Tetovë, 9 janar – Në muajin e fundit të vitit të kaluar në Rajonin e Tetovës janë regjistruar gjithsej 84 aksidente trafiku, informoi zëdhënësi i SPB Tetovë Marjan Josifovski, duke theksuar se në ato aksidente nuk ka të vdekur, pesë persona janë me lëndime të rënda trupore, 31 persona ma lëndime të lehta, ndërsa në 54 aksidente trafiku janë shkaktuar vetëm dëme materiale, njofton Koha.
Të dhënat e policisë tregojnë se 57 aksidente kanë ndodhur në vende të banuara, ndërsa 27 në rrugë të hapura. Pjesa më e madhe e rasteve në qytet, gjegjësisht 45 kanë ndodhur në bulevardet e Tetovës “Ilindenska”, “Vidoja Smilevski-Bato” dhe “Marshal Tito” përderisa për aksidentet jashtë vendeve të banuara kryeson autostrada Gostivar-Tetovë-Shkup ku ishin vërejtur 23 aksidente trafiku.
Shkak më i shpeshtë për aksidentet, veçanërisht për ato me pasoja më të rënda është mosrespektimi i përparësisë, ku janë regjistruar 16 raste. Në 15 raste ka ardhur deri te aksidente për shkak të shpejtësisë së pa përshtatur gjegjësisht vozitje shumë e shpejtë, ndërsa për shkak të veprimeve të gabueshme kanë ndodhur tetë aksidente.
Në aksidentet në muajt e kaluar kanë marrë pjesë gjithsej 129 automjete.