Shkup, 21 shkurt – Këshilli i Qytetit të Shkupit në mbledhjen e ardhshme të paralajmëruar për të martën javën e ardhshme do votojë për 22 pika mes të cilave është edhe propozim-lista për plotësimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në zonën e qytetit të Shkupit.
“Bëhet fjalë për një listë prej 570 emrave të rinj dhe të vjetër të grave, burrave, vendeve, termave që mund të përdoren për emërimin e objekteve të infrastrukturës në territorin e qytetit të Shkupit. Plotësimi i bazës nga e cila mund të zgjidhet për emërimin e rrugëve, shesheve, urave, etj. është e rëndësishme, mbi të gjitha, për shkak të gjithëpërfshirjes së procesit, në të cilin u përfshinë edhe qytetarët përmes një sondazhi në vitin 2018 dhe për shkak të mbulimit të emrave që janë të rëndësishëm për Shkupin, ndërsa nuk ishin në atë listë ose ishin fshirë në procedura paraprake. Votimi nga Këshilli i Qytetit të Shkupit është një hap tjetër në procedurën e përgjithshme, ndërsa kjo listë më tej duhet të votohet edhe nga Qeveria”, thekson Qyteti i Shkupit në paralajmërimin për seancën.
Këshilli i Qytetit të Shkupit duhet të diskutojë edhe për miratimin e raportit për realizimin e buxhetit të Qytetit të Shkupit për vitin e kaluar.
“Sipas raportit, në vitin 2020, të hyrat totale të realizuara prej 6,044,759,756.00 denarë përkojnë në 76.7% me ato të planifikuara. Ndërsa shpenzimet prej 5,902,865,372.00 denarë korrespondojnë me 74.9% të shpenzimeve të planifikuara. Në krahasim me vitin e kaluar 2019, realizimi i të hyrave në buxhetin e përgjithshëm të Qytetit të Shkupit në vitin 2020 shënon ulje prej 10.6% ndërsa realizimi i shpenzimeve, duke e ndjekur dinamikën e realizimit të projekteve të planifikuara, shënon rritje prej 10.4%. Teprica e të hyrave nga viti paraprak prej 936,624,244.00 denarë është shpenzuar kryesisht për buxhetin bazë (917,394,067.00 denarë), aktivitete të vetëfinancimit (4,499,206,00 denarë) dhe donacione (14,930,971.00 denarë), kumtoi qyteti i Shkupit.
Prej atje paralajmëruan se në këtë seancë do të votohet edhe për strategjinë për barazinë gjinore të Qytetit të Shkupit 2021 – 2015.
Strategjia është në kontinuitet të asaj që është përpunuar paraprakisht dhe strategjive përkatëse – e para e zbatuar në 2013-2017. Bëhet fjalë, siç shpjeguan, për një dokument strategjik që do të miratohet në mënyrë që të promovojë mundësi të barabarta për gratë dhe burrat në jetën e përgjithshme shoqërore në qytet, i cili duhet të jetë lider dhe shembull për komunat në promovimin dhe avancimin e barazisë gjinore.