Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në mesditë do ta vazhdojë debatin rreth Propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve në lexim të parë. Deputetët për të gjashtën ditë do të debatojnë rreth nevojës së miratimit të këtij ligji. Seanca për këtë pikë u ndërpre mbrëmë 15 minuta pas orës 2 me kërkesë të deputetes Liljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE.
Në debatin e deritanishëm kaloi fjalimi i dhjetë deputetëve nga gjithsej shtatëdhjetë të paraqiturit. Deputetët e opozitës akuzojnë se ligji është antikushtetues dhe kërkojnë tërheqjen e tij, ndërsa sipas shumicës parlamentare ligji është në pajtim me Kushtetutën dhe me të nuk prishet karakteri unitar i shtetit. Sipas paralajmërimeve të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të hënën më 25 shtator, pritet që këtë fundjavë Kuvendi ta ndërpret punën.