Lëshimet që po iu bëhen njerëzve të inkriminuar të opozitës maqedonase, për të cilët PSP ka ngritur një mal pretendimesh dhe dyshimesh për vepra të rënda penale, përbëjnë pjesën më të kalbur të politikës aktuale
Nga Emin AZEMI
Me çka po e meriton këtë amnisti opozita maqedonase (VMRO), eksponentët e së cilës jo vetëm që po i shpëtojnë drejtësisë për veprat kriminale, por edhe po shndërrohen në “heronj të heshtur” të pazareve të këtushme politike. Kryeministri Zaev, sidomos kur ishte opozitar, ishte angazhuar për luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kauza e tij politike mbështetej pikërisht mbi këtë angazhim, kurse “bombat” që ai i shpaloste përmbanin bërthamën e platformës së ardhshme të qeverisjes. Kjo platformë parashihte një Maqedoni tjetër, pa Gruevskin kryeministër dhe penalizim të të gjithë atyre që kanë vjedhur shtetin dhe kanë abuzuar me detyrat dhe funksionet publike.
Në fakt, ndodhi ndryshimi, por u realizua vetëm një pjesëz e asaj platforme. Gruevski u strehua në Hungari, dhe autoritetet u bënë sikur iu iku nga dora, ndërkohë që bashkëpartiakët dhe “naçallnikat” e tij vazhdojnë të gëzojnë përkedhelitë e pushtetit të Zaevit.
Çka po ndodhë? Askush nuk di të japë një përgjigje të prerë, ndonëse dyshimet për ndonjë marrëveshje të fshehtë midis pushtetit dhe opozitës po bëhen pjesë e pëshpëritjes publike. Lëshimet që po iu bëhen njerëzve të inkriminuar të opozitës maqedonase, për të cilët PSP ka ngritur një mal pretendimesh dhe dyshimesh për vepra të rënda penale, përbëjnë pjesën më të kalbur të politikës aktuale.
Këto lëshime, sa janë zhgënjyese për njerëzit që votuan për një Maqedoni tjetër, të liruar nga krimi, reketi, korrupsioni, nepotizmi, po aq janë dëshpëruese edhe për çdo iniciativë të shoqërisë civile e cila aksionin e vet qytetar nuk do ta mbështeste më në kauza të antikorupsionit. Tash e në të ardhmen çdo idealist i këtij vendi do të mendohet shumë mirë, para se të kërkojë çrrënjosjen e krimit, korrupsionit, reketit, nepotizmit nga politika, për arsye se pikërisht do të jetë politika ajo që ditën bëhet sikur i lufton këto devijime, kurse natën bën gjumë në një shtrat me to.
Nesër, sigurisht edhe abuzuesit e sotëm do të shpallen të pafajshëm. Nesër, edhe ata që sot e vjedhin shtetin, u bëjnë reket bizneseve dhe kurdisin tenderë pa rregulla transparente, do të amnistohen, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet pandëshkueshmëria e politikave korruptive.
Dorëzimi i stafetës së mosndëshkimit, nga njëri pushtet tek tjetri, nga njëra kastë oligarkësh tek kasta tjetër, po ndodhë në kohën kur ky shtet synon të bëhet pjesë e Europës. Politikanët e këtushëm duke e garantuar dhe kontraktuar në mes veti kulturën e mosndëshkimti për vepra kriminale, të kryera gjatë mandateve qeverisëse, po harrojnë se do ta kenë vështirë ta bindin, bie fjala presidentin e Francës, Emmanuel Jean-Michel Frédéric Macron, dhe kolegët e tij brenda BE-së, të japë dritë jeshile për datën e negociatave në fund të tetorit të këtij viti.
Gjykatat e Shkupit mund të vazhdojnë t”i shpallin të pafajshëm eksponentët e krimit e korrupsionit nga pushtetit i kaluar, por ato duhet ta kenë të qartë se me këto praktika skandaloze gjyqësore po i bëjnë një dëm të madh perspektivës evropiane të vendit. Janë të njëjtat gjykata të cilat, kur janë në pyetje shqiptarët, nuk hezitojnë të ndajnë “drejtësi” edhe mbi raste komplet të montuara (“Sopoti”, “Monstra”, “Alfat”, “Almir Aliu” dhe dënimet kapitale për një shqiptar nga Opaja dhe një nga Xhepçishti), duke demonstruar në këtë mënyrë pafytyrësinë e një sistemi mizor të drejtësisë, i cili edhe atëherë kur i shpall të pafajshëm kriminelët (opozitarët e pushtetit të kaluar) edhe atëherë kur i kalb në burg shqiptarët e pafajshëm, në instancë të fundit dërgon një mesazh shumë negativ në Bruksel dhe Uashington, me çka ua bën me dije burokratëve të këtyre dy qendrave se shteti që po synon të bëhet pjesë e BE-së e ka të zhvilluar në nivel shumë të lartë frymën e segregacionit, aparteidit dhe sforcimin e stereotipave etnike në të gjitha fushat e jetës.
Pjesë e pandashme e procesit nëpër të cilën kaloi Maqedonia e Veriut, që nga Marrëveshja e Prespës e deri te hapja e kapitujve para fillimit të negociatave me BE-në, ka qenë dhe mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Mirëpo në praktikë po dëshmohet se vullneti politik për ta zhvilluar këtë luftë po mungon dhe, bashkë me të, po mungon edhe vetëdija qytetare e cila po tregohet shumë e fjetur kundrejt politikanëve aktual, për të cilët para tri vjetëve zhvilloheshin beteja të forta opozitare e “laramane” për t’i sjellur në pushtet.
Të bësh gjumë në një shtrat me krimin, duke e liruar atë nga frika e ndëshkimit, dhe të kërkosh datë për negociata me BE-në, janë dy skajet e një litari që aktualisht mbajnë larg aspiratën evropiane të qytetarëve të këtushëm nga vullneti politik për ta bërë realitet këtë aspiratë. (koha.mk)