Raund i ri i negociatave, të dytat nga ripërtëritja e tyre, do të mbahet nesër në Nju-Jork, midis negociatorëve të Maqedonisë dhe të Greqisë, Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilakis, me ndërhyrjen e ndërmjetësit të KB-së Methju Nimic. Ndërmjetësi në negociatat për emrin do të takohet me negociatorët në përpjekjet që të gjendet zgjidhje për kontestin pothuajse prej tre dekadash për emrin midis dy vendeve, i cili është pengesë për integrimin evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë.
Nimic dje në një intervistë për televizionin kombëtar greke ERT theksoi se nuk do të dalë me propozim të ri për emrin, por me propozim-ide për të cilat tashmë është diskutuar në të kaluarën. “Për këtë çështje diskutuam më shumë se 20 vite dhe shumica e ideve tashmë janë vënë në tryezë. Por, çdoherë ekziston edhe një mënyrë e re dhe tjetër që gjërat të shqyrtohen, nga një dimension pak më ndryshe. Prandaj, mendoj se njerëzit do ta shohin çështjen nga një tjetër perspektivë. Gjithsesi, nuk ka asgjë që është tërësisht e re dhe mendoj se këtë tashmë e kam thënë. Nuk ekziston magji e re në këtë çështje”, thekson ndërmjetësuesi më intervistën që e transmetoi MIA.
Ai vlerësoi se ekziston moment pozitiv në Shkup, duke shtuar se Qeveria është shumë e interesuar për ta zgjidhur kontestin. Klimë pozitive sheh edhe tek pala greke. Ai përmendi se ekzistojnë edhe çështje të tjera përveç emrit, siç janë përdorimi i tij, por edhe çështje për identitetin, gjë që, siç tha, shkakton brengosje të madhe në Maqedoni. “Ekzistojnë edhe çështje të tjera krahas emrit – përdorimi i tij, identiteti…, që shkakton brengosje të madhe te fqinji verior dhe prandaj duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm lidhur me këtë. Ekziston brengosje edhe në Greqi për disa çështje historike, për trashëgiminë historike dhe kulturore, tekstet shkollore… Këto çështje janë të rëndësishme, por mendoj se ka zgjidhje për to. Të dyja vendet fqinje mund t’i zgjidhin, nëse fillimisht zgjidhet çështja themelore”, tha Nimici në intervistë.
Raundi paraprak i negociatave, i cili ishte i pari pas ngecjes trevjeçare në proces, u mbajt në Bruksel më 11 dhe 12 dhjetor, kur u paralajmërua se Nimic çdo muaj do të mbajë takime me negociatorët, me qëllim që të gjejë zgjidhje. Raundi i ri i negociatave vjen në periudhën e aktiviteteve të intensifikuara dhe optimizëm në Shkup, Athinë, Bruksel dhe Uashington për mbyllje përfundimtare të kontestit. Në takimin në Nju-Jork, siç njoftoi MIA, pritet që Nimic të vendosë në tryezë kornizë fillestare për tejkalimin e dallimeve rreth emrit. Kjo u potencua në takimin e fundit të shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, i cili u mbajt në Selanik gjatë javës së kaluar dhe për të cilin dy MPJ-të nuk dhanë as kohë, as lokacion deri në mbajtjen e tij.
Dimitrov dhe Koxias u dakorduan të kenë rol më të drejtpërdrejtë në bisedimet me qëllim që të nxitet përshpejtimi i zgjidhjes së kontestit dhe për këtë qëllim dakorduan edhe formim të grupeve të punës, me të cilat do të udhëheqin personalisht ata dhe të cilët takimin e parë do ta kenë muajin e ardhshëm. Kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras ditëve të fundit deklaruan se ekzistojnë mundësi që të gjendet zgjidhje për kontestin në gjysmën e parë të vitit 2018. Sipas paralajmërimeve në mediat e Greqisë dhe të Maqedonisë, është i mundur takim i dy kryeministrave në Forumin Ekonomik Botëror që nga 23 deri më 26 janar do të mbahet në Davos, Zvicër. Përveç kryeministrave, në Davos do të jenë edhe shefat e diplomacive të dy vendeve Dimitrov dhe Koxias.