Athinë, 28 shkurt – Komisioni për shenja tregtare mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë duhet të formohet gjatë këtij viti, konform Marrëveshjes së Prespës, parashikon dialogu mes komuniteteve të biznesit, ndërsa jo dialog bilateral ndërshtetëror, tha sekretari për tregti dhe mbrojtje të konsumatorëve nga Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit, Dhimitris Avlonitis në takimin informativ me gazetarët për shenjat tregtare në kuadër të Marrëveshjes së Prespës, njofton MIA, transmeton Koha.
Ai sqaroi se përfaqësues të komunitetit të biznesit të dy vendeve, fillimisht do të takohen, që ta regjistrojnë situatën aktuale, të shohin nëse ekzistojnë probleme, e pastaj të gjejnë zgjidhje të përbashkët të pranueshme për përdorimin e termeve gjeografikë në shenjat tregtare.
“Duhet të potencojmë se marrëveshja është tërësisht kompatibile me rregullat evropiane dhe ndërkombëtare për regjistrim të pronësisë tregtare dhe emrat, gjegjësisht nuk imponon kurrfarë lëshimi as nga e drejta ndërkombëtare dhe Marrëveshja e Madridit as nga e drejta evropiane, që është në kompetencë të Zyrës evropiane për pronësi intelektuale”, tha Avlonitis.
Në takimin me gazetarët, sekretari i përgjithshëm për tregti dhe mbrojtje të konsumatorëve theksoi se në Zyrën evropiane për regjistrim të shenjave tregtare, janë regjistruar gjithsej 19 shenja tregtare greke, që e përmbajnë termin “Maqedoni” ose “maqedonas/e”, ndërsa nga vendi ynë nuk ka asnjë kërkesë për regjistrim.
Mes 19 shenjave të ndryshme të siguruara, paradokohe është regjistruar edhe “Agjencia e lajmeve të Maqedonisë”, gjegjësisht pjesa nga agjencia greke e lajmeve me seli në Selanik.
Në pyetjen e korrespondentes e MIA-s nga Athina, nëse regjistrimet kanë qenë në Marrëveshjen e Prespës, sekretari i përgjithshëm sqaroi se kjo shifër është e përgjithshme, jo e ndërlidhur me vendimin mes dy vendeve dhe nuk vërehet kurrfarë lëvizje e veçantë për shkak të marrëveshjes.
“Ajo që numri i regjistrimeve është i vogël nuk është as mirë, as keq. Bëhet fjalë për zgjedhje të biznesmenëve dhe nuk do t’i vendos në pozicion të pavolitshëm bizneset greke”, theksoi Avlonitis.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, për dy produkte me emër të njëjtë, për shembull “salcë maqedonase” që shiten në super-marketet në Gjermani, ndërsa në njërin shkruan prodhuar në Greqi, në tjetrin prodhuar në Maqedoninë e Veriut, Avlonitis tha se nuk ekziston asnjë problem në rastin konkret.
Në pyetjen e korrespondentes së MIA-s nga Athina, nëse dy prodhues të ndryshëm nga dy vendet kanë shenjë të njëjtë tregtare në produktin e tyre që duan ta eksportojnë jashtë vendit, si për shembull “verë maqedonase”, Avlonitis sqaroi se në këtë rast, eksport mund të ketë, por kompania e Maqedonisë së Veriut, nuk do të mund ta regjistrojë në nivel evropian produktin nën këtë shenjë tregtare, sepse bëhet fjalë për produkt grek me emër të mbrojtur të origjinës.
“Mund të eksportoni, por nuk do të mund ta regjistroni”, tha sekretari i përgjithshëm për tregti dhe mbrojtje të konsumatorëve dhe sqaroi se një gjë është eksport dhe tjetër gjë është regjistrimi, ndërsa për shembullin konkret për “verën maqedonase” nuk mund të regjistrohet shenjë tregtare me këtë emër.
Dhimitris Avlonitis, në takimin informativ me gazetarët theksoi se Marrëveshja e Prespës krijon dinamikë për hapje të kanaleve të komunikimit, masa shtesë për ndërtim dhe mundësi për bashkëpunim të bashkësive të biznesit të dy vendeve.
Paralelisht, ai bëri thirrje në qetësi dhe i rekomandoi biznesmenët grekë që ta përcjellin strategjinë tregtare që shfrytëzohet deri më tani dhe nëse konsiderojnë se duhet të regjistrohet produkti i tyre, ta bëjnë këtë.
Avlonitis i hodhi poshtë spekulimet dhe informacionet se marrëveshja jep mundësi për padi për shenjat tregtare.
“Do të parashtrojë edhe unë një pyetje, dikush të më përgjigjet. Në cilën gjykatë do të ishte padia dhe në bazë të cilës kornizë ligjore?, tha sekretari i përgjithshëm për tregti dhe mbrojtje të konsumatorëve nga Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit, Dhimitris Avlonitis në takimin informativ me gazetarët për shenjta tregtare në kuadër të Marrëveshjes së Prespës.
Komisioni për shenja tregtare, konform Marrëveshjes së Prespës duhet të formohet gjatë vitit 2019 dhe do ta përfundojë punën e saj në afat prej tre viteve. (koha.mk)