Shkup, 13 prill – Në “Sallonin e librit të Ballkanit” në Paris sot do të promovohet përkthimi francez i librit “Parisi i Omer Kaleshit” nga akademiku Luan Starova.
Krahas autorit, akademikut Starova, në këtë ngjarje tradicionale, të vlerësuar lartë, do të marrë pjesë edhe piktori Omer Kaleshi, i cili më shumë se gjysëm shekulli, jeton dhe krijon në Paris, ndërsa është edhe anëtar nderi i ASHAM-it.
Bëhet fjalë për librin e bisedave mes piktorit Omer Kaleshi dhe shkrimtarit, të zhvilluara në Shkup, Paris dhe Stamboll, të publikuar paradokohe në Shkup, në edicion të ASHAM-it. Parafjalimin do të mbajë profesori Ferid Muhiq.
Omer Kaleshi llogaritet për një nga piktorët më të mëdhenj të gjallë në Ballkan. I lindur në Maqedoninë e Veriut, në Kërçovë, i shkolluar në Akademinë për arte të bukura në Stamboll, prej ku shkon për në Paris. Kaleshi ka eksponuar piktura të tij në galeritë e mëdha në Paris, ndërsa për të janë shkruar monografi. Viteve të fundit, po krijohen galeri të posaçme nga pikturimi i tij në Maqedoni, Kosovë, ndërsa e fundit, paradokohe në Bursë, Turqi.