Në diskursin e integrimit euroatlantik, shtrohet pyetja çfarërroli do të kenë shqiptarët? Çështja është se a mund të vijmë në një situatë vërtetë të padurueshme në raport me shtetin e Maqedonisë, ne si shqiptar, pra domosdshmërisht për të avancuar statusin politiko-juridik. Analistë politik dhe profesor universitar kanë qasje të ndryshme
Fatos RUSHITI
Shkup, 20 shtator – Në kohën kur debati për referendumin është në vlugun e vet, ngjarje kjo që ka marrë përmasa ndërkombëtare, gazeta KOHA mëton të nxisë debatin brenda kampusit politik shqiptar dhe shoqërisë shqiptare përgjithësisht për çështje të interesit nacional. Kjo pasi periudha pas referendumit, pritet të karakterizohet më një dinamikë për anëtarësim në NATO deri në vitin 2020, dhe nga ana tjetër në raport me BE-në do të ketë reforma gjithëpërfshirëse në të gjitha hallkat e pushtetit shtetëror, shkruan gazeta KOHA.
Po në këtë diskurs, shtrohet pyetja çfarë roli do të kenë shqiptarët. Kur jemi tek pyetja se çfarë do të bëhet më tej, na ndihmon dhe qasja e BDI-së që ka vite në pushtet kur thotë se me ligjin për shqipen po mbyllet zbatimi ligjor i Marrëveshjes së Ohrit. Çështja është se a mund të vijmë në një situatë vërtetë të padurueshme në raport me shtetin e Maqedonisë, ne si shqiptar, pra domodshmërisht për të avancuar statusin politiko-juridik.
AVANCIM I STATUSIT TË SHQIPTARËVE, BRENDA STRATEGJISË EUROPIANE
Ismet Ramadani, njëri ndër njohësit e zhvillimeve politike që nga pavarësia e vendit e këndej, duke qenë dhe vet protagonist në politikë, mendon se çështja e avancimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoni, nuk do të ndalet asnjëherë, por se ajo do të bëhet në mënyrë demokratike dhe brenda procesit të zbatimit të Strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
”Mendoj së në të ardhmen, nevojat institucionale do të rriten, andaj përmes një dialogu të brendshëm ndërtenik, mund të krijohet klimë politike dhe demokratike për rritjen e korpusit të të drejtave politike të shqiptarëve në Maqedoni. Duke qenë në NATO dhe duke iu afruar BE, ky proces do të kalojë vetëm në mënyrë demokratike e jo përmes forcës siç ka qenë më parë”, thekson për KOHA, Ismet Ramadani.
Në këtë prizëm, sipas Ismet Ramadanit, partitë politikë shqiptare, duhet të kenë angazhim permanent për të ardhur, siç thotë ai, në një situatë të favorshme për avancimin e shqiptarëve në kushtetutë.
“Nuk mund ta përjashtoj se në vend mund të vijim në një situatë politik kur diçka nuk shkon, diçka nuk funksionon me qeverisjen dhe institucionet e larta shtetërore. Prandaj dhe mund të vijmë në situatë për të përmirësuar funksionalitetin e demokracisë, por gjithnjë me presion politik përmes metodave demokratike”, mendon Ismet Ramadani. Për të mos ardhur në situata të palakueshme në vend, Ismet Ramadani sqarons se Maqedonia duhet ti përgjigjet tërësisht zbatimit të Strategjisë së BE për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2018. “Ndihmesa e BE në zhvillimin ekonomik, infrastrukturë, siguri, rritje të kapaciteteve demokratike të institucioneve shtetërore, arsim cilësor, kulturë më të zhvilluar, mjedis më të mirë, krejt këto do të ndikojnë pozitivisht në raporte mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Pastaj shqiptarët në BE mund të bëhen eurodeputetë, do të jenë pjesë e institucioneve të rëndësishme të BE, të NATO-s, dhe organizmave tjerë evropianë, me çka do të rritet pesha jonë politike”, thotë Ismet Ramadani.
KUSH ËSHTË SOVRAN NË KËTË SHTET?
Analisti politik Ymer Ismalili mendon se metodat juridike të instaluara në Marrëveshjes së Ohrit, që përkufizojë barazinë juridike dhe politike mes dy etniteteve, gjatë zbatimit të saj në praktikë len shumë për të dëshiruar.
“Nëse dikush në Maqedoni në nivel institucional dhe në nivel personal promovon idenë se kjo metodë ka rezultuar me barazi, asesi nuk e thotë të vërtetën”, thotë Ymer Ismail. Nëse Europa do të na pranojë me këtë balancim formalo-juridik, atëherë sipas Ismailit, shqiptarët dhe maqedonasit në asnjë rrethanë dhe për asgjë në nivelin e të drejtave etnike, nuk do të jenë të barabartë, si dy etnikume më të mëdha në Maqedoni pavarësisht terminologjisë politike që përdorin politikanët tanë. “Shpresoj se edhe ata e dinë se me zgjedhjen aktuale formalo-juridike, shqiptarët përballë maqedonasve nuk janë të barabartë”, thotë Ismali.
Çështja është kush është sovran në këtë shtet, pyet Ymer Ismaili.
“Lexojeni preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. BE e ka të qartë por sa e kanë të qartë shqiptarët, atë unë nuk e di”, thotë ai duke qenë njëkohësisht i bindur se BE këtë disbalanc etnik do ta amortizojë me mekanizma juridikë , vë theksin Imer Ismalili.
Sipas profesorit të drejtës kushtuese, Mersim Maksuti, avancimi i statusit politiko juridik të shqiptarëve në Maqedoni paraqet një proces i cili zhvillohet varësisht rrethanave shoqërore politike si brenda ashtu edhe atyre ndërkombëtare.
“Edhe pse të gjitha këto rrethana ndikojnë qe për momentin Maqedonia të funksionoj si shtet unitar, por fundja edhe në këtë formë të rregullimit shtetëror poqese ka vullnet dhe frymë pozitive në masë te konsiderueshme mund më tej të avancohen të drejtat e shqiptarëve nëpërmjet një shteti unitar por në shkallen më të lartë të decentralizimit”, thekson për KOHA, Mersim Maksuti. Kjo do vijë në shprehje siç thotë ai, me rritjen e dukshme të kompetencave të pushtetit lokal si dhe me forcimin e elementit shtetformues të shqiptarëve në formimin dhe funksionimin e organeve qendrore të pushtetit si në Qeveri dhe institucionet tjera të pushtetit qendror. (koha.mk)