Shkup, 17 prill – Pacientët me hemofili po përballen me furnizim të parregullt të terapisë së nevojshme me çka vihet në rrezik jeta e tyre, paralajmërojnë nga Shoqata e hemofilikëve të Maqedonisë me rastin e Ditës Botërore të Hemofilisë.
Nga Shoqata theksojnë se tenderi i ri për furnizim të terapisë së nevojshme ende nuk është shpallur për shkak të asaj se pacientët do mbesin pa të.
“Për momentin, fëmijët të cilët janë në profilaksi kanë faktor deri në fund të prillit. Tenderi i ri nuk është shpallur, e pse është kjo kështu duhet të përgjigjen institucionet. Të gjithë ia hedhin fajin njëri-tjetrit”, deklaroi Liljana Rajçevska, kryetare e Shoqatës së hemofilikëve.
Sipas saj, është shumë e rëndësishme që pacientët ta marrin terapinë, ndërsa për shkak të mospasjes së faktorit për koagulim të gjakut nuk është bërë asnjë intervenim ortopedik te pacientët të cilët kanë dëmtime në eshtra.
“Pa faktor, për ne nuk ka jetë. Me secilën ditë kur nuk ka faktor të pranojnë terapi, pacientët marrin më shumë dëmtime”, paralajmëron Rajçevska.
Për shkak të mos furnizimit të terapisë dhe marrjes së saj në mënyrë të parregullt, dy fëmijë të sëmurë nga hemofilia gjatë gjithë javës nuk kanë shkuar në shkollë.
Zyrtarisht, sipas të dhënave nga Qendra për Hemofili, në Maqaedoni ka 320 persona të sëmurë nga hemofilia A dhe B dhe katër pacientë me hemofili inhibitore e cila vlerësohet si forma më e rëndë ku mjekimi është më i komplikuar.
Vlerësohet se në botë nga hemofilia vuajnë 400 mijë njerëz, ndërsa 25 për qind nuk kanë mjekim adekuat.