Qefser ABDYLI
Shkup, 31 janar – Në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 49 për qind të buxhetit për ushqime, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, kjo peshë luhatet në 33-37 për qind – Kosova 43, Maqedonia 33.7 për qind… duke bërë që Shqipëria, për fatin e keq të qytetarëve të saj, të krahasohet vetëm me shtetet afrikane, si Kenia, Nigeria, Kameruni…, shkruan gazeta KOHA Sipas raportit të Forumit Ekonomik Global (FEG), familjet në Maqedoni shpenzojnë mesatarisht 33.7% të buxhetit për ushqime. Në Mal të Zi, sipas FEG-ut e që ka marrë të dhënat nga MONSTAT, kjo peshë është 34.6%; në Bosnjë Hercegovinë është rreth 34%. Familjet serbe, sipas zyrës kombëtare të statistikave shpenzojnë 37.7% të buxhetit për ushqime. Më e lartë është kjo peshë për Kosovën, në 43%, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave. Ndërkohë, sipas INSTAT, raporton KOHA – në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të buxhetit për ushqime, një përqindje e krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës. Sipas Anketës së Fundit të Buxhetit të Familjeve, familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje. Ndërkohë, janë vetëm dhjetë vende në botë që shpenzojnë më pak se 10% e të ardhurave të tyre për ushqim, katër prej të cilave janë në Evropë; Mbretëria e Bashkuar është e treta me 8.2% e të ardhurave mujore, e ndjekur nga Zvicra me 8.7%, Irlanda shpenzon vetëm 9.6% dhe Austria 9.9%. Katër vendet e tjera ndodhen në pjesën tjetër të botës. Amerikanët shpenzojnë të paktën 6.4%, Singapori është i dyti në listë për sa i përket shpenzimeve më të ulëta për ushqim krahasuar me të ardhurat në total, 6.7%. Kanadezët shpenzojnë rreth 9.1% të të ardhurave në ushqim, ndërsa australianët shpenzojnë 9.8%. Nigeria shpenzon më shumë se gjysmën e të ardhurave për ushqim, dhe janë nëntë vende të tjera që shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave për ushqim. Katër prej të cilave janë në Afrikë, Nigeria 56.4%, Kenia 46.7%, Kameruni 45.6%, dhe Algjeria 42,5%. Katër të tjera janë në Azi, Kazakistani 43%, Filipinet 41.9%, Pakistani 40.9% dhe Azerbajxhani 40.1%. Guatemala është i vetmi vend në Amerikën e Jugut që ndodhet në listën dhe familjet shpenzojnë rreth 40.6% të të ardhurave për ushqime. Shifrat nuk tregojnë se ushqimi është më i shtrenjtë në Nigeri se sa në SHBA. Në fakt, është e kundërta. Një amerikan mesatarisht shpenzon rreth 2,392 dollarë në vit për ushqim, një nigerian mesatarisht shpenzon gjysmën, 1,132 dollarë. Një banor i Kenias shpenzon 543 dollarë në vit për ushqim. Megjithatë, mund të ketë diferenca të mëdha brenda vetë shteti. Në 25 vitet e kaluara, rreth 20% e familjeve në Shtetet e Bashkuara shpenzojnë nga 28.8% në 42.6% në ushqim, krahasuar me normën 6.5-9.2% të shpenzuar nga familjet e pasura. Në vendet e BE-së, sipas të dhënave historike të EUROSTAT-it, pesha e shpenzimeve për ushqime ka mbetur në rreth 12%, që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat. Teksa Maqedonia vijon të jetë një importues i madh neto i ushqimeve, në supermarketet e vendit ndodh rëndon të gjesh produkte që janë edhe më të shtrenjta se supermarketet në vendet e Evropës, ndërsa të ardhurat e familjeve janë disa herë më të ulëta se ato në BE.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.