Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri , hodhi poshtë kritikat ndaj skuadrës së tij, pas barazimit të Ligës së Kampionëve me Totenhemin, duke thënë se kundërshtari ishte “i çmendur”. Gonzalo Higuain shënoi një dopietë të hershme në ndeshjen e parë të 1/8 finale, në Torino, të martën, por humbi një penallti në fund të gjysmës së parë. Harri Kin kishte ngushtuar rezultatin me një gol për “Spurs”, teksa këta të fundit barazuan 2-2 në sajë të një goli të Eriksen, në pjesën e dytë. Alegri , i cili pret që Paulo Dybala dhe Blaise Matuidi të kthehen për ndeshjen e kthimit, tha se pritshmëritë që Juve do ta vriste ndeshjen që në Torino ishin të pavendosura.
“Juventusi luan për të fituar Ligën e Kampionëve, por ne nuk jemi favoritë për këtë. Është e pamundur të arrijmë në finale çdo vit”, – tha trajneri bardhezi. “Ne po bëjmë më të mirën dhe lojtarët e mi duhet të jenë të lumtur, sepse ata kanë zhvilluar një sezon të mahnitshëm. Edhe unë jam i lumtur për atë që po bëjnë. Ne e dimë se duhet të përmirësohemi. Ende kemi një shans të mirë për t’u kualifikuar në Londër, por është krejtësisht e çmendur të mendojmë se Juventusi duhet të fitojë 3-0 në raundin e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Është diçka që më bën të çmendur, sepse nuk jeni në gjendje të analizoni se sa ekipe të mira janë në Ligën e Kampionëve. Unë nuk mund të pranoj që njerëzit mendojnë se rezultati 2-2 ndaj Totenhemit mund të na bëjë të depresionuar”, nënvizoi më tej Alegri.
Ai tha se skuadra e tij kurrë nuk ishte favorite kundër “Spurs”, ndërsa përgatitet për një “finale” në ndeshjen e dytë, në “Wembley”, muajin e ardhshëm. “Ne patëm një shans 50 për qind përpara ndeshjes së parë dhe ende kemi 50 për qind mundësi kualifikimi për më tej. Totenhemi është një skuadër e mahnitshme. Gjithsesi, futbolli është i çuditshëm, sepse Buffon na shpëtoi kur ishim 2-0. Pastaj patëm mundësinë të shkojmë përpara 3-0. Rezultati u ngushtua 2-1. Mund të shkonim 3-1 me penallti, por Higuain e humbi atë. Ne e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. Jemi përballë Totenhemit në Ligën e Kampionëve, një ekip fizik dhe teknik. Tani, në Londër, do të jetë një finale dhe do të duhet të luftojmë për ta kaluar me sukses”, – përfundoi Alegri.
Kin: Treguam karakter, morëm rezultat shumë të mirë
Harri Kin ka thënë se skuadra ka treguar karakterin e Totenhemit pasi ishin duke humbur 2-0, dhe e riktheu rezultatin në 2-2. “Ne kemi mundur të dështojmë kur ishim 2-0 në një ndeshje si kjo në Ligën e Kampionëve, por ne kemi treguar karakterin e skuadrës. Bëmë një paraqitje të shkëlqyer pas kësaj, dhe e merituam që të kthehemi në lojë. Kur e shikon, dy gola si mysafirë dhe kthemi me një barazim në ‘Wembley’, është rezultat i shkëlqyeshëm. Kisha një rast të mirë para golit me kokë, u desh ta shënoja atë, por prita për këtë të dytin. Dele Alli dha një pasim shumë të mirë dhe u desh që ta ktheja në gol. Na ktheu në lojë dhe ajo ishte e rëndësishme”, deklaroi Kin.
Guardiola: Jemi pothuajse në çerekfinale
Pep Guardiola ishte i kënaqur me performancën e Manchester City në Basel, në mbrëmjen që i vë “qytetarët” në shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, më 16 mars. Manchester City fitoi 4-0 në Basel, që do të thoshte se duhet një mrekulli në stadiumin “Etihad”, më 7 mars, që të besuarit e Guardiolës të mos arrijnë në çerekfinale për herë të dytë në historinë e klubit. “Është një rezultat i mrekullueshëm në këtë raund të këtij kompeticioni”, – tha Guardiola. “Sidoqoftë, një raund në Ligën e Kampionëve zgjat 180 minuta. Të presim, edhe pse jemi pothuajse aty, në çerekfinale. Unë nuk jam duke thënë se gjithçka është bërë, sepse në futboll çdo gjë mund të ndodhë, por është një rezultat i mahnitshëm. Jam i kënaqur dhe tani do të përgatitemi për ndeshjen me Viganin”, deklaroi Pep.
Higuain vendos rekord
Sulmuesi argjentinas i Juventus, Gonzalo Higuain, ka vënë rekordin e ri në “Champions League” duke shënuar dygolëshin më të shpejtë në historinë e kësaj veprimtarie. Higuain shënoi golin e parë në minutën e dytë, pas pasimit të marrë nga Pjaniç dhe në minutën e tetë realizoi golin e dytë me 11-metërsh. Higuain e shënoi golin e dytë pas tetë minutash e shtatë sekondash, duke thyer rekordin e Julio Kruz, i cili kishte shënuar dy gola në ndeshjen ndaj rusëve të Spartak Moskë në 8 minuta e 30 sekonda në tetor të vitit 2018.