Kumanovë, 2 prill – Shtatë fëmijë me autizëm e ndjekin mësimin në paralele të veçanta në shkollën fillore “Vëllezërit Milladinovci” në Kumanovë, informuan sot kompetentët nga shkolla.
Në Qendrën Ditore për Personat me Aftësi të Kufizuar që funksionon nën Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ka gjashtë fëmijë me autizëm. Dhe në dy institucionet fëmijët ndjekin mësimin dhe programin në përputhje me moshën së bashku me fëmijët me aftësi të kufizuara në zhvillim.
“Në të kaluarën në përgjithësi nuk kishte fëmijë të regjistruar me autizëm ose shumë rrallë kanë qenë të regjistruar fëmijë me autizëm. Nuk kemi të dhëna sa fëmijë të sëmurë nga autizmi ka në Kumanovë, për shkak se në nivel të Maqedonisë nuk ka regjistër”, deklaroi defektologia e shkollës, Milena Iliq Peshiq.
Udhëheqësi i Qendrës Ditore për Fëmijët me Aftësi të Kufizuar nën MPPS-n, Ivica Blagojeviq sqaroi se punojnë sipas programit dhe se këta fëmijë punojnë së bashku me fëmijë të tjerë me aftësi të kufizuara në zhvillim.
Profesionistët potencojnë se është e nevojshme që të formohet qendër e veçantë për fëmijë dhe persona me autizëm, ku do të zbatoheshin praktikat dhe metodat që realizohen në shtetet e Evropës perëndimore.
“Për dallim nga e kaluara kur këta fëmijë fare nuk raportoheshin, tani prindërit shumë më shpesh kërkojnë ndihmë nga profesionistët. Personat me autizëm janë bashkëqytetarët tanë dhe detyra jonë është t’u mundësojmë ta gjejnë vendin e tyre dhe t’i zhvillojnë potencialet e tyre. Pranimi i ndryshimit është hapi i parë, që është i domosdoshëm ta bëjmë nëse duam që të jetojmë në një shoqëri që është dinjitoze për të gjithë”, deklaroi Iliq Peshiq.
Në Kumanovë me asnjë ngjarje nuk shënohet 2 prilli, Dita Botërore e Personave me Autizëm, që në botë shënohet që nga viti 2007.