Delvina KËRLUKU
Visar ADEMI lindi në Gostivar. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Arsimin sipëror në Tiranë, fakulteti Ekonomik. I renditur në mesin e studentëve më të mirë, në vitin 2004, Visar Ademi u nderua me një diplomë MBA nga Lancaster University, Mbretëria e Bashkuar. Në vitin 2001, me një bursë të dhënë nga Universiteti Georgetoën. Ai përfundoi me sukses studimet post-diplomë në Biznes dhe Diplomaci Ndërkombëtare, në SHBA. Ka punuar në UEJL, poashtu në kompani prestigjioze në Londër. Aktualisht po mban pozicionin e drejtorit ekzekutiv të ‘Karrierës sime’, një nga programet më inovative të nisura në Maqedoni. Ademi gjithashtu punon edhe si konsulent ndërkombëtar për programet e financuar nga USAID dhe donator të jashtëm. Njihet si analist i çështjeve politike në vend. Është i martuar dhe ka dy fëmijë.
KOHA: Z. Ademi, ju keni ngritur zërin mbi problemet që i përkasin Maqedonisë. A është e lehtë të flasësh në një kohë kur ligji dhe institucionet mbrojtëse të shtetit nuk të mbrojnë?
ADEMI: Përgjithësisht Ballkani është territor i vështirë për të gjithë ata që duan dhe flasin të vërtetën, sidomos kur je një kritikues i politikave qeveritare dhe kur me paraqitjet e tua mundohesh ta informosh dhe vetëdijësosh shoqërinë për të gjithë fenomenet dhe devijimet negative që ndodhin në atë shoqëri. Dhe Maqedonia nuk është përjashtim i këtij rregulli, sidomos kur ka një represalie të të vërtetës që ka ndodhur gjatë kohës të qeverisjes se VMRO-se me BDI-në, kur të dy këto parti kishin pushtet absolut mbi gjitha resurset në Maqedoni. Ajo që është ndryshe tani krahasuar me periudhën komuniste kur kishte internime, burgime si dhe vrasje për ato që mendonin dhe frymonin lirisht është se tani internimi i njerëzve dhe mendjeve te lira bëhet nëpërmjet përjashtimit dhe kufizimit të përfitimeve të tyre nga resurset publike si dhe shantazhet që u bëhen kur komunikojnë dhe u thërrasin mendjeve të tyre të lira dhe japin mendim kritik për politikat qeveritare. Ajo që ishte akoma më evidentë ne Maqedoni në këto 10-vitet e fundit është se media si institucion dhe platformë që gjithandej shërben për promovimin e njerëzve dhe ideve kritike u kthye në platformë që mbulonte dhe manipulonte të vërtetën. Jo vetëm aq, por mediat anatemonin njerëzit të cilët mendonin ndryshe. Por tani të shpresojmë që ajo periudhë është e kaluar më dhe më në fund vlerat e vërteta të promovuar nga elitat intelektuale dhe politike do të promovohen siç duhet në shoqëri. Siç thonë shpesh qeverisja dhe elita politike e një shteti është reflektim i shoqërisë në atë shtet. Tani të shohim nëse ne do të kemi mundësi dhe kapacitet të krijojmë shtet ose do të vazhdojmë të shkatërrojmë deri sa nuk do ta kemi më.
KOHA: Nga paraqitjet Tuaja gjatë gjithë kohës, kemi vërejtur një kontinuitet në qëndrime, pa marrë parasysh se kush udhëheq me pushtetin. Mund të na thoni, është e ndershme të jesh i paanshëm?
ADEMI: Te ne, pas shumë kohësh janë shtrembëruar gjërat dhe mënyrat se si ne i perceptojmë dhe gjykojmë mbi fenomenet shoqërore. Ka një periudhë të gjatë që gjërat që janë normale duken si përjashtime dhe përjashtimet janë kthyer rregulla. Sot, të kesh mendime të pavarura duket anormale në një kohë që anshmëria, serviliteti dhe përkulja janë kthyer në gjëra normale që më herët janë dukur si vlera të huaja. Në këtë koncept është e vështirë të mbijetosh gjithsesi njeri është mirë të ngelën rob i principeve të veta sepse vetëm në atë mënyrë mund te ris kredibilitetin dhe vlerën e mendimeve dhe ideve të veta. Por e vërteta është që ndonjëherë kur je i kushtëzuar me punësimin se a ke mundësi të thuash të vërteten. Është po ashtu e vërtetë që në Maqedoni, pavarësia intelektuale kalon nga barku dhe xhepi dhe jo nga mendja sepse modeli i kushtëzimit për të mbajtur punën ose për tu punësuar është shume i madh në një kohë që pa punësia është shume e madhe. Unë shpesh edhe tani pyetem se si do të kishin reaguar prindërit e mi sot nëqoftëse do të shantazhoheshin me humbjen e punës kur tu kërkohej të përkrahin dhe të dilnin nëpër mitingjet partiake në ndër kohë që kishin dy studentë si 20 vite më herët dhe kur vareshin nga paga shtetërore (nena ishte mësuese dhe babai punëtor medicinal). Akoma pyetja dhe dilema tek unë është e madhe, se si do veprohej. Do ndiqej mendja dhe shpirti kritik ose mirëqenia e familjes.
KOHA: Asnjë politikë në botë nuk do të mund ti shkatërronte institucionet siç ka bërë ajo në Maqedoni?
ADEMI: Në 10-vjeçarin e fundit është bërë masakrim institucional. U bë “inzhenjering rivers” duke kthyer partinë më të rëndësishme se institucionin dhe duke zëvendësuar disa nga funksionet e institucioneve me ato të partisë. Partia u kthye si institucion ku njerëzit kërkonin të drejtat e tyre kushtetuese prej punësimit deri te tenderët për shërbimet publike. Kjo bëri që institucionet të dobësohen, por ama partia të forcohet. Njëlloj si në kohën e komunizmit kur partia ishte më e rëndësishme se shteti. Realisht, në këtë 10-vjeçar ne ringjallëm komunizmin në formën dhe veprimin e saj më të vrazhdë por kësaj radhe me të vetmin ndryshim që sot kemi sistem shumë-partiak pra u shtuan partitë që zëvendësonin dhe zhvatnin institucionet. Institucione të partizuara me përfaqësim të dobët, pa ide dhe me anshmëri veprimi bëri që njerëzit edhe pas 25 viteve të pyetën nëse vërtete komunizmi si ideologji ishte më i mirë se demokracia dhe nëse ky shtet vërtetë meriton të ekzistojë. Tani i ngelet kësaj klase politike të bej detoksifikimin partiak te institucioneve njëlloj siç bëjnë njerëzit pasi kanë ngrënë shumë pas festave të fund vitit.
KOHA: Si ekonomist, çfarë i duhet konkretisht Maqedonisë që të përmirësojë ekonominë e shtetit, dhe me këtë edhe jetën e qytetarit të rëndomtë?
ADEMI: Duhet që të implementojë tre principe universale që nuk kanë shumë të bëjnë me pjesën teknike dhe ekonomike, por janë shumë të rëndësishme për çdo qytetar: transparenca, llogaridhënia si dhe qëllimet e sinqerta. Duhet të instalohet transparenca në çdo aktivitet dhe projekt që planifikon dhe realizon qeveria. Pastaj duhet të japin llogari për çdo shpenzim që harxhojnë nga paratë e taksapaguesve në Maqedoni dhe në fund të keni qëllime dhe plan të sinqerte për zhvillimin ekonomik të vendit. Sa i përket pjesës teknike mendoj se qeveria duhet të fokusohet në katër shtyllat kryesore: përkrahje teknike dhe financiare te sektorit të eksportit, tërheqja e investimeve të huaja por kësaj radhe kompani që duan të integrohen realisht në ekonominë e vendit dhe jo nëpër ishujt ekonomik që krijoj qeveria e kaluar, të promovoj dhe përkrah sipërmarrësin si instrument i vetëm i qëndrueshëm për vetëpunësim si dhe përkrahja e të rinjve që do të zhvillojnë produkteve dhe shërbimeve inovative.
KOHA: Sot, institucionet arsimore, veçmas Universitet janë vend për të përfituar dije, biznes, apo?
ADEMI: Shihni është trend global që ka një rënie të arsimit kjo veçanërisht e saktë në fushën e përmbajtjes të programeve dhe përçimit të dijes. Maqedonia nuk është përjashtim i këtij trendi. Por ajo që është shqetësuese këtu është përqindja e lartë e personave të ashtuquajtur të “analfabetëve funksional”, nxënës që njohin shkronjat por nuk dinë të zhvillojnë fjali me to. Kjo është shqetësuese se këto njerëz nesër do të udhëheqin me resurset publike dhe institucionet e krejt shtetit dhe do të marrin pozicione të larta nga të cilët varet mirëqenia e këtij shteti. Tani si mund ti besosh dikujt me kaq shumë përgjegjësi kur ato formimin e tyre profesional e kanë të dyshimtë.
Po ashtu është e vërtetë që një kontribut të madh në rënien e cilësisë së arsimit kanë edhe vet institucione e dijes por edhe partitë politike. Të dytët sepse kanë mbushur amfiteatrot dhe klasat me njerëz te dështuar politikisht që kanë gjetur strehim duke u kthyer ne profesorë dhe ligjërues nëpër institucione të privatizuar dhe politizuara të dijes, ndërsa këto te parët sepse panë mundësi që me rritjen e numrit të të regjistruarve të risin sasinë dhe numrin e studentëve. E gjithë kjo që të risin profitabilitetin e tyre, por duke ulur ndjeshëm cilësinë e arsimit. Kjo është shumë e dëmshme për të gjithë në një afat pak më të gjatë sepse të gjithë të rinjtë që kanë pak më tepër cilësi do të ikin nga Maqedonia për shkak se do te stimulohet dhe përkrahet serviliteti dhe përkatësia partiale në vend të cilësisë dhe të tjerët do të imigrojnë nga shteti duke e kthyer Maqedoninë oazë e njerëzve pa ambicie dhe sukses që me vonë do të krijojnë reperkusione të mëdha për vetë qëndrueshmërinë e shtetit.
KOHA: Maqedonia diskuton për reformat integruese në BE dhe NATO. Ju besoni se Maqedonia është në rrugë të drejtë që të jetë pjesë e strukturave euroatlantike?
ADEMI: Përveç kritereve për reforma që kanë vendosur çdonjëra nga institucionet ku ne duam të aderojmë NATO më tepër se çdo institucion tjetër vlerëson dhe vendos mbi parimet politike për një shtet kandidat. Tani besoj se NATO-s më tepër se çdo institucion tjetër është i interesuar që në Ballkan të ketë siguri dhe stabilitet politik prandaj mbase është mirë për rajonin që Maqedonia të jetë anëtare e plotë e NATO-s, sepse bashkë me Bosnjën akoma përbëjnë rrezik për shpërbërjen e shtetit për shkak se ndër vite kanë krijuar institucione të partizuara, siguri të brishtë dhe stabilitet shpeshherë të kushtëzuar nga çdolloj marrëveshje që bëhen në emër të demokracisë. Ne kemi dhënë prova të mjaftueshme që nuk dimë të ndërtojmë shtet prandaj ndërhyrja e këtyre institucioneve multinacionale dhe me eksperiencë të madhe duhet të na ndihmojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të shoqërisë.
KOHA: Maqedonia është nën ethet e ndryshimeve. Cilat do të duhet të jenë hapat e parë për të bërë ndryshime edhepse është zgjedhur një Qeveri e re?
ADEMI: Duhet të bëj gjithçka që nuk bëri qeveria e kaluar. Domethënë duhet t’u kushtoj prioritet që të punoj në departizimin e institucioneve, duhet të krijoj perspektivë ekonomike më të mirë për qytetarët e saj, të siguroj implementim të paanshëm të ligjit, të krijoj kushte për zhvillim demokratik dhe mbi të gjitha të përkrah mendimet kritike të shoqërisë civile ndaj politikave të saj por dhe të krijoj kushte të drejta për zhvillim të paanshëm te mediave vizive dhe te shkruara në shtet.
Por, mbi të gjitha prioritet mbi prioritetet është të përmirësoj cilësinë e arsimit sepse arsimi ka rënë shumë dhe që efektet e saja negative do të na kushtojë të gjithëve ne si shoqëri. Ajo që duhet bërë është reformimi i programeve akademike të shkollave të mesme teknike dhe atyre të përgjithshme nëpërmjet programeve të partneritetit ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat, të përmirësohet cilësia e mësimdhënies nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme të stafit akademik si dhe përmirësimi i aftësive praktike nëpërmjet realizimit të praktikave tek kompanitë e sektorit privat për nxënësit dhe studentët.
KOHA: Cilat i shihni si më të rëndësishme, ndryshime në sistemin e arsimit, sistemin ekonomik, atë të drejtësisë, administratë, siguri dhe kundërzbulim…?
ADEMI: Të gjithë kombinuar së bashku. Ne kemi bërë aq shumë devijime dhe deformime në çdonjërën nga këto sisteme, të cilat Ju i theksoni saqë qeveria nuk ka luksin që të merret vetëm me njërën ose disa nga këto, por me tërësinë e saj. Por siç thashë më sipër, sistemi i arsimit është më i rëndësishmi dhe më prioritet të lartë. Sepse atje në sistemin e arsimit krijohet “brumi” i të gjithë këtyre profesionistëve që Ju përmendni. Nëqoftëse ne krijojmë sistem të arsimuar që nuk duron mendim kritik dhe të pavarur me kompetenca që lënë shumë për të dëshiruar kjo do të sjell që të kemi joprofesionalizëm në çdonjërën nga fushat e lartpërmendura. D.m.th do të kemi gjyqtarë të varur nga politika, sipërmarrës te paarsimuar që realizojnë profit vetëm për shkak të fatit ose produktit unik dhe krijojnë modele jo shumë të qëndrueshme, do të kemi administratë që varet nga përkatësia partiake dhe ka për bazë servilitetin dhe shërben partinë ne pushtet por jo edhe qytetarët e saj. Ky sistem i bazuar në antivlera është instaluar vite me radhë këtu në Maqedoni, prandaj besoj se ka ardhur koha qe të reformohet i gjithë sistemi në tërësi dhe jo pjesë të saj.
KOHA: Më e dëmshmja për një biznes është mbajtja e tij nën presionin e vazhdueshëm të kontrolleve, duke e konsideruar të dyshuar dhe duke e zbatuar politikën fiskale të fokusuar vetëm mbi atë?! Si ndodh te ne?
ADEMI: E përmendëm se partizimi i institucioneve publike domosdo do të ketë efekt spiral edhe në fushat e tjera të jetës dhe sektori privat ose biznesi nuk mund të ngelin jashtë këtij ndikimi. Ajo që mua me shqetëson është kontrollet selektive dhe gjobat që u vihen bizneseve vetëm se janë të afërt me njërën ose tjetrën parti. Mbase ato detyrohen të përkrahin parti të veçantë duke u shantazhuar ose duke marrë pjesë ne prokurime publike dhe më pas detyrohen të përkrahin ndonjë provenience politike. Kjo duhet të mbaroj sa më shpejtë. Shteti është aty për të qenë dore e padukshme, rregullator i lojës, te vendos rregulla dhe të siguroj lojë fer dhe të paanshme që të mund që kompanitë të garojnë mes veti që të mund të krijohen biznese që nesër do të konkurronin ne tregje rajonale dhe globale. Por duke e shantazhuar biznesin, e gjobitur atë dhe e detyruar që të korruptoj punonjës administrate për shërbime që edhe ashtu i takojnë nuk krijohet sistem i qëndrueshëm dhe biznese të suksesshme që do të mund të investonin kapitalin e tyre ne shtet.
KOHA: Një ekonomist mund ta shprehë me zë të lartë se i vetmi qëllim kuptimplotë i biznesit fitimprurës është maksimizimi i fitimit të tij. Por, kjo nuk i tingëllon e vërtetë ndonjërit që ka futur “qeverinë” në biznesin e tij?
ADEMI: E theksova më lart se të dyja garniturat e partive maqedonase krijuan grupin e tyre të oligarkëve ose bizneset të afërta me ta që të mund të financojnë më tutje partitë. Ashtu bëri edhe e majta (LSDM) me privatizimin ne fillim të viteve të 90-ta kur kapitali dhe prona shoqërore kaloj nga menaxhimi publik në atë privat duke Ju dhëne pronat shoqërore personave të afërt me partinë ne pushtet. Të njëjtën bëri edhe e djathta (VMRO) nëpërmjet projektit “Shkupi 2014″ duke subvencionuar dhe financuar me paratë e qytetarëve kompani të afërta me proveniencën e djathtë. Këto biznese që kanë përfituar nga afërsia me partitë ne pushtet pastaj nëpërmjet ligjeve dhe rregulloreve kanë krijuar presion qeverisë që të vazhdoj pozicioni i tyre favorizues në treg. Shpesh kemi pengesa tarifore dhe jo-tarifore që u imponohen bizneseve vetëm për të mbrojtur një kompanie të veçantë. Vetëm partitë shqiptare ngelen jashtë kësaj gare edhe pse BDI ndoshta mund të ketë përfituar pak por fitimi i saj është margjinal nga shumat milionëshe që kanë bërë partitë Maqedonase.
KOHA: Cila është jeta juaj jashtë Universitetit dhe mediave, ose koha e lirë që më shumë përkushtoheni?
ADEMI: Kohëve të fundit kam qenë shume i angazhuar me konsulentë jashtë Maqedonie. Kam punuar për USAID në Ballkanin perëndimor për të vlerësuar projektet nga fushat prioritare për të financuar projekte që do të ndihmonin ngritjen e këtyre shteteve në fushat e përcaktuara. Tani kohëve te fundit kam lëvizur duke krijuar një profil ndërkombëtar dhe internacional duke shërbyer edhe si konsulent i tyre edhe në Tanzani, Afrikë, që më ka bërë akoma më të vlerësuar si dhe për të fituar nga eksperienca kultura dhe zakonet e shteteve qe shpesh janë të huaja për kulturat tona. Kohën e lirë shpesh e shfrytëzoj për tu marrë me sport ose edhe udhëtime ne vende që nuk i kemi frekuentuar më herët. Ajo që do ngelën gjithmonë në jetë do jenë njohjet e reja, kulturat e ndryshme si dhe dijet që fitohen nga interkacioni me njerëz të ndryshëm nga vetja dhe të gjithë të tjerat do harrohen shpesh. Shfrytëzoj rastin qe lexuesve te Juaj të Ju uroj Vitin e Ri me shpresën që sivjet edhe ato të kenë një vit më të qetë politikisht, por më të pasur me eksperienca të reja dhe perspektiva unike jo të përjetuara më herët.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.