emrin e kësaj shkolle nga “Përparimi” në “Napredok”. Me këtë emërtim sllav, kjo shkollë njihej deri në vitin shkollor 1992/93, kur pas protestave dhe bojkotit tri-javor të nxënësve dhe prindërve të tyre, Ministria e Arsimit të Maqedonisë, u detyrua ta miratojë kërkesën e banorëve të fshatit Studeniçan dhe Maranë, që në të ardhmen kjo shkollë të mbaj emrin e poetit dhe rilindësit të shquar shqiptar, Naim Frashëri.
Në përmbyllje të këtij shkrimi të shkurtë, kushtuar golgotës së mësuesve të mi, po e shpalosi pjesën e aktvendimit ku jepej arsyetimi se përse shpalleshin fajtorë gjashtë mësuesit e sipërpërmendur, ku thuhej shprehimisht:
“…Si shumicë të anëtarëve të Organizatës Bazë (OB-ë) të Lidhjes së Komunistëve (LK-ë), mësuesit e nënvizuar të udhëhequr nga sekretari i OB të LK-së, në mbledhjet e OB të LK-së, në vend se t’i zgjidhin çështjet e karakterit organizativ, problemet aktuale e ngjashëm, imponojnë disa çështje të parëndësishme, për çka i shpifin në mënyrë të padrejtë anëtarët tjerë të LK-së.
Lutjet për pranim të anëtarëve të ri në LK-ë nuk shqyrtohen, por të njëjtat Konxheli i mban fshehte për një vit, madje edhe më shumë, duke dashur në atë mënyrë ta ruajë shumicën e përkrahësve të tij dhe të sigurojë realizimin e qëndrimeve të grupit. Para një viti, me nismën e Konxhelit, nga radhët e LK-së janë përjashtuar zëvendës sekretari i OB të LK-së, Bllagica Janevska dhe Remzie Ibrahimi, gjoja për shkak mospagesës së rregullt të anëtarësisë dhe mospjesëmarrjes në mbledhje.
Është i njohur rasti i thyerjes së fotografisë së kryetarit Tito në f. Maranë, për çka, krahas përjashtimit nga radhët e LK-së të Hajdin Shaqirit, me dënim vërejtje janë dënuar edhe Halil Shaqiri, Nebi Bytyqi, Islam Reka dhe Agim Shuku. Të njëjtit, si shumicë në OB të LK-së, pas një kohe të caktuar kanë votuar për fshirjen e dënimeve të shqiptuara. Përveç kësaj, te shumica e pjesëtarëve të grupit të potencuar, është e pranishme dukuria nga pozita e nacionalizmit shqiptar. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që arsimtares së gjuhës frënge, Lubica Ivanovska (e pranuar për kohë të caktuar), grupi nuk lejoj t’i jepet vendim për marrëdhënie pune të përhershme, për arsye se nuk e njeh gjuhën shqipe. Propozim i ngjashëm është edhe i Agim Shukut, i cili në mbledhjen e mbajtur më 1978, ka theksuar se arsimtari Dragan Jovanoviq, nuk mund të pranohet në radhët e LK-së, për arsye se nuk e njeh gjuhën shqipe.
Mësuesi Islam Reka, në një mbledhje ia ka zënë për të madhe mësuesit S… R… që ka folur në gjuhën maqedonase, duke iu drejtuar: “shoku S…, kjo është shkollë shqiptare, prandaj duhet të flasësh shqip”.
Mësuesi i njëjtë ka refuzuar t’i plotësoj pyetësorët nga ana e Sekretariatit të Mbrojtjes Popullore pranë KK “Kisella Vodë” për shkak se kanë qenë në gjuhën maqedonase. Me atë rast ka thënë: ‘unë nuk e njoh gjuhën maqedonase, e nëse dëshironi t’i plotësoj, atëherë kërkoj që pyetësorët të më jepen në gjuhën shqipe’. Pas një përpjekje të gjatë nga ana e drejtorit për ta bindur, Reka i plotëson ato, mirëpo me adresa të gabuara. Në prag të festës së 29 nëntorit 1980, në shkollë është organizuar kremtim, me ç’rast arsimtarja N… A… në një pllakë gramafoni ka lëshuar këngë serbe. Për një moment Nebi Bytyqi e ka marrë pllakën dhe e ka thyer, me motivacion se ka qenë në gjuhën serbe. Gjatë kohës së sëmundjes së kryetarit Tito, kolektivi ka vendosur t’i dërgojë një telegram me dëshirë për shërimin e tij më të shpejtë, ndërsa mësuesi Halil e ka lëshuar mbledhjen me arsyetim se do i ikë autobusi.
Më datë 18. 05. 1981, drejtori i shkollës kishte paralajmëruar vizitë në orën e mësimit të Halil Shaqirit, mirëpo Halili nuk e ka lejuar të merr pjesë. Gjithashtu, më datë 20. 05. 1981, në prezencë të arsimtarëve, nga ana e Halil Shaqirit është refuzuar që drejtori i shkollës të merr pjesë në orën e mësimit. Për t’u shënuar është edhe përpjekja e grupit të nënvizuar, për ta kthyer sërish në f. Maranë mësuesin Hajdin Shaqiri, për çka Konxheli ka manipuluar me KK ‘Kisella Vodë’, mirëpo pas intervenimit nuk është realizuar qëllimi i tyre”.