Vjollca SADIKU
Dibër, 23 janar – Shoqata “Porosia”, e cila mbron interesat e personave me aftësi të kufizuara të karakterit psikik, gjatë viti të kaluar ka realizuar aktivitete të shumta në interes të personave në fjalë. Janë realizuar ligjërata, takime me ekspertë, por edhe ekskursione në vend dhe jashtë. Përfaqësuesit e kësaj shoqate theksojnë se viti 2016 ka qenë një vit shumë i suksesshëm. Bashkëpunimi i shoqatës me shoqatat të tjera simotra në vend dhe në rajon, ka dhënë frute, meqë janë realizuar edhe projektet të përbashkëta. Në këtë drejtim, sidomos janë bërë binjakëzime me shoqatat simotra nga Shqipëria.
Kryetari i Shoqatës “Porosia”, Bekim Ame, thotë për gazetën KOHA se bëhet fjalë për një shoqatë, e cila koordinon aktivitete e saj me qendrën që ndodhet në Shkup. Gjatë vitit të kaluar, sipas tij, shoqata ka pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë me shoqata të shumta që kujdesen për personat me aftësi të kufizuara. Po ashtu ka pasur një bashkëpunim në nivel edhe me institucionet kompetente që veprojnë në Dibër dhe rrethinë. Është kjo një shoqatë, shton Ame, e cila si anëtar të rregullt ka personat, por edhe prindërit e tyre. Çdo aktivitete faktikisht realizohet në bashkëpunim me anëtarësinë. Vitin e kaluar disa herë në Dibër kanë qëndruar ekspertë-fizioterapeut, logoped etj. nga Republika e Shqipërisë, të cilët kanë trajnuar anëtarët të shoqatës në Dibër. Në një situatë kur në Dibër nuk ka ekspertë të këtillë, thotë Ame, prezenca e ekspertëve nga Shqipëria, e sidomos nga Tirana, kanë qenë të mirëseardhur. Gjatë vitit të kaluar, sipas tij, ka pasur edhe një bashkëpunim shumë të mirë me shoqatat nga Korça, Tirana, Pogradeci, Elbasani, Tirana etj. Shkëmbimi i përvojave për punë me persona me aftësi të kufizuara, ka qenë në vend të parë. Ky bashkëpunim tani më është thelluar dhe janë duke u realizuar takime edhe gjatë fillimit të këtij viti. Presim realizimin e projekteve të përbashkëta ndërkufitare me mjete të fondeve IPA të Unionit Europian, thekson Ame.
Përndryshe, duke marrë parasysh karakterin e personave në fjalë, një vëmendje e veçantë i kushtohet ekskursioneve një ditore. Më se 20 të tilla janë realizuar gjatë viti 2016, kurse ky vit ka nisur me një ekskursion në qytet Korçë dhe Pogradec. Atje përfaqësues të Shoqatës “Porosia” kanë pasur takime me anëtarët e qendrës ditore, ku janë shkëmbyer përvojat, por është biseduar edhe për aktivitete e përbashkëta për vitin 2017.
Kur bëjmë fjalë për sektorin joqeveritar, respektivisht aktivitetet e shoqatave që funksionojnë në sferën e mbrojtjes të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, është për t’u theksua se përveç Shoqatës “Porosia” funksionojnë me sukses dhe kanë pasur rezultate shumë të mira gjatë vitit të kaluar edhe Shoqata “Mobiliteti” që merret me problemet e personave me invaliditet trupor, shoqatat e invalidëve civil të luftës, shoqata e invalidëve të punës etj. “Porosia” si shoqatë po ashtu ka një bashkëpunim të madh edhe me Qendrën ditore për personat me aftësi të kufizuar që funksionon nën ombrellën e Qendrës ndërkomunale për punës sociale në Dibër. Kategoria e personave është e ngjashme me atë të anëtarëve të Shoqatës “Porosia”, prandaj edhe nevoja për një aktivitet më të madh të Qendrës në fjalë, thekson bashkëbiseduesi ynë, Bekim Ame. Nga ana tjetër, kur jemi te Qendra ditore për personat me aftësi të kufizuara psikike dhe fizike në Qendrën për punë sociale theksojnë se vazhdon që problemi i personave në fjalë të mbahet si tabu temë. Në Qendrën ditore, edhe pse ka kushte shumë të mira për akomodim, janë vetëm shtat persona që vizitojnë këtë Qendër, edhe pse numri i evidentuar i personave me invaliditet në fjalë është mbi 35 në komunat Dibër dhe Qendër Zhupë.
Përndryshe, vlerësimi i përbashkët i shoqatave qytetare është se shoqatat që mbrojnë interesat e personave me aftësi të kufizuara për vitin 2016, kanë qenë në nivelin e duhur, meqë kanë ofruar të gjitha mundësitë për t’u integruar, socializuar dhe për t’i pasur të gjitha të drejtat e tyre ligjore që u takon.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.