Ekremi na rrëfeu se në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ka pasur shumë zejtarë: farkëtarë, bravandreqës, teneqepunues, përpunues kallaji, kazanxhinj, nallbanë, saraçë, prodhues të papuçeve, këpucarë… Tani, siç tha ai, të gjitha këto dyqane janë të mbyllura. Konsideron se më parë në Çarshi ishte më interesant, më mirë, ndërsa tani me tregtinë po shkatërrohet meqë sillen kryesisht mallra të importuara, të gatshme dhe zanatet po shkatërrohen. Çarshia më parë hapej shumë herët, ndërsa tani nuk ka kurrfarë rendi
Shkup, 1 shtator – Zanatin e bojaxhiut e punoj me dashuri. E dua shumë dhe prandaj nuk kam ndërmend ta lë atë. Megjithatë, ka punë dhe jemi të kënaqur me këtë zanat. Edhe nëse nuk ka punë fare, unë do të vazhdoj më tutje, na tha Ekrem Neziri nga Punëtoria kimike për ngjyrosje “Hemboj” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Bojaxhiun Neziri e vizituam në dyqanin e tij në Çarshinë e Vjetër në Shkup, në rrugën “Debarska” nr. 3 a, pranë kinemasë “Napredok”. Edhe pse ishte një paradite e ngrohtë e gushtit, ne pimë çaj së bashku dhe biseduam për zanatin e bojaxhiut, të trashëguar nga babai i tij.
ZANATI I BOJAXHIUT ËSHTË I VËSHTIRË MEQË DUHET TË PUNOHET SI ART
Ky zanat i vjetër ka mbetur unik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Në dyqan pranohen për ngjyrosje me bojë leshi, pambuku, mëndafshi dhe lëkura. Biseduam me Ekremin dhe me djemtë e tij. Na treguan për fillimet e zanatit, i cili tani është familjar dhe punohet nëpër breza. Babai i tij ka qenë i pari që e ka punuar këtë zanat, ndërsa tani e punon Ekremi me djalin e tij të madh Amirin, i cili me siguri do të ndjekë gjurmët e tij. Folëm për atë se si bëhesh çirak, kallfë, mjeshtër ose pronar.
Dyqani ka qenë gjithmonë këtu, në këtë vend në Çarshi. Së pari ka pasur një pronar tjetër, Lupço, i cili ka shkuar në SHBA, e më pas punën e vazhdon familja Neziri. Dyqani dhe zanati i është lënë familjes Neziri si amanet – “Kurrë të mos mbyllet. Edhe nëse nuk ka punë, nëse nuk rrjedhë, do të pikojë”.
Ekrem Neziri kujton se babai i tij ka pasur punë. “Babait tim ky zanat i hyri në shpirt, e punonte me dashuri, e adhuronte atë, e trashëgoi zanatin. Më parë kishte shumë punë. Kishte shumë lesh, përdoreshin gjëra prej leshi, ngjyrosej shumë”, shprehet Neziri, i cili ka filluar të punojë që në moshën tetë vjeçe, ndërsa tani është 53-54 vjeç.
Ai thotë se ata përfitojnë mjaft për një jetë normale, por jo për më shumë. “Puna nuk është si më parë. Më parë kishte lesh, lesh i pastër që tjerrej. Kishte pambuk, gjithçka ishte e natyrshme. Leshi, e gjitha kjo tashmë është zhdukur. Tani ka sende prej pambuku, por ne jemi të kënaqur me këtë zanat. Derisa të jem unë gjallë nuk do të lejoj që djali im të mbyllë dyqanin. Unë shoh që edhe djali im e do zanatin”, tha Neziri, duke shtuar se tani ata kryesisht ngjyrosin tekstil. Familja Neziri janë të vetmit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit të cilët ngjyrosin, e ndoshta edhe në gjithë vendin. Klientët u sjellin mallra, në të shumtën e rasteve veshje, të dëmtuara prej detergjenteve ose prej diellit. Ata nuk duan të hedhin rrobat e tyre për shkak se u janë të preferuara dhe i ngjyrosin te ata.
“Ne ngjyrosim gjithçka, për shembull qilima, triko. Më parë kishte shumë batanije, ndërsa tani ka më shumë tekstil, veshje. Punojmë edhe me produkte lëkure, xhaketa, ngjyrosim këpucë, atlete, bluza, fanella, mund të riparohet gjithçka që është dëmtuar. Ne punojmë pandërprerë. Dyqani nuk është mbyllur asnjëherë. Punojmë dhe ndonjëherë vijmë edhe të dielave. Atëherë ka klientë që janë të lirë, telefonojnë dhe vijnë”, theksoi Neziri. Shprehen se i kanë mësuar materialet e reja dhe dinë si të punojnë me to. Kjo punë, ky zanat, siç bëri të ditur, është i vështirë meqë duhet të punohet si art, duhet të kombinohen bojërat, të dihet se cili mall në çfarë temperature shkon, cili mall si duron.
“Duhet pasur kujdes, të dihet sa bojë të vihet … Zanati është pranë zhdukjes. Tani e shoh që djali im do të vazhdojë. Nëse vazhdon kështu për mbijetesë është mirë, por nëse jo, atëherë do të duhet të kërkohet ndonjë zgjidhje”, konsideron Neziri.
Ai planifikon që ngadalë të tërhiqet, ndërsa dashurinë dhe përvojën e tij ia përcjellë djalit të tij Amirit. Dëshira e tij është që t’ia lë dyqanin dhe zanatin djalit të tij dhe ai të vazhdojë punën. Konsideron se edhe djali i tij, i cili është 23-24 vjeç, është i interesuar për këtë punë, ka dëshirë dhe dashuri. “Jam i kënaqur nga puna. Zanati kurrë nuk na lë pa para. Nëse nuk rrjedhë, do të pikojë”, shprehet Ekrem Neziri. Bojaxhiu ka ide për të punuar me qilima të vjetër, por nuk ka kapacitet, nuk ka ndihmë për të filluar me prodhimin e qilimave dhe gjërave të ngjashme.
PËR DYQANIN E BOJAXHIUT
Dyqani i familjes Neziri i ngjan një muzeu. Është ruajtur pamja autentike, asgjë nuk ka ndryshuar. Neziri shprehet se e mban dyqanin siç ka qenë të vjetër, antik, si muze. Edhe sot punohet me kazanë, të cilat nxehen dhe dihet se çfarë temperature nevojitet për një mall të caktuar.
“Më parë kishim katër kazanë më të mëdhenj, ndërsa tani tre më të vogël që më shpejtë të realizohet puna. Kazanët janë bërë me dorë, prej bakri, ndërsa ngrohet me naftë. Boja nuk harxhohet shumë, konsumohet nga një ose dy gramë”, na tregoi mjeshtri Neziri, duke shtuar se në dyqan ka bojë që nga koha kur ka punuar babai i tij, e ndoshta edhe më parë, që nga viti 1939. Në dyqan ka edhe kostume tradicionale nga gjithë vendi. Ata i blejnë, u ruajnë me dashuri, ndonjëherë i dhurojnë ose i shesin.
“Më parë, nënat, gjyshet tona, bënin shumë qilima dhe batanije. Ne i kemi ngjyrosur, unë i blej për vete, e ndonjë copë edhe e shes. Veshjet, Kohët e fundit janë duke u kërkuar veshjet, qilimat, po kthehemi sërish nga e vjetra”, tha Neziri. Na rrëfeu se në dyqanin e tij shpesh vijnë miq, turistë, politikanë, ministra, zyrtarë të huaj, ndërsa për kujtim ruajnë edhe fotografitë e tyre. Kur vijnë këtu, siç theksoi, të gjithë pushojnë, para së gjithash në aspektin psikik. Në dyqan kanë qenë mysafirë edhe ish-presidentët Kiro Gligorov dhe Branko Cërvenkovski, shumë politikanë dhe ambasadorë, me të cilët pinë çaj dhe bisedojnë. Në Çarshi, siç tha, ekziston bashkëjetesa, lëvizja, turistët, por ata nuk i dinë vlerat e zanatit, produkteve, veshjeve, qilimave dhe nuk janë edhe aq të interesuar. Ata janë të interesuar që nga shteti ynë të blejnë ndonjë gjë të imtë.
“Ata që e dinë, blejnë për qejf. Mbetet që vetë ne zejtarët të promovohemi, mbetet në fjalën e mirë të klientëve. Zëri i mirë dëgjohet larg”, tha Neziri. Bojaxhiu Neziri na rrëfeu se në të kaluarën zanati i tyre ka qenë i vlerësuar shumë. Konsideron se duhet të mësohet zanati, të rinjtë tani nuk punojnë, e disa nuk e dinë se çfarë është fjala bojaxhi. Shprehet se tani nuk ka punëtorë, nuk ka çirakë.
“Zanat të kesh. Zanati nuk të lë kurrë pa punë”, këtë na e porositën mjeshtri Neziri dhe djali i tij. Ne u pajtuam që shteti duhet të ndihmojë disa zanate që të mbijetojnë edhe më tutje. Nuk mjafton vetëm kompetentët herë pas here të interesohen për zanatet. Duhet të dëgjohen propozimet dhe kërkesat e zejtarëve.
PËR JETËN NË ÇARSHINË E VJETËR TË SHKUPIT
Ekremi na rrëfeu se në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ka pasur shumë zejtarë: farkëtarë, bravandreqës, teneqepunues, përpunues kallaji, kazanxhinj, nallbanë, saraçë, prodhues të papuçeve, këpucarë… Tani, siç tha ai, të gjitha këto dyqane janë të mbyllura. Konsideron se më parë në Çarshi ishte më interesant, më mirë, ndërsa tani me tregtinë po shkatërrohet meqë sillen kryesisht mallra të importuara, të gatshme dhe zanatet po shkatërrohen. Çarshia më parë hapej shumë herët, ndërsa tani nuk ka kurrfarë rendi.
“Në Çarshinë e Vjetër vetëm ne që kemi mbetur në mesin e më të vjetërve, si zejtarë, si bojaxhi. E respektojmë rregullin se në dyqani duhet të vish herët, të hapet në 7.30, ndërsa të mbyllet në orën 19.30. Unë si pronar, deri tani jam tepër i kënaqur, është mirë për jetën. Me këtë punë ne mund të nxjerrim një pagë, jo më shumë. I mbuloj shpenzimet, jemi të kënaqur”, shprehet Ekrem Neziri. Ai shton se klientët janë tepër të kënaqur, i dërgojnë porosi dhe përshëndetje se janë shumë të kënaqur. Në mesin e gjërave që mungojnë në Çarshi, sipas tij, janë më shumë banka, tualete, çezma për ujë të pijshëm, të rregullohet kalldërma e dëmtuar, të riparohen vrimat…