Për dallim nga arsimi dual që zhvillohet në Gjermani e ku brenda një viti investohen mbi një milion euro për pajisjen e laboratorëve të shkollave të mesme me makineri dhe aparatura, tek ne me vite aspak nuk investohen në krijimin e laboratorëve të ri. Koha e investimeve ka ndaluar që moti, nga ish-Jugosllavia e largët. “Pa trajnim dual, s’ka vende pune dhe ardhmëri. Pa ardhmëri, kemi ikje nga vendi”, thonë ekspertët
Zejnulla VESELI
Shkup, 2 janar – Nga muaji prill i këtij viti, delegacioni i Odës Gjermane në Maqedoni filloi me zbatimin e programit për arsimin dual “Skills expert”, program i financuar nga Ministria gjermane e ekonomisë dhe energjetikës. Ky program ka për qëllim t’ju ndihmojë kompanive të sigurojnë kuadër adekuat dhe profesional përmes vendosjes së sistemit nga arsimi dual që me vite funksionon në Gjermani. Ky sistem në Gjermani është dëshmuar i suksesshëm dhe paraqet kombinim të teorisë dhe trajnimit të praktikës që do të thotë se nxënësit në shkollat e mesme profesionale, përveç mësimit teorik, detyrohen të kryejnë edhe mësimin praktik që duhet ta realizohet nga kompanitë.
Kështu, gjatë këtij vitit shkollor 2018/2019, programi ka filluar me një klasë pilot në Kavadar dhe Ohër, ndërsa në katër vitet e ardhshme duhet të dalin kuadër profesional i profilit arsimor “Teknik të industrisë methatronike” që do të zhvillohet sipas modelit gjerman të edukimin dual në shkollat mesme. Në Kavadar, ky program zbatohet në shkollën e mesme “Kiro SPanxhov – Brko” me kërkesë të kompanisë gjermane “Drekslmajer” dhe në shkollën e mesme elektro-teknike dhe makinerike “Naum Ohridski” në Ohër, mbështetur nga kompanitë e huaja “Kostal”, LTH “Learnica” dhe “ODV- Elektrik”.
Qëllimi kryesor i këtij programi gjatë vitit shkollor 2019-2020 është të vendos kualifikimin përmes trajnimit praktik të nxënësve në kompani me 45 për qind nga fondi i përgjithshëm i orëve mësimore. “Trajnimi praktik i nxënësve nga kompanitë do të bëhet nga ana e mentorëve të certifikuar në pajtim me standardët gjermane. Përmes këtij programi, nxënësit përveç mësimit teorik, do të pajisen edhe me dituri praktike, gjegjësisht në kuadër profesional që më shumë kërkohen në tregun e punës në Maqedoni. Në anën tjetër, pas mbarimit të shkollës katërvjeçare, kompanitë tek të cilët e kanë kryer punën praktike detyrohen t’ju ofrojnë punë, por edhe pasi të punësohen gjithashtu kanë të drejtën që të vazhdojnë edukimin e tyre edhe në fakultete”.
Mirëpo për dallim se si arsimi dual zhvillohet në Gjermani ku brenda një viti investohen mbi një milion euro për pajisjen e laboratorëve të shkollave të mesme me makineri dhe aparatura, tek ne me vite aspak nuk investohen në krijimin e laboratorëve të ri.
“Në punëtoritë e shkollës sonë, makineria dhe aparaturat tjera janë nga koha e ish Jugosllavisë. Për atë kohë këto makineri kanë qenë të mira dhe funksionojnë dhe sot, mirëpo këtu në shkollën tonë si duket koha ka ndaluar. Për dallim nga Gjermania, ku brenda një viti shkollor investohen mbi 1 milion euro për arsimin dual. Sikur edhe ne si shkollë të kemi punëtori si në Gjermani, apo edhe në Slloveni, nxënësit tanë tamam do të mbulonin kërkesat e kompanive të huaja dhe vendore në Maqedoni”, thotë Sasho Nedevski, drejtori i shkollës së mesme elektro-teknike dhe makinerike “Naum Ohridski” në Ohër.
Nevoja për kuadër profesional në tregun e punës së Maqedonisë u paraqit me hyrjen e shumë kompanive të huaja në Maqedoni. Për momentin, sipas drejtorit të përgjithshëm kompanisë së huaj “Kostal” në Ohër, Viktor Mizo, më të kërkuar janë profesionet elektroteknike dhe makinerike. Pikërisht për këtë, “Kostal” ka kërkuar nga shkolla e mesme “Kliment Ohridski” në Ohër të hap paralelen e parë ku janë regjistruar 18 nxënës për përgatitjen e dy nxënësve në industrinë mehatronike me kërkesë të kompanisë së huaj “ODV elektrik”, 8 nxënës për nevojat e kompanisë “Kostal” dhe 8 për kompaninë “LTH Learnica”.
“Kostal”, sipas drejtorit Mizo, prodhon produkte komplekse për çka ka nevojë për personal të kualifikuar dhe pajisje të sofistikuara teknologjike. “Vetëm në turnin e parë, prodhohen 650 marshe për automobil. Për momentin të punësuar janë 322 punonjës, kurse në plan kemi ta rrisim numrin e të punësuarve në 1000 – që i bie 2 punëtorë të punojnë me një robot. Mirëpo, që të arrihet gjithë kjo, kemi nevojë për kuadër profesional që është vështirë t’i gjesh në Maqedoni”, thotë Mizo. Mirëpo, për gjetjen e kuadrit profesional të mirëfilltë ai thotë se nuk mjafton vetëm kyçja e kompanive të huaja në trajnimet e vazhdueshme të nxënësve të shkollave të mesme profesionale. Rol të rëndësishëm që arsimi dual të jetë i suksesshëm është që të kyçen edhe të tri Odat ekonomike dhe kompanitë vendore – anëtare të këtyre odave.
“Për kompanitë e huaja që janë prezente në tregun e punës në Maqedoni, e në veçanti për ‘Kostal’, arsimi dual paraqet vetëm një pjesë të problemit. Që të punojnë pas mbarimit të shkollës së mesme profesionale me teknologji të prodhimeve specifike elektronike, nevojiten edhe inxhinierë të elektronikës dhe makinerisë. Vetëm për nevojat e punëtorëve të rinj që do të kryejnë nxënësit mësimin praktik ‘Kostal’ vitin e kaluar ka angazhuar 13 absolvent që kanë të kryer fakultetit elektro-makinerikë, informatikë dhe teknologjik duke ju garantuar trajnim nëntë javë me bujtje në Ohër – falas dhe kompensim mujor prej 150 euro dhe ofertë që më pas të mbeten në punë më rrogë fillestar prej 350 euro dhe pas 6 muajve, do të marrin rroga nga 500 deri më 600 euro”, thotë Mizo, sipas të cilit, problemi më i madh në Maqedoni është mungesa e mobilitetit tek fuqia punëtore, pasi shumë vështirë e kanë punëtorët të vendosin që nga Shkupi të vinë të punojnë në Ohër.
“Pikërisht kjo është njëra nga arsyet që ‘Kostal’ po ballafaqohet me mungesë të punëtorëve të trajnuar për të punuar në linjat e prodhimeve të pajisura me teknologjike të sofistikuar”.
Se me të vërtet vetëm kompanitë e huaja, por edhe vendore po kanë probleme për gjetjen e kuadrit profesional në tregun e punës në Maqedoni, këtë e vërteton edhe kryetari i Investitorëve të huaj në Maqedoni, Shtefan Peter.
“Projekti arsimi dual në Maqedoni nuk është zgjidhja e vetme, por mundësia e vetme dhe të ardhmen duhet vazhdohet më këtë projekt dhe të përkrahet nga Odat Ekonomike dhe kompanitë vendore. Vetëm kështu mund të kontribuojmë që në të ardhmen mos të kemi të rinj të papunë, por menjëherë pasi të përfundojnë shkollën e mesme profesionale, të gjithë të rinjtë t’i punësojmë. Në të ardhmen nuk na duhet vetëm neve arsimi dual, por edhe të rinjve. Pasuria dhe prosperiteti i një vendi është vetëm nëse të rinjtë punësohen menjëherë pasi ta mbarojnë shkollimin e mesëm, kuptohet përmes fer kushteve”, thotë Peter.
Megjithatë, që një i ri në Maqedoni pas mbarimit të arsimit të mesëm të sigurojë një vend pune, sipas Peter, ai duhet të posedojë aftësi punë dhe pikërisht arsimi dual ua mundëson këtë.
“Kjo do të thotë se nxënësit e shkollave të mesme profesional nuk duhet ndjekin vetëm mësimin teorik, por paralelisht të bëjnë praktikën në punëtoritë e shkollave ku i trajnojnë njerëz adekuat nga kompanitë që kanë interes për këto kuadro profesionale. Arsimin dual kompanitë e huaja austriake e zbatojnë para dy viteve. EVN-ja këtë projekt e përkrah dhe presim që në fund të vitit 2020 të përfundojë ky projekt dhe me siguri EVN-ja do t’i punësoj të gjithë këta që do të mbarojnë shkollën e mesme profesionale. Këtë shembull tani po e ndjekin edhe kompani tjera që e kanë kuptuar që kjo është mënyra më e mirë për pranimin e punëtorëve profesional dhe se vetëm kështu mund të rritet dhe produktiviteti i kompanive”, thotë Peter.
Që të funksionon suksesshëm ky projekt, Peter shprehet se është më se nevojshme të ndihmojë edhe sektori publik, sektori privat, organizatat joqeveritare…
“Të gjithë këto tre sektorë kanë më shumë para se sa kanë shkollat mesme profesionale në Maqedoni. Vetëm se nevojitet me mençuri të investohen këto para. Që të kemi një tregim të suksesshëm është më se e nevojshme këto tre sektorë të formojnë një shoqatë për partneritet publiko-privat që në ta ardhmen t’i ndajnë në mënyrë të barabartë harxhimet që të kemi një projekt të dyfishtë të suksesshëm”, thotë Peter, duke përkujtuar shkollat e mesme profesionale se kanë në disponim edhe fonde të tjera nga shtetet evropiane që për destinim kanë të ndihmojnë financiarisht shkollat për t’u pajisur me aparaturë më moderne punëtoritë e shkollave të mesme profesionale. (koha.mk)