Asnjë fjalë kundër lojtarëve të tij dhe thotë se paguan gabimet që bën. Zhoze Murinjo e gjen gjithnjë një justifikim për të shpjeguar humbjen e skuadrës së tij. “Mendimet e mia të para? Që humbëm sigurisht. E dyta është se ishim në lojë deri në minutën e 80-të, por goli i tretë vrau shpirtin dhe moralin e skuadrës. Një gjë është një ndeshje e keqe dhe tjetër gjë është një ndeshje me gabime.
Unë mendoj se jona ishte një paraqitje me gabime. Të tre golat e pësuar erdhën prej gabimeve tona. Është futboll dhe për mua është akoma më shumë se futboll kur brenda një jave luan tri ndeshje radhazi në transfertë, ndërsa Siti luan tri ndeshje në shtëpi. Ndeshja jonë e fundit kundër Juventusit la shenja në ekipin tonë.
Është tjetër gjë të luash kundër një prej ekipeve më të forta të botës për 90 minuta dhe tjetër gjë të mundësh Shahtjor Donjeckun 6-0 në shtëpi dhe të relaksohesh”, tha trajneri i Junajtid pas humbjes në derbi. “Për mua, zero fjalë kundër lojtarëve. Gjithçka është pozitive. Unë jam me ata dhe ata janë me mua.
U ndje mungesa e Pogbasë?
Nuk më takon ta them këtë pas një humbjeje për një lojtar që nuk ishte në fushë. Por, sigurisht që na mungoi. Ai ndryshoi planin tonë, sepse nuk ishte në plan të startonte Felaini. Ai nuk ishte në gjendje të përballonte 90 minutat, por përpjekja e tij ishte e madhështore.
Çfarë u thatë lojtarëve pas ndeshjes?
Që po luanin shumë më mirë se më parë. Që janë shumë më të fortë dhe kompaktë dhe të mos lejojmë zhgënjimin e kësaj ndeshjeje të na mposhtë. Të na trishtojë po, por jo të na zhgënjejë.
Jeni më pranë Kardifit sesa Sitit?
Mos kini merak, nuk do biem nga kategoria.
Cila është diferenca me Sitin?
Janë 12 pikë diferencë. Ne pësojmë shumë gola dhe kjo nuk është përgjegjësi vetëm e katërshes së mbrojtjes. Kemi kalendar të vështirë. Është e pamundur të fitosh tri ndeshje radhazi (Juve, Siti, Çelsi).
A ka ende shpresë për titull për Junajtid?
Ne jemi jashtë katërshes së parë, si mund të flisni për titull? Le të luftojmë të ngushtojmë diferencën dhe ngjitemi në katër ekipet e para. Nëse e bëjmë, atëherë të shohim çfarë shansesh kemi.