Omer XHAFERI
Shkup, 4 korrik – Përkundër përpjekjeve për të lokalizuar zjarret që disa ditë me radhë i kanë kapluar pyjet e ndryshme të Maqedonisë, sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), edhe më tej një pjesë e këtyre zjarreve mbeten aktiv, madje me shpejtësi po zgjerohen, shkruan gazeta KOHA. Qindra hektarët e djegur, kryesisht hapësirë malor në pronë të shtetit – ka ndikuar që Qeveria brenda orëve të para 4 korrikut të sjellë vendim me të cilin pritet të hetohen shkaqet që i kanë shkaktuar zjarret, të cilat për ditë të tëra kanë bërë kërdi në më shumë lokacione brenda Maqedonisë. Temperaturat e larta dhe mungesa e lagështisë, sipas organeve përkatëse, paraqet njërën prej arsyeve se pse shkaktohen zjarret, megjithatë drejtori i QMK-së, Shaban Saliu, në disa raste ka theksuar se disa prej zjarreve që janë paraqitur se fundmi, janë shkaktuar nga faktori njeri. Në këtë drejtim, policia e shtetit ende nuk ka njoftuar se si zhvillohen hetimet në këtë drejtim, gjegjësisht nëse është arrestuar apo marrë në pyetje ndonjë i dyshuar. Nga ana tjetër, ekipet e zjarrfikësve të rajonit të Shkupit me intervenimin e fundit që e kanë kryer në orët e para të ditës së premte – kanë bërë të ditur se zjarri në malin e Matkës është lokalizuar. Ndërkohë, siç mëson gazeta KOHA, pjesa e malit të Zhedenit që gjendet në afërsi të fshatit Bojanë, ende është aktiv. Banorët e këtij fshati përmes Bashkësisë Lokale, kanë thënë se menjëherë pas vërtetimit të lajmit se mali Zheden është kapluar nga flakët, ata e kanë paraqitur rastin te shërbimet e zjarrfikësve të cilët me vonesë të madhe janë paraqitur në vendngjarje. Në anën tjetër të rrethinës së Shkupit, në fshatin Moranë, pjesë e Komunës së Studeniçanit, ekipet e zjarrfikësve kanë theksuar se gjatë orëve të para të ditës, kanë intervenuar në shuarjen e zjarrit që e ka përfshirë fushën e kësaj ane edhe atë me dy automjete për shuarje të zjarreve dhe gjashtë zjarrfikës. Duke i komentuar zjarret që e kanë përfshirë rajonin e Shkupit, drejtori i Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërime”, Dushan Aviroviq, ka thënë se 100 për qind e këtyre zjarreve janë shkaktuar nga faktori njeri. “Të ishte terreni më i përshtatshëm, zjarri në rrethinën e Matkës do të ishte lokalizuar menjëherë. Por, ajo që ndodhi gjatë 24 orëve të fundit ishte e tmerrshme. Sinqerisht, i bindur jam se këto zjarre në rrethinën e Shkupit janë me tendencë të shkaktuar. Për këtë situatë nuk ekziston ndonjë sqarim tjetër se këto zjarri mund të shkaktohen ndryshe, gjegjësisht argumentet se mali është vetëndezur – nuk qëndrojnë. Thjeshtë, vlerësoj se bëhet fjalë për mungesë të kulturës dhe vetëdijes qytetare, ose thënë ndryshe – sëmundjes të cilën e kanë njerëz të caktuar”, ka thënë drejtori Aviroviq. Ndryshe, zjarr tjetër i regjistruar në kryeqendër gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së premte, është parë mbi fshatin Çiflik, rrethinë e Komunës së Sopishtes, e cila 90 për qind është banuar me shqiptarë. Për këtë rast, drejtori Dushan Aviroviq, ka theksuar se me ndihmën e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të cilët kanë intervenuar në këtë rajon me helikopter – zjarri është lokalizuar dhe vënë nën kontroll. Flakëve të zjarreve, sipas drejtorit Aviroviq, gjatë periudhës së fundit nuk i kanë shpëtuar edhe dy malet me të frekuentuara në kryeqytet, gjegjësisht mali Vodno dhe ai i Gazi Babës, kur relativisht ka pasur zjarre të vogla, të cilët për shkurtë kohë janë shuar.
ZJARRI NË MAKEDONSKI BROD ENDE AKTIV, VULLNETARË ENDE DREJTOHEN PËR SHUARJE
Zjarri në zonën e fshatrave Trebovlje dhe Rastesh në Makedonski Brod ende është aktiv. Në shuarjen janë angazhuar ARM-ja, tre helikopterë (nga një nga ARM-ja, nga Bullgaria dhe nga Turqia) të cilët veprojnë nga orët e mëngjesit, banorët e vendit nga fshati Rastesh dhe persona nga fshati Zagrad, ndërsa drejtohen edhe vullnetarë nga Kërçova, Prilepi dhe Shkupi. Siç kumtoi Qendra për menaxhim me kriza, forcat e Ekonomisë pyjore “Sandanski” nga Makedonski Brod janë angazhuar për veprimin e zjarrit në fshatin Rastesh. Ata ndërmarrin aktivitete për lokalizimin e zjarrit që të mos afrohet deri te shtëpitë dhe stallat me kafshë të cilët janë në nënkëmbëzën e fshatit Rastesh, si dhe pengimi i zjarrit në vendin e quajtur Koritski Doll që të mos zgjerohet drejt fshatrave Rastesh dhe Zagrad. Në zjarrin në fshatin Deviç janë angazhuar persona nga Ekonomia pyjore “Sandanski” – Makedonski Brod. Zjarrin po kontrollohet dhe shtëpitë që janë lartë fshatit Deviç nuk janë në rrezik, por ende është aktiv me intensitet të zvogëluar te vendi i quajtur Polec. Në zjarrin në fshatin Blizansko ka intervenuar edhe një helikopter dhe tani për tani nuk ka vatra të mëdha. QMK informon se ende është aktiv zjarri në Podvis – Lokveni, i cili është zgjeruar në pjesën e kodrës drejt fshatrave Aldanci dhe Norovë. Digjet kashtë dhe pyll me drunj të shkurtër, ndërsa në terren për momentin intervenojnë ekipe të NJTZ Krushevë dhe NP “Lipa”- Krushevë. Në rajonin e Tetovës aktive janë dy zjarre në ambient të hapur. Mbi fshatin Kopance ku digjet sipërfaqja me bari të thatë nëpër malin Zheden nuk është përfshirë pylli. Në vendin e ngjarjes është ekipi i Ekonomisë pyjore “Leshnicë” – Tetovë. Në zonën e fshatit Gurgurnicë aktiv është zjarri që nga ana e Makekdonski Brodit është përhapur në territorin e komunës Bërvenicë. Digjet bari i thatë dhe kullosë, ndërsa ekipi nga Ekonomia pyjore “Leshnica” – Tetovë është në terren dhe e ndjek situatën. Zjarri në fshatin Zhelezna Reka është lokalizuar mbrëmë në orën 23:00.
QEVERIA FALËNDERON TURQINË DHE BULLGARINË PËR NDIHMË
Në seancën që u mbajt të enjten mbrëma në Qeveri ka marrë pjesë edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shaban Saliu, i cili i ka informuar ministrat për gjendjen me zjarret në rajonin e Makedonski Brodit dhe në disa lokacione nëpër vend. “Në këtë kontekst, Qeveria e Republikës së Maqedonisë shprehu falënderim të madhe deri te Republika e Bullgarisë, si dhe deri te Republika e Turqisë për ndihmën e dërguar në ballafaqimin me zjarret. Është theksuar se institucionet janë në terren deri në shuarjen përfundimtare dhe lokalizimin e zjarreve, ndërsa janë ndërmarrë edhe obligime që të hetohen arsyet për paraqitjen e shpeshtë të zjarreve në disa lokacione nëpër vend”, njoftojnë nga Qeveria.
I GJITHË BALLKANI PËRFSHIHET NGA FLAKËT
Më shumë se njëqind zjarrfikës edhe më tej po luftojnë me stuhitë e zjarri në rajonin e Ballkanit. Në Kroaci zjarret në rajonin e Kistanjes, të cilët filluan të martën ende nuk janë lokalizuar, e as shuar. Atje në terren momentalisht ndodhen 300 zjarrfikës nga e gjithë Kroacia me 37 automjete, si dhe 50 pjesëtarë të ushtrisë, të cilët shuajnë tre zjarre. Hina njofton se stuhia e zjarrit ka përfshirë dy mijë hektarë tokë, ndërsa në shuarje përkohësisht marrin pjesë edhe aeroplanë “kanaderrë”. Në Parkun nacional “Kërka” më askund nuk shihet zjarr i hapur, deklaroi drejtori i këtij institucioni publik Kreshimir Shakiq. Ai shtoi se zjarri, i cili nga e marta është aktiv në këtë rajon ka përfshirë rreth 200 hektarë sipërfaqe nga Parku nacional. Në rajonin e qytetit boshnjak Trebinje zjarrfikësit po mbajnë kujdestari dhe po e kontrollojnë zjarrin rreth fshatit Slivnicë, ndërsa në Hercegovinë kishte disa zjarre më të vogla, të cilët me sukses janë shuar. Zëdhënësi i Mbrojtjes civile të Republikës Srpska, Zhelko Stojanoviq deklaroi se është shkaktuar zjarr në një deponi për mbeturina në Bratunac dhe shtoi se ai kërkon shuarje më të gjatë dhe aksione komunale. Zjarret janë aktive edhe në malin Dinara mbi lagjet Çaprazle dhe Donji Rujani dhe në rajonin e komunës Bosansko Grahovo në malin Staretina në kufirin me komunën Gllamoç, të cilët për shkak të terrenit jashtëzakonisht të pakalueshëm dhe të minuar, është e mundur të shuhen vetëm nga ajri, njofton FENA. Dje pasdite një zjarr shpërtheu edhe në ishullin grek Lezbos, të cilin zjarrfikësit vështirë e shuan për shkak të erës së fuqishme, njofton ANA-MPA.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.