Vendimet që do të merrnin ishin të rëndësishme, por krenaria e kualifikimit në finalen e Botërorit, bëri që kabineti qeveritar i Kroacisë të thyejë formalitetin.
Kryeministri i vendit dhe të gjithë ministrat janë paraqitur në mbledhjen e radhës jo me veshje zyrtare, por me fanellat e Kombëtares së futbollit. “E gjithë bota po flet për Kroacinë, për ekipin, për lojtarët, për flamurin tonë. Është e papërshkrueshme”. “Të gjithë ne në mbarë Kroacinë, edhe një herë përgëzojmë Kombëtaren e futbollit, trajnerin Zlatko Daliç dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit për këtë sukses të sportit kroat dhe të gjithë vendit tonë. Arritja e tyre ishte frymëzuese”, ka thënë kryeministri i vendit, Andrej Plenković.
Mbledhja më pas procedoi me diskutimin mbi vendimet që duhet të merreshin. Edhe nga pamjet e publikuara në mediat europiane, duket se ministrat kanë diskutuar mbi rendin e ditës.