Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 nëntor – Prej një janarit të vitit 2018, krahas çmimit të benzinave, ngrohjes dhe rrymës, Komisioni Rregullator për Energjetikë do të jetë përgjegjës edhe për çmimin e ujit, shkruan gazeta KOHA. Me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për energjetikë, që hynë në fuqi vitin e kaluar, parashikohet që Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRE), të jetë kompetent edhe për përcaktimin e tarifave për çmimin e ujit të pijshëm në të gjitha komunat e vendit. Sipas ligjit për përcaktimin e çmimit të shërbimeve të ujit, çmimi do të varet nga tarifa e shërbimit të ujit, lartësia e kompensimeve lidhur me shfrytëzimin e ujërave si dhe tatimet e përcaktuara me ligj. Risi nga praktika e deritanishme e përcaktimit të çmimeve të ujit, është se për çdo subjekt juridik që ofron ujë për pije në mënyrë të veçantë do të përcaktohet çmimi i shitjes së ujit. Sipas dispozitave ligjore, prej një janarit të vitit 2018, me tariforen e re për ujë që do të vendosen te komunat me mbi 10 mijë banorë, hapet rruga që të shtrenjtohet uji në këto vendbanime, ndërsa nga viti 2019, çmime të reja të ujit mund të priten edhe në komunat më të vogla.
Në bazë të Ligjit për energjetikë, Komisioni Rregullator është i obliguar të miratojë vendimin për çmimet mesatare, minimale dhe maksimale të ujit, ndërsa vulën përfundimtare se sa do të kushtojë uji nëpër vendbanimet e ndryshme në Maqedoni, do ta kenë këshillat komunal që duhet ta votojnë një vendim të tillë. Periudha e çmimit të rregulluar zgjat tre vjet.
“Aktualisht punohet në përcaktimin e përllogaritjeve për katër tarifat, si uji i papërpunuar për furnizim me ujë të pijshëm, për furnizim me ujë të pijshëm, grumbullimi i ujërave të ndotur dhe tarifa për pastrimin e ujërave të zeza. Presim që deri në mesin e muajit të ardhshëm të miratojnë vendimet për kompanitë që marrin pjesë në procesin e përcaktimit të çmimeve, që sipas ligjit janë të gjitha ndërmarrjet komunale që furnizojnë me ujë tek rajonet me mbi 10 mijë banorë dhe kompanitë që dorëzojnë ujë të papërpunuar për këto firma. Gjithashtu, duhet theksuar se vendimin për çmimin e ujit e sjellin themeluesit e ndërmarrjeve komunale publike, siç janë këshillat dhe kryetari i komunës”, thotë kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Dimitar Petrov.
Ngjashëm me çmimin e rregulluar të energjisë elektrike, ku shpesh tre kompanive, Elektranave të Maqedonisë, EVN dhe MEPSO, nuk ju pranohen harxhimet e ndryshme që nuk arsyetojnë shtrenjtimin e rrymës, edhe në rastin e ujit pritet që humbjet në punën e ndërmarrjeve publike, si rrjedhojë e përqindjes së lartë të humbjes së ujit në sistem, të mos pranohen në tërësi si harxhim nga ana e rregullatorit. Në fund të vitit, ndërmarrjet që ekonomizojnë me ujin duhet të dorëzojnë raporte vjetore financiare deri tek Komisioni Rregullator për Energjetikë, në bazë të së cilave, rregullatori, në mënyrë të saktë, do të shikojë se si janë harxhuar të hollat dhe sa janë të arsyeshme shtrenjtimi i ujit dhe punësimet e reja. Tarifat e shërbimeve ujore do të bazohen në harxhimet operative, çmimet e mirëmbajtjes, harxhimet për investimet kapitale dhe kompensime, tatime dhe obligime të tjera ligjore.
Aktualisht janë parashtruar afër 75 kërkesa nga ndërmarrjet publike për rritjen e çmimeve të ujit. Prej tyre, shtatë janë që prodhojnë ujë për pije, 29 janë që furnizojnë komunat me ujë për pije dhe të tjerat janë që grumbullojnë dhe pastrojnë ujërat ndotëse. Afër 80 për qind e tyre punojnë pa humbje, kështu që ndërmarrjet janë të obliguara që me të hollat e çmimit të ujit të investojnë në përsosjen e sistemit dhe jo për harxhime të tjera, siç ishte rasti deri tani, thonë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Nga ana tjetër, projekti “Reforma në sektorin e ujit në nivel qendror”, i financuar nga Komisioni Evropian, dhe i implementuar nga Shtëpia konsulente “Niras”, pritet të përcaktojë tarifat mesatare, sipas të cilave, ndërmarrjet publike do të mund të paguajnë ujin për pije, tarifën për grumbullimin e ujërave të ndotur dhe pastrimin e ujërave të zeza për ato komuna që posedojnë stacione filtruese ose duhet të ndërtojnë të njëjtat në vitin 2018. Kompensimi i tërësishëm që do të paguajnë qytetarët për të gjitha tarifat, do të jetë në pragun e çmimin të kapshëm, gjegjësisht jo më shumë se tre për qind të ardhurave për kokë banori të amvisërisë.
Në ndërkohë, çmimin më të shtrenjtë të ujit e paguajnë banorët e Strumicës, Velesit dhe Koçanit me 30 denarë për metër katrorë, ndërsa më lirë e paguajnë me 10 denarë për metër katrorë, banorët e Dibrës, Gjevgjelisë dhe Negotinës. Në Shkup ku jetojnë gati një e treta e Maqedonisë, çmimi i ujit është 17 denarë për një metër katror.
Ndryshe, në arsyetimin e ndryshimeve ligjore lidhur me mënyrën e re të përcaktimit të kostos së ujit të pijshëm, theksohet se ky vendim ligjor është bërë me qëllim që përmes Komisionit Rregullator për Energjetikë të vendoset rend edhe në këtë sektor, sepse ekzistojnë raste të më shumë ndërmarrjeve, të cilat ujin ua shesin qytetarëve, por vetë nuk i paguajnë shtetit. Kompetencat e reja për Komisionin Rregullator, janë konstatuar të nevojshme, edhe për shkak se komunat ende kanë çmime të ndryshme për ujin, hidrocentralet paguajnë çmime të ndryshme, ndërsa edhe hidrosistemet për ujitje paguajnë gjithashtu çmime të ndryshme që ndodh që shpesh të jenë joreale. Arsyetim tjetër i kompetentëve për këtë hap, është edhe fakti se në vitet e kaluara, një numër i madh i ndërmarrjeve publike komunale për furnizim me ujë të pijshëm në vazhdimësi kanë kërkuar rritjen e çmimit, por që një kërkesë e tillë është anashkaluar nga autoritetet e pushtetit lokal për arsye politike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.