Athinë, 2 prill – Në 24 orët e fundit në Greqi, edhe tre persona vdiqën nga koronavirusi, duke e rritur në 53 numrin e të vdekurve, ndërsa sërish kanë regjistruar 27 raste të reja të Kovid-19 dhe 23 të tjera në kampin e refugjatëve “Ricona”, ndërsa janë analizuar 18.844 teste, transmeton gazeta KOHA.
Paralelisht, siç ishte kumtuar në konferencën e sotme për shtyp në Ministrinë e Shëndetësisë së Greqisë, në anijen “Elefterios Venizelos” që u nis nga Turqia për në Spanjë, por është ankoruar në portin athinas Pireas, 119 persona janë infektuar me Kovid-19, ndërsa sërish 250 udhëtarë janë negativë me koronavirus.
Zëvendësministri i Mbrojtjes civile të Greqisë, Nikos Hardalas, tha se për personat të cilët janë të shëndoshë do të fillojë procesi i riatdhesimit, ndërsa të infektuarit, të cilën nuk kanë kurrfarë problemi tjetër shëndetësor do të mbesin në izolim në anije.
Anija, në pronësi të kompanisë greke, është huazuar që nga Turqia të dërgojë punëtorë në Spanjë, por 15 ditë pas nisjes ka mbetur i ankoruar në afërsi të Pireas prejse Turqia ka refuzuar ta pranojë prapa.
Gjatë procedurës për riatdhesim të udhëtarëve, është zbuluar rasti i parë i Kovid-19, pas së cilës janë bërë testet edhe të mbi 380 personave tjerë.
Numri i tërësishëm i rasteve pozitive me Kovid-19 në Greqi, sot arrin 1.514 duke i përfshirë edhe të infektuarit në kampin e refugjatëve, por edhe ekuipazhin e anijes.
Hardalas tha se është regjistruar edhe rasti i parë pozitiv në ishullin Mikonos, gruaja e infektuar është dërguar në spitalin në Athinë dhe paralajmëroi se janë anuluar të gjithë punët ndërtimore në ishull.
Njëkohësisht, dëgoi thirrje te banorët e e ishullit të qëndrojnë në shtëpi.(koha.mk)