Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e ka nisur me fitore fushatën në Ligën e Kombeve dhe me fitore synon ta përmbyllë. Kombëtarja të shtunën (sot) nga ora 20:45 luan ndaj Skocisë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Fitorja eventuale do të vlerësohej me shumë peshë për kuqezinjtë që kanë pasur një vit plot telashe e po ashtu rezultate negative. Fitorja ndaj Izraelit (1:0), më 7 shtator në Elbasan, është pika e vetme e ndritur e kombëtares gjatë 2018-s. Në fitore të re shpresohet edhe ndaj Skocisë, shkruan sot Koha Ditore.
Shqipëria është e fundit në Grupin 1 të Ligës C të Ligës së Kombeve me tri pikë nga tri ndeshje. Prin Izraeli me gjashtë pikë nga tri ndeshje, ndërsa Skocia është e dyta me tri pikë nga dy ndeshje. Ndeshja përfundimtare e këtij grupi luhet të martën ndërmjet Skocisë dhe Izraelit, kështu që kombëtarja nuk e ka plotësisht fatin në dorën e saj.