Shkup, 26 gusht – Me dëgjimin e bisedimeve të dorëzuara nga LSDM-ja në PSP të cilat janë pjesë e “bombave”, ndërsa të propozuara nga Prokuroria si dëshmi shtesë, më 5 shtator do të vazhdojë gjykimi për vrasjen e pesëfishtë tek Liqeni i Smilkovës më 12 prill të vitit 2012 e njohur si “Monstra”, njofton Koha.mk
Gjykatësi Ognen Stavrev palëve u propozoi nëse dëshirojnë disa ditë para gjykimit t’i shqyrtojnë transkriptet që të përgatiten për gjykimin.
Në procedurën paraprake për rastin me burg të përjetshëm u dënuan Halil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Ezim dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.
Gjykata supreme në dhjetor të vitit 2017 i shfuqizoi aktvendimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailoviq, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Azirin dhe u caktoi masë kujdesi. Pas shfuqizimit të aktvendimeve, rastin “Monstra” e mori PSP-ja dhe lënda është kthyer sërish në gjykim. (koha.mk)