Londër, 24 shkurt – Qeveria amerikane sot në një Gjykatë në Londër e filloi procedurën për dorëzimin e themeluesit të Uikiliksit, Xhulian Asanzh nga Britania e Madhe në SHBA, transmeton gazeta KOHA.
Autoritetet amerikane kërkojnë që Asanzh të gjykohet rreth akuzave për spiunazh me dënim maksimal prej 175 viteve për shkak të publikimit të qindra mijëra dokumenteve të fshehta ushtarake dhe telegrameve diplomatike prej vitit 2010.
Sipas avokatit Xhejms Livajs, i cili e përfaqëson Qeverinë amerikane, dokumentet e Uikiliksit prej vitit 2010 janë një nga “rrjedhjet” më të mëdha të të dhënave të fshehta në historinë e SHBA-së.
Nga ana tjetër, Asanzh pohon se është sjellur si gazetar, i cili ka të drejtë për mbrojtje në bazë të amandamentit të parë në Kushtetutën amerikane.
Organizata dhe grupe mediale për liritë qytetare, përfshirë edhe Amnesti Interneshënëll dhe Reporterët pa kufij, konsiderojnë se akuzat kundër Asanzhit paraqesin precedent për lirinë e mediumeve.
“Ky është sulm ndaj gazetarëve. Akuza e vetme kundër Asanzhit, e cila fshihet prapa budallallëkut për spiunazh, është akuza kundër gazetarisë”, deklaroi deputeti grek, Janis Varufakis.
Livajs nuk dakordohet. “Raportimi apo gazetaria nuk janë arsyetim për aktivitete kriminele apo leje për shkelje të ligjeve të thjeshta penale”, vlerësoi ai.
Në fillim të dëgjimit, të udhëhequr nga gjykatësja e qarkut, Vanesa Berister, para Gjykatës protestuan dhjetëra ithtarë të Asanzhit (48), i cili në sallën e gjykatës Valviç kraun u soll nga burgu Belmarsh, ku ndodhet tashmë 10 muaj.
Avokati i Asanzhit, Eduard Ficxherald deklaroi se klienti i tij nuk duhet të ekstradohet në SHBA sepse atje nuk ka gjykim të drejtë dhe se ekziston rreziku të kryejë vetëvrasje. Ai vlerësoi se dërgimi në SHBA do ta ekspozonte Asanzhin ndaj një procedure johumane dhe poshtëruese, joproporcionale me dënimin dhe kushtet në burgje. Avokati vlerësoi se kërkesa për ekstradim është e motivuar politikisht.
Nëse Gjykata vendosë që Asanzh të ekstradohet, fjalën e fundit do ta ketë Qeveria britanike. Në dëgjimin e sotëm morën pjesë babai dhe vëllai i Xhulian Asanzh. (koha.mk)