Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Samiti i Berlinit, ka krijuar një kornizë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Samiti ishte multilateral, por pjesa kryesore i është kushtuar marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kurse takimi i Parisit më 1 dhe 2 korrik do të jetë biletaral – pjesë do të marrin vetëm Kosova dhe Serbia”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ia ka miratuar kërkesën që pos udhëheqësve shtetërorë delegacioni i Kosovës të jetë më i madh – përfshirë ekipin për bisedime dhe partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, të cilat i ka ftuar të bashkohen në këtë takim.
“Sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi, qëndrimet janë formësuar. Nuk shkohet më për lëvizje të kufijve, por për njohje reciproke. Tash është qartësuar se më s’ka nevojë të diskutohet për taksën. Dialogu është duke vazhduar”.
“Idetë e kaluara kanë shtyrë që të ndryshohet formati, diskutimet për kufi e territore kanë bërë që të ndryshohet formati. Ato i takojnë të kaluarës. Jemi në situata me serioze dhe të qëndrueshme”.