Pas zhgënjimit nga gara e fundit në Amerikë, ku iu hoq vendi i tretë dhe podiumi për shkak të një penaliteti prej pesë sekondash piloti holandez Maks Verstappen shpreson që këtë gjë ta marrë në garën e radhës, këtë të diel, në pistën e Meksikës, ku zhvillohet gara e radhës e Botërorit të Formula 1. “Do të jap maksimumin për të qenë mes tre pilotëve më të mirë. Vjet iu afrova shumë këtij rezultati, por gjërat nuk shkuan ashtu si dëshiroja. Kam shumë nevojë për këtë podium që do të jetë si një hakmarrje për padrejtësinë që më bënë në Amerikë”, u shpreh piloti 19-vjeçar i Red Bull.
“Kjo është një pistë fantastike, por edhe atmosfera këtu është e jashtëzakonshme. Asnjë pistë tjetër në Formula 1 nuk ka tribuna të tilla si në Meksikë, pro edhe pista është e shpejtë dhe nuk kërkon shumë sforco fizike. Edhe fansat janë gjithnjë të zjarrtë, ndaj mezi pres të garoj sërish këtu”, tha Verstappen, që gjithnjë mendon për padrejtësinë që iu bë në Amerikë. “Për fat të mirë garohet shumë shpejt dhe kam mundësi për të treguar se jam i shpejtë dhe se ai ishte një gabim nga ana e komisarëve”, deklaroi Majs Verstappen, që këtë sezon ka fituar vetëm një garë.