Shansi i vetëm që vendi të hyjë në një cikël të reformave serioze dhe ripërtrijen e institucioneve është në fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian
Destan JONUZI
Shkup, 1 qershor – Ndryshimet e paralajmëruar në ekzekutiv dhe institucionet tjera shtetërore po ndiqen me interes të madh nga opinioni publik. Nga ana tjetër analistët thonë se këto ndryshime personale nuk janë të mjaftueshme, pa departizimin e institucioneve dhe funksionimit të sistemit efikas. Nga këtu lindin edhe dilemat në opinion, se a ka vendi institucione stabile dhe kredibile?
Analisti Branko Geroski thotë se izolimi i zgjatur ndërkombëtar i Maqedonisë së Veriut, kriza politike dhe mungesa e perspektivës, midis tjerash, kanë shkaktuar edhe erozion të institucioneve. “Madje edhe para regjimit të Gruevskit, e në veçanti gjatë asaj periudhe, institucionet tërësisht ishin të partizuara dhe të kapura në çdo kuptim. Ripërtrirja e institucioneve nuk mund të bëhet pa reforma thelbësore, pa departizim dhe vendosjen e sistemit të meritokracisë, e kjo, për fat të keq, në këto dy vite të qeverisjes së kryeministrit Zaev, megjithatë nuk ka ndodhur. Të paktën jo në atë masë e cila do ti plotësonte premtimet për zero tolerancë ndaj mangësive, për departizim dhe qeverisjes të mirë. Shansi i vetëm që vendi të hyjë në një cikël të reformave serioze dhe ripërtrijen e institucioneve është në fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian”, deklaroi Geroski për gazetën KOHA.
Ndërkaq juristi Qenan Aliu thekson se parimisht kredibiliteti i institucioneve nënkupton se sa në kuadër të kompetencave të tyre ato sjellin apo zbatojnë politika publike në bazë të procedurave të parashikuara me normat pozitive ligjore të vendit.
“Kredoja e një institucioni do të ishte tërësia e sjelljes së politikave publike për institucionet që i sjellin dhe atyre që i zbatojnë. Por kredibiliteti i institucioneve do të ishte i mangët nëse ata nuk janë stabile. Stabiliteti i institucioneve në mes tjerash nënkupton qëndrueshmërinë e tyre në shumë dimensione. Pra qëndrueshmëria varet prej disa faktorëve, kur ata janë të politizuara, partizuara skajshmërish apo pa buxhete të mjaftueshme, nuk mund të shpërfaqin stabilitet gjatë funksionimit të tyre. Pra në Maqedoninë e Veriut disa nga faktorë e bëjnë që institucionet shpesh herë të shpërfaqin jostabilitet, funksionalite jo të mjaftueshëm dhe krejt këto tek qytetarët shprehin edhe jo besueshmëri. Thënë shkurt institucionet pa besueshmëri solide tek qytetarët e një vendi jo vetëm se trajtohen si jo kredibile dhe jo stabile, në fund trajtohen si të kollabuara në aspektin politik apo juridik”, deklaroi për gazetën KOHA, Aliu. Sipas tij, një shoqëri mund të ndërtojë institucione kredibile dhe stabile kur ata ngrihen mbi bazën e një zinxhiri të demokracisë, ekonomi të zhvilluar, zgjedhje demokratike, gjyqësor të pavarur dhe shoqëri ku ka sundim të së drejtës dhe ligji të vlejë për të gjithë si parim universal.
Njohësi i zhvillimeve politike në vend Faton Aliti potencon se përderisa kemi institucione të mbingarkuara dhe ndikuara nga politike, nuk mund të kemi institucione kredibile dhe stabile. “Në situatë të institucioneve të stërngarkuara me kuadro të papërshtatshëm dhe me agjenda partiake, nuk mund të flitet për institucione stabile. Kemi shenja dhe veprime pozitive në drejtim të departizimit të gjyqësorit, por akoma jemi larg nga niveli i nevojshëm konform demokracisë së mirëfilltë”, vlerëson Aliti. Në vitet e shkuara qeverisja dhe politikëbërja ishin kritikuar për shkak të fokusit të madh rreth çështjes së emrit dhe lënia anash të çështjeve tjera prioritare për qytetarët. Për shkak të kësaj, opinioni vlerëson se që të ketë ndryshime duhet të përmirësim radikal. (koha.mk)